Gjatë vizitës së tij zyrtare në rajonin e Kalabrisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u bëri një thirrje të drejtpërdrejtë investitorëve italianë që të shohin Shqipërinë si një destinacion strategjik për investime dhe si një portë drejt gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Ftoj drejtuesit dhe investitorët italianë ta konsiderojnë Shqipërinë si një derë të hapur për investime në rajon,” deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar klimën e favorshme që vendi ofron për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Vizita e Kreut të Shtetit në Kalabri shënon edhe përmbushjen e një zotimi të dhënë për të forcuar lidhjet me komunat arbëreshe dhe për të nderuar figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përmes vendosjes së bustit të tij në sheshet e atyre komunave ku mungon.
Por për Presidentin Begaj, këto takime nuk kanë vetëm simbolikë kulturore. Ai i sheh si pjesë e një vizioni më të gjerë për të thelluar bashkëpunimin institucional, ekonomik dhe arsimor me rajonet italiane.
“Shqipëria është një vend i orientuar nga paqja dhe bashkëpunimi me fqinjët. Ajo synon një zhvillim të qëndrueshëm rajonal, ku Italia është dhe mbetet partneri ynë strategjik më i rëndësishëm,” u shpreh Presidenti.
Ai vlerësoi rolin që Italia ka luajtur në mikpritjen e arbëreshëve ndër shekuj, si dhe të shqiptarëve pas viteve ’90, duke theksuar respektin për ruajtjen e identitetit të tyre dhe mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë.
“Nuk është vetëm një lidhje me Kalabrinë, por një lidhje shumë e rëndësishme me Italinë. Jemi dy vende partnere në NATO, me një bashkëpunim të shkëlqyer në ekonomi, kulturë dhe arsim, dhe mbi të gjitha, me një marrëdhënie të bazuar në besim dhe qëllime të përbashkëta,” përfundoi Presidenti Begaj në një prononcim për median italiane.