Ndërsa ekipi kombëtar i futbollit për meshkuj i Kinës nuk ka ngjallur shumë entuziazëm vitet e fundit, skuadrat e robotëve humanoidë kanë fituar zemrat e tifozëve në Pekin, jo për aftësitë atletike, por për teknologjinë e avancuar të inteligjencës artificiale që përdorin.

Katër skuadra robotësh humanoidë u përballën në ndeshje 3 kundër 3, plotësisht autonome dhe të drejtuara nga inteligjenca artificiale, të zhvilluara të shtunën në mbrëmje në kryeqytetin kinez. Ky event u promovua si i pari i këtij lloji në Kinë dhe si një paralajmërim për Lojërat Botërore të Robotëve Humanoidë që do të mbahen së shpejti në Pekin.
Organizatorët theksuan se pika kyçe e ndeshjes ishte autonomia totale e robotëve, të cilët funksionuan pa asnjë ndërhyrje apo mbikëqyrje njerëzore, duke zbatuar strategji të bazuara plotësisht në AI.
Të pajisur me sensorë vizualë të avancuar, robotët ishin në gjendje të identifikonin topin dhe të lëviznin me shkathtësi në fushë.
Ata ishin gjithashtu të dizajnuar për të ngritur veten pas rënies, megjithatë gjatë ndeshjes disa prej tyre duhej të largoheshin nga fusha në barelë nga stafi, gjë që i shtoi një dozë realizmi gjithë përvojës.