Policia ekuadoriane ka arrestuar sërish njeriun më të kërkuar në vend, baronin e drogës Adolfo Macías Villamar, i njohur me nofkën “Fito”, udhëheqës i bandës famëkeqe Los Choneros.
Operacioni i përbashkët mes policisë dhe ushtrisë, i cili zgjati rreth 10 orë, u zhvillua në qytetin bregdetar të Manta, ku Fito u lokalizua në një bunker të ndërtuar nën një vilë luksoze në lagjen Monterrey. Autoritetet konfirmuan se gjatë ndërhyrjes nuk pati të shtëna armësh.
Sipas policisë, brenda shtëpisë me tre kate ndodhej një derë e fshehur e maskuar si pjesë e dyshemesë prej guri, e cila të çonte me shkallë metalike në strehimin e nëndheshëm. Bunkeri ishte pajisur me ajër të kondicionuar, një krevat, ventilator dhe frigorifer, ndërsa pjesa e sipërme e shtëpisë kishte një palestër dhe dhomë lojërash me bilardo.
Fito nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit dhe u transferua me helikopter drejt qytetit të Guayaquil, ku ndodhen disa nga burgjet më të sigurta të Ekuadorit. Pamjet nga momenti i mbërritjes së tij e tregojnë të veshur me pantallona të shkurtra, bluzë dhe shapka, i shoqëruar nga trupa të armatosura deri te një automjet i blinduar.
Adolfo Macías është konsideruar përgjegjës për shumë prej trazirave kriminale që kanë përfshirë Ekuadorin vitet e fundit. Ai është gjithashtu i dyshuar si organizator i vrasjes së kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023.