Ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Plaurent Dervishaj janë përballur këtë të premte në sallën e gjyqit, për atentatin e ndodhur në Nëntor 2019, ku mbeti i plagosur Ndoja, Aleksandër Laho dhe ndërroi jetë shoferi i tij Andi Maloku.
Plaurent Dervishaj është një ndër eksponentët më të lartë të krimit në zonën Durrës-Shijak dhe akuzohet nga SPAK se ka gisht në atentatin ndaj Arjan Ndojës, kur ky i fundit ishte ende prokuror.
Të dy janë përballur në sallën e gjyqit, para prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të posaçëm, ku Plaurent Dervishaj, i njohur dhe si kunati i ish-kreut të bandës famëkeqe të Durrësit, Lul Berisha, nuk ka hezituar ta kërcënojë hapur.
Plaurent Dervishaj: I vetmi konflikt që ti ke pasur thua që ka qenë ai me dy politikanë. Sipas teje, nuk ka arsye, nuk njihemi, nuk kemi konflikte. A ke informacione ti, që unë kam dhënë porosinë për të të vrarë?
Arjan Ndoja: Kam dëgjuar shumë për ty, edhe nga shtypi. Por këto të dëgjuarat i marr me rezerva. Unë po të shoh në sy.
Plaurent Dervishaj: Në sy të shoh dhe unë.
Arjan Ndoja: E shoh, je trim ti.
Plarent Dervishaj: Ti kujton se po të kesh gisht ti tek atentati im, do të ta fal?
Arjan Ndoja: Cilin atentat?
Plaurent Dervishaj: Atentatin tim, ka ndodhur nja 4 muaj para teje.
Arjan Ndoja: Unë kam ardhur për atentatin tim, jo tëndin.