HomeKryesorePensionet me Italinë/Marrëveshja hyri në fuqi dje, më 1 korrik, përfitojnë mbi...

Pensionet me Italinë/Marrëveshja hyri në fuqi dje, më 1 korrik, përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë. Rama: Lehtësi e madhe për mijëra qytetarë nga dy shtetet

spot_img

Nga kjo e martë e 1 korrikut, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës mes Shqipërisë dhe Italisë ka hyrë zyrtarisht në fuqi, duke sjellë një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet.

Individët që plotësojnë kriteret për përfitim pensioni mund të aplikojnë pranë zyrave të sigurimeve shoqërore në të dy vendet, ose online në portalin zyrtar e-Albania. Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri ka bërë të ditur më herët se janë marrë masa për të përballuar një numër të madh aplikimesh, që sipas parashikimeve, pritet të kalojnë mbi 500 në ditë.

Një nga risitë më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje është bashkimi i viteve të punës. Pra, për të gjithë ata që nuk i plotësojnë individualisht kushtet minimale për pensionim në njërin nga vendet, 20 vite në Itali dhe 15 vite në Shqipëri, ekziston tani mundësia që vitet e kontributeve të mbledhura në të dy vendet të merren në konsideratë si një total i vetëm. Kjo do të thotë se edhe ata që deri më sot nuk kishin të drejtë për pension për shkak të viteve të pamjaftueshme, tashmë mund të përfitojnë.

Sipas autoriteteve italiane, kostoja për mbulimin e pensioneve për shqiptarët që do të përfitojnë në Itali gjatë vitit 2025 llogaritet rreth 51.6 milionë euro, ndërsa deri në vitin 2032 kjo shifër pritet të arrijë deri në 270 milionë euro.

Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, që kanë jetuar dhe punuar në të dy vendet ndër vite.

Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar se ka nisur nga dita e sotme, 1 korrik 2025, zbatimi i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet.

Kreu i qeverisë shprehet se kjo marrëveshje do të sjellë një lehtësi të madhe të mijëra qytetarëve shqiptarë, po edhe të mijëra italianëve që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pensioni jashtë atdheut.

“Nderim dhe respekt për mundin e kontributin e tyre”, shkruan Rama.

Postimi i Ramës

Nga sot nisi zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore, duke sjellë një lehtësi të madhe të mijëra qytetarëve shqiptarë, po edhe të mijëra italianëve që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pensioni jashtë atdheut😍

Nderim dhe respekt për mundin e kontributin e tyre🙏

UDHËZUESI

Nuk ka më dyshime, konfuzion apo pritje pafund për të kuptuar si funksionojnë pensionet. Udhëzuesi zyrtar i publikuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore i Shqipërisë hedh dritë mbi të gjitha procedurat, rregullat dhe përfitimet që shqiptarët mund të marrin falë kësaj marrëveshjeje historike. Për herë të parë, kontributet e paguara në Shqipëri dhe Itali njihen reciprokisht. Nëse një shqiptar ka punuar disa vite në Itali dhe disa në Shqipëri nuk i humb vitet e sigurimit. Përkundrazi, ato bashkohen dhe llogariten për të siguruar të drejtën e pensionit, qofshin pension pleqërie, invaliditeti apo pension familjar. E njëjta logjikë zbatohet edhe për përfitime të tjera, si pagesa e papunësisë apo ndihma për barrëlindje.

Përfitimi i madh është që pensionet nuk varen më nga vendbanimi. Mund të jetosh në Itali, Shqipëri apo në një vend tjetër, përfitimi vjen në llogarinë tënde, si për çdo qytetar tjetër. Nuk ka rëndësi kombësia, por fakti që ke kontribuar në një nga dy sistemet e sigurimeve. Lajm pozitiv është edhe për ata që transferohen përkohësisht për punë. Punonjësit apo të vetëpunësuarit që shkojnë përkohësisht në Itali apo anasjellas, nuk do të paguajnë dy herë kontribute. Mjafton të pajisen me një certifikatë të posaçme mbulimi që vërteton se janë ende pjesë e skemës së vendit të origjinës.

Procedurat janë të thjeshtuara. Nëse je në Shqipëri dhe do të aplikosh për pension italian, nuk ke pse të udhëtosh. Një kërkesë e vetme, e dorëzuar pranë ISSH-së ose e bërë “online” është e mjaftueshme që autoritetet shqiptare dhe ato italiane të bashkëpunojnë për të verifikuar periudhat e sigurimit dhe për të llogaritur përfitimin tënd. Nëse je në Itali, INPS merret me dokumentacionin dhe, nëse ke vite sigurimi në Shqipëri, ato do të merren parasysh. Bashkimi i periudhave të sigurimit është një nga shtyllat kryesore të kësaj marrëveshjeje.

RASTE TË VEÇANTA

Udhëzuesi përmban edhe mënyrën se si trajtohen raste të veçanta. Kështu, nëse ke më pak se një vit sigurim në një nga dy shtetet, kjo periudhë nuk të jep të drejtë më vete për pension, por mund të bashkohet me periudhat e vendit tjetër për të plotësuar kushtet minimale. Profesione të veçanta, si për shembull minatorët, përfitojnë nëse kanë punuar në të njëjtin profesion në të dyja vendet.

Ndërsa për përfitimet e papunësisë, nëse një person që merr papunësi në Shqipëri, shkon përkohësisht në Itali për të kërkuar punë, e drejta e papunësisë nuk humbet për periudha deri në tre muaj. Dokumentacioni është gjithashtu më i thjeshtuar. Nuk kërkohen më përkthime, legalizime apo noterizime për dokumentet e nevojshme – institucionet e secilit vend i njohin zyrtarisht dokumentet e njëritjetrit. Një tjetër lehtësi është koha e trajtimit të kërkesave.

Procesi administrativ pritet të zgjasë maksimumi dy muaj nga momenti kur kërkesa dorëzohet dhe verifikimi i periudhave mbyllet. Ky është hapi më i madh institucional në funksion të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve emigrantë në Itali. Marrëveshja është jo vetëm një zgjidhje konkrete për të mos humbur kontributet e viteve të punës, por edhe një siguri më shumë për të ardhmen e çdo familjeje shqiptare që ka ndërtuar jetën mes Shqipërisë dhe Italisë.

KUSHTET TË PËRFITUAR PENSION ITALIAN

a) Për personat me periudha kontributive para 1 janarit 1996:
-42 vjet e 10 muaj kontribute (2,227 javë) për burrat.
-41 vjet e 10 muaj kontribute (2,175 javë) për gratë. Këto kërkesa janë në fuqi deri më 31 dhjetor 2026. Kërkohen gjithashtu të paktën 35 vjet kontribute të vlefshme për llogaritje, duke përjashtuar periudhat e sëmundjes, papunësisë dhe shërbimeve të ngjashme.

b) Për personat me kontribute pas 1 janarit 1996
(sistemi kontributiv i pastër):
-Mund të kenë të njëjtat kërkesa kontributive si më sipër (41 vjet e 10 muaj për gratë, 42 vjet e 10 muaj për burrat), por pa përfshirë kontributet vullnetare.
-Për periudhat e punës para moshës 18 vjeç, kontributi shumëzohet me 1.5. KUSHTET PËR TË PËRFITUAR PENSION SHQIPTAR
-Të kenë një periudhë minimale sigurimi, jo më pak se 15 vite në të dyja vendet.
-Të kenë arritur moshën e përcaktuar me ligj për përfitimin e pensionit të pleqërisë, si më poshtë:

1. Mosha e daljes në pension për burrat: -Deri në vitin 2032: 65 vjeç.
-Nga viti 2032 deri në vitin 2056: mosha e daljes në pension rritet me 1 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç. 2. Mosha e daljes në pension për gratë:
-Nga viti 2015: mosha rritet me 2 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç në vitin 2056.
-Në vitin 2025: mosha e daljes në pension për gratë është 61 vjeç e 10 muaj.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular