HomeKultureHalil Teodori takim me banoret e Dibres se Madhe: Identiteti ynë nuk...

Halil Teodori takim me banoret e Dibres se Madhe: Identiteti ynë nuk është thjesht një trashëgimi, por një mision i gjallë që na bashkon, na motivon, na sfidon të ecim përpara

Rrespekte pa fund per ju intelektual dhe rrapsode te nderuar te DIBRES SE MADHE!

Dje isha ne nje takim me banoret e Dibres se Madhe!

Me poshte po ju bej te ditur materialin qe kisha pregatitur me kete rast pershendetje!

Të nderuar pjesëmarrës, të dashur të pranishëm,

Mirënjohje dhe nderim për ju që me praninë tuaj në këtë takim, jepni forcë besimit tonë të përbashkët te vlerat kombëtare, duke dëshmuar me vetë angazhimin tuaj se identiteti ynë nuk është thjesht një trashëgimi, por një mision i gjallë që na bashkon, na motivon dhe na sfidon të ecim përpara drejt përmbushjes së një kauze të lartë: shpërfaqjes së së vërtetës historike të identitetit tonë të hershëm.

Një falënderim i posaçëm dhe mirënjohje e thellë shkon për organizatorët e këtij takimi me vlera të veçanta: Shoqatën Atdhetare Kulturore “Bulqiza” dhe Shoqatën e Historianëve “Dibra e Madhe”, të cilët me përkushtim dhe vizion, mundësuan që të jemi së bashku sot në këtë akt të rëndësishëm për historinë dhe ndërgjegjen tonë kombëtare.

Sot, këtu, nuk jemi thjesht për të folur, por për të dëshmuar me zë dhe me zemër, për të sjellë në dritë një të vërtetë që për shumë kohë është lënë në hije, për të ngritur lart një vetëdije që buron nga hulumtimi, nga dëshmitë, nga faktet e mbështetura në punë kërkimore, në botime dhe përkushtim të paepur. Kjo është një e vërtetë që nuk kërkon të shpiket, por të zbulohet dhe të rivendoset në piedestalin që i takon: ajo e identitetit tonë Pellazgo-Ilir, si gur themeli i qytetërimit evropian dhe më gjerë.

Ne duhet ta konsiderojmë një privilegj dhe një detyrim të shenjtë këtë barrë që na ngarkon koha, vetëdija kombëtare dhe përgjegjësia profesionale. Është kjo detyrë që na bën të ndjejmë krenari për përkatësinë tonë, por edhe përgjegjësi për ta thelluar më tej këtë dije, për të gërmuar në shtresat e harrimit dhe për të ndriçuar më tej historinë tonë të lashtë.

Kjo nuk është një rrugë nostalgjie, por një rrugëtim drejt të vërtetës, drejt afirmimit të vlerave që na janë trashëguar nga breza që e mbrojtën këtë tokë me gjak dhe e skalitën me lavdi nëpër shekuj. Sot është rradha jonë, e brezit të dijes, e intelektualëve, e studiuesve dhe e njerëzve të përkushtuar që, në vend të armëve, mbajnë në dorë penën dhe argumentin, dokumentin dhe dëshminë, për të shërbyer me përulësi, por edhe me vendosmëri, ndaj kauzës së lartë të atdheut.

Në përpjekjet e mia modeste, nëpërmjet veprave të botuara dhe materialeve kërkimore të realizuara me përkushtim, nuk kam synuar të përmbush një ëndërr personale, por të kryej një obligim kombëtar dhe shpirtëror: të shërbej në radhët e atyre që me dijen dhe fjalën e tyre i japin zë asaj që nuk duhet harruar, që nuk duhet shtrembëruar, por që duhet afirmuar me dinjitet – historia jonë e vërtetë.

Le të jetë ky takim një pikë referimi për bashkimin tonë rreth një vizioni të përbashkët: të kërkojmë, të dokumentojmë dhe të afirmojmë identitetin tonë në bazë të së vërtetës shkencore dhe vlerave të trashëguara nga lashtësia.

Kam nderin të ndaj me ju disa të dhëna dhe reflektime, të cilat synojnë të hedhin dritë mbi të vërteta të rëndësishme që historia u detyrohet brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.

Në bazë të burimeve të raportuara mbi një shekull më parë, rezulton se popullsia e Iliridës — territor që sot përfshihet kryesisht në Maqedoninë e Veriut — përbëhej në rreth nëntëdhjetë për qind nga shqiptarët. Ky realitet demografik është dëshmi e fuqishme e rrënjëve të thella iliro-shqiptare në këto troje.

Dyndjet sllave në gadishullin ilirik nisën në shekullin e V-të, duke shënuar fillimin e një procesi të gjatë zhvendosjesh, asimilimesh dhe shtrembërimesh historike. Emërtimi “Maqedoni”, që sot ngatërrohet shpesh me identitete të tjera, u vendos për këtë krahinë në kohën e pushtimit nga Perandoria Bullgare, në mesin e dekadës së dytë të shekullit të VIII-të. Vetë Bullgaria, një krijesë gjeopolitike e stimuluar për të dobësuar kohezionin e identitetit ilir, u përdor si mjet për të shkatërruar trashëgiminë kulturore dhe etnike të këtij rajoni.

Ashtu si gjithë Iliria, që nga shekulli XV ra nën sundimin e Perandorisë Osmane, edhe Ilirida mbeti pjesë e kësaj perandorie deri në vitin 1912. Luftërat Ballkanike të viteve 1912–1913 vulosën një tjetër padrejtësi historike, duke përforcuar emërtimin “Maqedoni” dhe duke ndarë Iliridën midis tre shteteve: Serbisë (ish-Jugosllavisë), Greqisë dhe Bullgarisë.

Copëtimi i këtij territori historik ishte dhe mbetet i panevojshëm, për më tepër, i padrejtë.

Ilirida, që dikur ishte zemra e Dardanisë, përfshinte fushën e Virgjinas dhe një mal që sot, gabimisht dhe padrejtësisht, identifikohet si Olimpi, ndërkohë që origjina e emërtimit “Olimp” dhe përkatësia mitike nuk i përket atij mali.

Trevat e lashta të Pelagonisë, Lynkestis, Orestisë dhe Elemiotisë kanë qenë banuar nga popullsi me prejardhje të pastër pellazge. Ilirët dhe dardanët, që rreth vitit 500 p.e.s. kishin ndërtuar një shtet me struktura demokratike, bazuar në ligje dhe një asamble të përzgjedhur me votë nga të gjitha krahinat, shënuan një hap të jashtëzakonshëm përpara për kohën. Ata i dhanë fund traditës së sundimit të pakicave me autoritet të trashëguar dhe vendosën një formë përfaqësimi të bazuar në vullnetin e popullit.

Në të gjitha trevat ilire është folur një gjuhë e vetme, me dialekte të ndryshme, por me një bazë të përbashkët. Gjuha shqipe, në këtë kuptim, është vazhdimësia e gjuhës së Homerit, një gjuhë që besohet të jetë shkruar që në periudhën 4000–3500 p.e.s. Vetë filozofia pellazgo-ilire ishte struktura e parë e mendimit të lirë dhe të shtetit të së drejtës.

Dardania, si dhe e gjithë Shqipëria veriore, njihet për lashtësinë dhe pasurinë e saj gjuhësore dhe kulturore. Ajo shpesh është stigmatizuar për “strung pronunciation” (shqiptim të zhdërvjellët e të shpejtë), por në të vërtetë kjo reflekton gjallërinë dhe autenticitetin e gjuhës së saj.

Aleksandri i Madh, figurë e njohur universalisht, u lind dhe u rrit në një familje mbretërore me prejardhje ilire dhe sfond të pasur pellazg. Në formimin e tij mbretëror, leximi i Homerit nuk ishte thjesht një ushtrim kulturor, por një trashëgimi e gjallë e identitetit që ai mishëronte.

Herodoti, shpesh i quajtur “babai i historisë”, ka dhënë dëshmi që shumë studiues të sotëm i konsiderojnë të pasakta ose të manipuluara. Ai pretendonte se gjatë mbledhjes së të dhënave në Dardani nuk kishte gjetur gjurmë të mbretërive. Por si mund të besohet se një nga perandoritë më të mëdha të historisë,

Perandoria Ilire, nuk kishte ekzistuar?

Unë, personalisht, mbaj rezerva jo vetëm mbi vërtetësinë e pohimeve të tij, por edhe mbi ekzistencën e vetë figurës së tij si autor real dhe jo si produkt i mëvonshëm i shërbimeve ideologjike.

________________________________________

Në këtë qëndrim që ndava me ju, nuk ka vend për mitologji të reja apo glorifikime të kota, por për një përpjekje të sinqertë për të thënë të vërtetën, për të ndriçuar me burime, me fakte, dhe me vetëdije të pastër një histori që u përket të gjithëve.

Nga Halil Teodori

Dibra e Madhe, 3 qershor 2025

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular