NGA HALIL RAMA
Romani “Kandidati për kandidat” i shkrimtarit, diplomatit dhe politologut të njohur, Arben Çejku, që u promovua të hënën në Akademinë e Shkencave, ka tingëllim aktual dhe vjen te lexuesi në koherencë me realitetin e trishtë, ku luhet mjeshtërisht teatri absurd i politikës shqiptare (me skenar të SHIP-it të Partisë, si qasje origjinale, që përshkon zhvillimin e ngjarjeve dhe lojën komike të personazheve). Si të tillë, nëse shkrimtarja Flutura Açka e vlerësoi si roman që shkon drejt kufijve të satirës politike dhe sociale, si një satirë të mirëfilltë, ish-deputetja dhe moderatorja e “Top Story”, Grida Duma, e pranishme në promovim, pasi ndau disa refleksione mbi natyrën njerëzore të protagonizmit (ndonëse pohoi se nuk e kishte lexuar) vlerësoi faktin se romani “Kandidati për kandidat” vjen në kohën e duhur, kur letërsia ka nevojë më shumë se kurrë të përballet me realitetin politik. Ndërsa për botuesen e “Mediaprint”, Elda Vela, ky roman është “një skanim i thellë i situatës së mjerë ku ndodhet sot shoqëria shqiptare dhe klasa e saj politike, si dhe një kambanë alarmi për një proces reflektimi personal dhe kolektiv”.
Kjo për faktin se personazhet e këtij romani janë ato që i takojmë në përditshmëri me emra të tjerë. Këtë e pohon edhe shkrimtari i mirënjohur Ahmet Prençi, si lexuesi i parë në dorëshkrim i këtij romani, sipas të cilit “personazhi kryesor i tij quhet thjeshtë Kandidati për kandidat, një qenie pa emër të vetin, që përfaqëson të gjithë ata individë që ndodhen në fazën e përhershme të pritjes, të provimit, miratimit nga Njëshi… Si i tillë, ky është një roman që i tejkalon kufijtë e satirës klasike dhe hyn në sektorin e një tragjikomedie politike”. Ky roman është risi për letërsinë bashkëkohore shqiptare edhe për shkrimtarin tashmë të njohur, Shefqet Meko, sepse sjell një tablo të munguar për lojën tinëzare politike që fshihet pas kuintave, duke hapur pak perden e zezë të intrigës.
RISIA DHE BEFASIA ME PERSONIFIKIMIN E PERSONAZHEVE…
Risi, por edhe befasi e këtij romani është sarkazma që përdor autori me spërdredhjen e emrave e mbiemrave të personazheve, si: Mimoza Lastari (e kudogjendur dhe që më në fund i dëshmon ish-dashnorit, kandidat për kandidat, kandidatin për bashkëshort); Qetësor Bubullima (i kompanisë së njohur “Shit&Shit”, që trazon ujërat e ndenjura dhe personifikon sipërmarrësit që synojnë uzurpimin e legjislativit për përfitime personale); Pajtim Karari që s’e lëshon karrigen e deputetit dhe që kur ndjehet i rrezikuar, shantazhon deri edhe kryeparin me letrën për pronat e dhuruara (ndërsa kryetari i pohon Gregut: “Paskemi mbajtur një gjarpër në gji, Greg! Sa më shumë t’i afrosh, aq më thellë të kafshojnë:); Puhiza Fresku (që aq bukur e përshkruan autori Çejku bukurinë e saj femërore, falë së cilës kap fronin e zëdhënëses), Lule Shqerra, Shpejtim Ngadalësimi, Qëndrim Fluturaku, Skifter Bufi, Trëndafile Ferra, Drejtim Kthesa, Fallxhore Fjolla Tymi, Breg Kodra-personazhi më sarkastik që luan edhe rolin e kryetarit të SHIP–it, (por ngaqë s’e kupton dot, detyron kryetarin Tomor Erzeni t’a shpjegojë titullin e librit, “Dialog në ferr-Makiaveli kundër Monteskiesë”, të shkruar nga Maurice Joly.
“Breg Kodra mund ta kishte dëgjuar disa herë emrin e Makiavelit, kur për dikë thuhej se ai ishte një ‘makiavelist’, që, sipas tij, i binte të ishte ‘njeri i zoti’, por dredharak. Këtë Monteskienë nuk e njihte fare si emër dhe, me një arsyetim sipërfaqësor, gjykoi se duhej të kishte qenë dikush që ia kishte nxirë jetën Makiavelit, prandaj ky e kishte pasur kundër”. (fq. 102). Mjaft bukur e përshkruan autori për kryeparin e partisë Tomorr Erzeni (i biri i Drino Erzenit) , si stërmbullari i kësaj katrahure; si dhe krisjen e marrëdhënieve të avokatit kandidat për kandidat me bashkëshorten (që ia kishte nuhatur erën e parfumit ‘Channel’ sa herë kthehej nga takimet që kishin zhvilluar me zgjedhësit bashkë me Puhiza Freskun), dhe kandidatin për kandidat, që edhe në lamtumirën e vjehrrit kërkon valët e celularit në pritje të thirrjes së munguar telefonike nga kryetari… etj., etj., personazhe që luajnë këndshëm këtë komedi me nota e tingëllim bashkëkohor…
SARKAZMA THERËSE…
Vetë forma kompozionale e veçantë me 7 episode sipas etapave të përzgjedhjes dhe finalizimit të listës përfundimtare të kandidatëve për deputete nga partia opozitare që synon mazhorancën e radhës, profilizimi brilant i personazheve dhe i zhvillimit të ngjarjeve, si dhe situatat komike që krijohen, e bëjnë këtë roman mjaft të pëlqyeshëm. Qasja drejt një realiteti të zymtë duket dhe në perifrazime të tilla të këtij romani si “Prapa krahëve të tij, jo rrallëherë dëgjonte të flisnin me zë të ulët për të, duke thënë si me qesëndi, si me ironi, si me djallëzi, si me keqardhje, si me kërshëri se, ‘është ai kandidati për kandidat’, ose ‘kandidon gjithmonë si kandidat’, ose ‘është kandidati për kandidat, më jetëgjati në lagjen tonë, apo ‘ka mbetur kandidat për kandidat’, si dhe ‘i mjafton të jetë kandidat për kandidat”(fq.11). Më tej do të veçoja përdorimin nga autori të sarkazmës therëse në portretizimin e avokatit, kur shkruan se “Kandidati për Kandidat nuk e dinte se çfarë ndodhte atje lart, në strukturat drejtuese të partisë dhe nuk mund ta dinte se vetë mikja e tij e dikurshme, shefe Moza dhe deputet Karari, po fërkonin brirët me njëri-tjetrin prapa skenës… Ai vazhdonte të zhvillonte takime të shumta dhe e ndiente se njerëzit po e besonin dhe po e mirëprisnin, ndonëse sytë i kishin më shumë te Puhiza Fresku, që, për hir të së vërtetës, edhe atij kishte nisur t’i pëlqente. ‘Pra, këta sytë i kanë te Puhiza dhe mendjen tek avokati! – i tha vetes me humor një ditë”.
PORTRETIZIME BRILANTE
Risi tjetër e këtij romani janë portretizimet brilante. Ja si shkruan ai për sekretaren e partisë së zonës, Mimoza Lastari: “Udhëheqja e partisë, duke e konsideruar Mimozën si ‘vajzën e vet’ ose si ‘gocën e shtëpisë’, nuk e vlerësonte si prurje të re, por si një veterane të partisë, e cila thirrej vazhdimisht kur duheshin kryer ‘aksione në terren’ dhe gjithnjë e më rrallë ‘për konsultime’ në zyrat e shefave kryesorë. Figura të reja politike apo ‘Mimoza të reja’ çelnin gjithnjë në kopshtin e madh të partisë, kësisoj udhëheqja i caktonte vendin e merituar gjithsecilit, nuk mbahej në prehrin e saj vetëm një mimozë, por ajo duhej ndërruar, me qëllim që freskia dhe bukuria të shkonin bashkë”.(fq.17). Rresht pas rreshti, paragraf pas paragrafi, faqe pas faqeje e episod pas episodi të këtij romani zbulohet mjeshtëria e Arben Çejkut në portretizimin e personazheve. Kështu, nëse Trëndafile Ferra përshkruhet si “mesogrua shtatlartë, me flokë të drejtë të kapur me karficë prapa” (fq.43), Puhiza Fresku i prezantohet lexuesit si një figurë e njohur publike, një gazetare dhe moderatore e suksesshme televizive, e cila u jep freski e bukuri shtëpive tona sa herë që e shohim. Këtu spikat arti i përshkrimit brilant të bukurisë femërore për të cilin mjafton të perifrazojmë se: “Jashtë ekranit (Puhiza) dukej edhe më e bukur, edhe më e ngrohtë, sidomos me mënyrën e të folurit. Flokët e gjatë në ngjyrë vjeshte shtriheshin pas supeve si një ujëvarë e madhe, ndërsa ana e majtë e fytyrës, bashkë me veshin mbuloheshin nga një degëzim jo fort i trashë i asaj ujëvare të madhe, zbriste teposhtë gjoksit të fryrë dhe mbetej pezull diku në lartësinë e kërthizës. Fytyrën e bardhë dhe paksa të vogël ia gjallëronin dy sy pranverorë, që i lëvizte gjithë delikatesë sa në njërën anë, në tjetrën dhe kur të shihte drejt, një strabizëm shumë i lehtë e bënte pamjen e saj të magjishme dhe të parezistueshme. Veshur me një fustan të lehtë veror me nuanca gurkali, shtrirë deri në majat e gjunjëve, dukej shumë më e gjatë sesa në ekran, ku zakonisht qëndronte ulur” (fq.160).
“KANDIDATI PËR KANDIDAT”, FRYT I PËRVOJAVE PERSONALE TË AUTORIT ÇEJKU DHE MIQVE TË TIJ
Vetë autori Çejku pohon se “Kandidati për Kandidat” është fryt i përvojave personale dhe rrëfimeve të miqve me të cilët ka ndarë tri dekada të jetës politike shqiptare. Kjo për faktin se sipas tij, “partitë sot janë kthyer në bunkerë ku individi dhe integriteti i tij nuk kanë më vlerë”. Këtu konsiston edhe teatri absurd i politikës së sotme shqiptare… Kjo duket se e ka shtyrë atë të shkruajë këtë roman që përmes satirës, sarkazmës dhe humorit të zi kritikon një realitet të deformuar. Dhe ka të drejtë autori Çejku i këtij romani, kur konkludon se, “Kush e ndan moralin nga politika, nuk e kupton politikën. Në Shqipëri, politika është urryer pikërisht për këtë arsye, sepse është menduar se ajo është e shkëputur nga morali. Këto dy gjëra janë të pandashme, madje morali në politikë është domosdoshmëri. Sepse në stadin aktual ku ndodhet Shqipëria, politika ka nevojë për më shumë moral”. Çejku e cilësoi gjithashtu romanin edhe si një homazh për mikun e ndjerë, Sokol Olldashi, por dhe si akt ndërgjegjësimi për çështjen e deputetit të burgosur politik, Ervin Salianji. Pasi ta kenë lexuar, besoj se gjithkush do të argëtohej këndshëm me këtë roman, me gjuhë mjaft të pasur e mjete shprehëse interesante. Arben Çejku vjen para lexuesve me romanin “Kandidati për Kandidat” pas një eksperience të gjatë në media, në diplomaci dhe në Shoqërinë civile si drejtues i ACGG (Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë). Vëllimi poetik “Floknaja e muzgut” (1996), eseja politike “Demokracia e imponuar” (2000), Romani “Dymbëdhjetë” (2013) dhe analiza diplomatike “Sovraniteti versus Integriteti” (2020) janë disa nga botimet e autorit, pa përfshirë këtu ciklet poetike të botuara ndër vite në shtypin e kohës.
* “Mjeshtër i Madh”