“Një makinë e prishur në semafor që ndalon qarkullimin” – Kështu e përshkruan analisti Fitim Zekthi, Partinë Demokratike të pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Në një intervistë për TemA, Zekthi analizon zhvillimet brenda PD-së, duke theksuar ndër të tjera se Partia Demokratike ka devijuar thellësisht nga vlerat që pretendoi të mishëronte në fillesat e saj. Sipas tij, PD sot është e mbërthyer nga një frymë konspiracioniste që pasqyron një krizë të thellë identitare dhe intelektuale.
Goditja fatale e partisë, sipas Zekthit, ndodhi në periudhën 2008–2009, me ndryshimet kushtetuese, por edhe alencën me LSI-në e Ilir Metës. Ai e cilëson si degradim institucional dhe korruptim të elitave, faktorë të cilët sipas tij, e deformuan misionin fillestar të PD-së.
Ai analizon rrugën përmes së cilës PD përfundoi në këtë krizë, duke e përcaktuar atë si rezultat të një procesi të gjatë, ku një elitë e pandryshuar me mendësi bolshevike, e trashëguar që nga fillesat e pluralizmit, mbeti në drejtim të partisë, pa reflektim apo ndryshim të brendshëm.
Momenti i “non-gratës” për Sali Berishën, sipas Zekthit, nuk solli ndarje për arsye morale apo ideologjike, por zbuloi betejën e fshehtë mes dy kampeve brenda po së njëjtës elitë të kalbur.
Historia e përplasjes me leva dhe tulla brenda PD-së, që ai e quan qesharake dhe të pashembullt edhe për vende si Burkina Faso, tregon degradimin e skajshëm të kulturës politike shqiptare. PD nuk është më e refuzuar nga shoqëria vetëm për shkak të individëve, por për shkak të tre tipareve që e bëjnë të papranueshme: mbyllja ndaj alternativave të reja, mospranimi i përgjegjësisë për të shkuarën dhe bashkëjetesa me një pushtet ekonomik e mediatik të përbashkët me rivalët e saj nominalë.
Në këtë realitet, media, krimi i organizuar dhe shoqëria civile shfaqen jo si faktorë kontrolli apo korrigjues, por si bashkëaktorë të kësaj marrëveshjeje të heshtur pushteti. Zekthi ngre pyetje serioze mbi rolin e intelektualëve dhe mbi arsyet pse një aleancë kaq e korruptuar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës është pranuar gjerësisht si “normalitet politik”.
Ai e përfundon me paralelen tronditëse: në asnjë vend të botës nuk ka një lider si Berisha me një karrierë kaq të gjatë e autoritare, përveç Kamerunit dhe Eritresë — një krahasim që fton për reflektim të thellë mbi mungesën e përballjes me të vërtetën që prej lindjes së PD-së.