Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka shpjeguar se çfarë ndodhi gjatë seancës së Ilir Metës në GJKKO, ku ish Presidenti u la sërish në paraburgim.
Lala tha se mbrojtja e Metës pretendon që SPAK nuk ka informuar gjykatën për veprime hetimore gjatë kohës kur Meta është mbajtur në paraburgim dhe ka kërkuar zëvendësim të masës.
“Zoti Meta për herë të parë pas tetë muajsh iu drejtua gjykatës së posaçme me kërkesë për zëvendësim të masës, duke pretenduar se këto 8 muaj nuk është informuar gjykata nga SPAK, për këtë arsye pretendoi se nuk ka prova dhe fakte. Ka folur zoti Cakrani fillimisht dhe ka dhënë argumentat, ka pretenduar se nuk ekzistojnë kriteret ligjore që ish Presidenti të mbahen në arrest me burg. Ka paraqitur edhe vendimin e rastit Gëllçi në Straburg, ku gjykata e Strasburgut ka arsyetuar që masat e arrestit me burg duhet të jenë proporcionale.
Ka patur një lloj tensioni gjatë përballjes së prokurorit Sotir Kllapi me zotin Meta. Prokuroria ka pretenduar se ka kryer veprime hetimore dhe se një kartë krediti e Ardian Shatkut, biznesmen, është përdorur edhe nga ana e zotit Meta dhe Kryemadhit. Ndërkohë zoti Meta refuzon të ketë patur dijeni dhe thotë nuk e ka përdorur asnjëherë këtë kartë per shpenzime dhe se nuk mban përgjegjësi për Kryemadhin.
Argumenti tjetër për kontratat lobuese në SHBA. Meta pretendon se nuk ka patur asnjë firmë. Prokuroria thotë për shkak të funksionit, duhet të ketë patur dijeni dhe e konsideron si akuzë penale ndaj zotit Meta.
Gjykata vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg. Zoti Cakrani duhet ti drejtohet apelit dhe pastaj mund të ketë kërkesa të tjera.
Zoti Cakrani tha që Meta nuk e ka përdorur asnjëherë kartën dhe nuk mban përgjegjësi për veprimet e ish bashkëshortes.
Cakrani foli edhe për një avokat grek, që tha se është i atashuar me një ish eksponent të LSI, që po mbështetet tani nga PS. La të nënkuptohej se bëhet fjalë për zotin Braimllari”, deklaroi Lala.