HomeEkonomiMbyllet peticioni për Rrugën e Arbërit/Grupi i Lobimit: Ne përmbushëm një detyrim...

Mbyllet peticioni për Rrugën e Arbërit/Grupi i Lobimit: Ne përmbushëm një detyrim moral ndaj Dibrës dhe vendit 

Pas 12 vitesh vendosëm të mbyllim peticionin online për Rrugën e Arbërit. Para se ta bëjmë këtë, duam të falenderojmë me gjithë zemër të gjithë përkrahësit e peticionit, që jashtë ngjyrave politike na mbështetën deri në fund. Ne përmbushëm një detyrim moral ndaj Dibrës dhe vendit.

Refuzimi qeveritar, edhe pse i papranueshëm dhe i dënueshëm, u zventua para mbështetjes që mijëra bashkëatdhetare na dhanë që në fillim në të gjithë hapësirën shqiptare, nga mërgata si dhe nga miqtë dhe dashamirësit e huaj të Shqipërisë dhe kombit tonë. Kjo mbështetje ushtroi një presion të vazhdueshëm, në dukje i injoruar nga qeveria, por në fakt, ndikues mbi vendimmarrjen politike dhe qeveritare, e shfaqur kjo edhe në deklaratat publikë të anëtarëve të qeverisë dhe vetë Kryeministrit

Shkelja e standardeve të ndërtimit dhe kostot nuk duhet të ishin apo të mbeten edhe tani vetëm një debat politik. Kushdo që është në dijeni të shkeljeve dhe abuzimeve duhet t’u drejtohet institucioneve për të denoncuar personat dhe palët përgjegjëse.

Grupi i Lobimit 

26 Qershor 2025

Pas 12 vitesh vendosëm të mbyllim peticionin online për Rrugën e Arbërit. Para se ta bëjmë këtë, duam të falenderojmë me gjithë zemër të gjithë përkrahësit e peticionit, që jashtë ngjyrave politike na mbështetën deri në fund. Ne përmbushëm një detyrim moral ndaj Dibrës dhe vendit. 

Të zhgënjyer nga premtimet dhe zvarritjet kronike të qeverive që nga viti 1995, më 17 Mars 2013, një grup intelektualësh dibranë në diasporë dhe Shqipëri filluan peticionin online për Rrugën e Arbërit, nëpërmjet të cilit ju kërkua qeverisë që do të dilte nga zgjedhjet vendore atë vit, me insistim, por gjithmonë brenda normave të kortezisë, një nocion ende i panjohur në politikën shqiptare, që kjo vepër të përfundonte sa më shpejt dhe me standarde ndërkombëtare. 

Pavarësisht presioneve, fyerjeve dhe shpifjeve në adresën tonë përsa u përket, gjoja, qëllimeve dhe përfitimeve personale të nismës tonë dhe mungesën e mbështetjes nga përfaqësuesit partiakë, veçanërisht ata në pushtet (qendror dhe lokal), ne e mbajtëm premtimin se do të lobonim me vendosmëri dhe integritet, deri në përurimin e veprës. 

Ky është peticioni më i gjatë online në Shqipëri. Nga fillimi deri në fund ne qëndruam larg presioneve, lajkatimeve dhe ndikimeve politike. Ndoshta kjo është gjëja me pozitive që shoqëria civile në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut mund të mësojë nga përvoja jonë. 

Kryeministri deri në fund refuzoi të merrte në dorëzim peticionin. Kjo nuk përbën çudi në një shtet si Shqipëria që trashëgoi nga komunizmi dhe po e kultivon dhe praktikon po aq egërsisht kultit e individit, si mënyrë e vetme drejtimi për afro katër dekada. 

Refuzimi qeveritar, edhe pse i papranueshëm dhe i dënueshëm, u zventua para mbështetjes që mijëra bashkëatdhetare na dhanë që në fillim në të gjithë hapësirën shqiptare, nga mërgata si dhe nga miqtë dhe dashamirësit e huaj të Shqipërisë dhe kombit tonë. Kjo mbështetje ushtroi një presion të vazhdueshëm, në dukje i injoruar nga qeveria, por në fakt, ndikues mbi vendimmarrjen politike dhe qeveritare, e shfaqur kjo edhe në deklaratat publikë të anëtarëve të qeverisë dhe vetë Kryeministrit.

Më 14 Mars 2025, më në fund, segmenti i fundit i Rrugës së Arbërit deri në Maqellarë u inaugurua. Përsa u përket inaugurimeve, kjo vepër infrastrukturore ndoshta meriton të hyjë në Rekordet Botërore të Guinness. Inaugurimet në prag të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare që janë bërë për këtë rrugë, përbëjnë një shantazh të vazhdueshëm emocional nga ana kastës politike që kërkon me ngulm lëvdata, falënderime dhe ‘shpërblim’ me vota për vepra të ndërtuara me fondet e taksapaguesve. 

Mania për ta inauguruar me çdo kusht rrugën në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare, nuk e pengoi qeverinë edhe pse, siç është raportuar në media, Tuneli i Murrizit u hap pa u kolauduar sistemet elektrike dhe aspirimi. Po kështu, nuk duhet harruar se zgjatja e afateve të ndërtimit të kësaj rruge është bërë në kurriz të viteve që janë planifikuar për mirëmbajtje. Ndërsa kontrata origjinale, përsa i përket ndërtimit të kësaj vepre, ishte për tre vjet, kontrata e mirëmbajtjes ishte planifikuar për dhjetë vjet. Mos respektimi i këtyre kontratave e bën të justifikueshëm shqetësimin se në këtë vepër abuzimet financiare ka të ngjarë të vazhdojnë. 

Ne përshëndesim të gjithë ata që kontribuan në përfundimin e kësaj vepre – projektuesit, inxhinierët, teknikët dhe punëtorët. Një falënderim i veçantë për autoritete shtetërore në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, autoritetet lokale në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, me të cilët dialoguam ndër vite, dhe të gjithë entet mediatike, gazetarët dhe botuesit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, dhe diasporë, si dhe mediat e huaja për hapësirën që na dhanë në çdo kohë.

Si rezultat i Rrugës së Arbëri, janë shkurtuar ndjeshëm koha dhe cilësia e udhëtimit. Trafiku pas inaugurimit është rritur jashtë parashikimeve, duke shkuar edhe në mbi 8,000 makina në ditë në fundjavë. Kjo e rrit nevojën e koordinimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për lehtësimin e regjimit kufitar.

Po të kishte patur një dialog konstruktiv ndërmjet qeverisë, institucioneve përkatëse, kompanisë që ndërmori ndërtimin e rrugës dhe shoqërisë civile, kjo vepër do të ishte e një cilësie shumë më të mirë. Kështu, për shembull, në shumë segmente rruga paraqet rreziqe që mund të ishin shmangur. Kjo dëshmohet nga aksidentet pas përurimit të rrugës. 

Shkelja e standardeve të ndërtimit dhe kostot nuk duhet të ishin apo të mbeten edhe tani vetëm një debat politik. Kushdo që është në dijeni të shkeljeve dhe abuzimeve duhet t’u drejtohet institucioneve për të denoncuar personat dhe palët përgjegjëse. 

Për këtë vepër, nga fillimi deri në fund, nuk pati kurrë transparencë për fondet e përdorura. Mungesa e informacionit të saktë dhe atij kontradiktor për kostot e ndërtimit, shpeshherë sollën kaos te publiku. Sa fonde u abuzuan për këtë vepër dhe kush përfitoi nga to në mënyrë të paligjshme, në një shtet si Shqipëria me korrupsion të institucionalizuar, ka të ngjarë të mos zbardhen kurrë. Një gjë është e qartë – shifrat zyrtare për fondet e akorduara për këtë vepër dhe kostot e përfolura mediatikisht, nuk e justifikojnë standardet e ndërtimit. 

Rruga e Arbërit nuk i zgjidh problemet e Dibrës që janë të një karakteri gjeopolitik që nga koha e sfidimit që shqiptarët, të udhëhequr nga Skënderbeu, i bënë rrezikut ekzistencial që i kanosej kombit tonë nga pushtuesit osmanë, dëmet në njerëz dhe materiale nga rezistenca e vazhdueshme ndaj hordhive sllave, copëtimin famëkeqe në vitin 1913 i këtij rajoni i pozicionuar në zemër të kombit, dhe injorimi kronik dhe i vazhdueshëm nga shteti shqiptar. Dibrës i duhen investime dhe Tirana zyrtare duhet t’i japë fund ‘kolonializimit intranacional’ të kësaj zone dhe zonave të tjera në Shqipëri në veri dhe jug në mënyrë që banorët e këtyre zonave të lënë pas dore të gëzojnë frytet e pasurive të tyre mbitokësore dhe nëntokësore, të cilat vazhdojnë të përvetësohen në mënyrë korruptive nga kleptokracia politike.

Rruga e Arbërit përfundon në Maqellarë. Qëllimi i saj për lidhjen me Shkupin mbetet akoma një mision i pambaruar. Për këtë duhet më shumë vullnet i mirë dhe angazhim nga ana e të dy qeverive. 

Në mbyllje të këtij njoftimi, duam të falënderojmë edhe njëherë të gjithë përkrahësit e peticionit, që jashtë ngjyrave dhe ndikimeve politike na kanë mbështetur vazhdimisht. Me përkushtimin tonë, ne përmbushëm një detyrim moral ndaj Dibrës dhe vendit. Shpresojmë se përvoja jonë do të jetë një mësim për brezin e ri. 

Ne e filluam peticionin si idealistë dhe pas 12 vitesh ajo që na ka mbetur e njëjtë është idealizmi. Shoqëria civile nuk mund të ekzistojë pa idealizëm, por i duhet edhe mbështetje institucionale pa kushte që të mos lejojë kompromentimin e paanshmërisë dhe integritetit të saj. Le të shpresojmë se idealiste e rinj të shoqërisë civile do ta kenë më të lehtë se ne.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular