Ka përfunduar rinumërimi i votave në Qarkun e Fierit, ku nga ky proces pati një ndryshim sa i përket shpërndarjes së mandateve brenda Partisë Socialiste.
Nga ky rinumërim ka humbur mandatin Zegjine Çaushi, kandidatja që u bë virale në rrjetet sociale për shkak të “përplasjes” me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mandat të cilin e morri Maldrita Bardhi me 10 vota diferencë.
Lidhur me rinumërimin, anëtari i KAS, Ledio Braho, u shpreh se ky proces i shërbeu transparencës dhe demokracisë.
“Në qarkun e Fierit rezultoi të kishte lëvizje masive votash mes kandidatëve dhe jo subjekteve zgjedhore dhe mendoj se kjo i shërben transparencës, i shërben edhe drejtësisë sepse besoj se do të merren masat e duhura që tjetërsim të tilla të qindra votave të mos ndodhin më në zgjedhje të tjera. Si rokada që ndodhi brenda PS po ashtu edhe shifrat që u prodhuan edhe aty ku nuk pati rokadë i shërben transparencës, demokracisë dhe pasqyrimit të vullnetit të qartë të zgjedhësve. Kështu që për kaq kohë sa arritëm të bënim transaprencë unë besoj që ky proces ja vlejti”, u shpreh Ledio Braho.https://www.youtube.com/embed/EFY91m5hwfs?si=L3qaw1Q87Wsymptq
Ndër të tjera Braho në fjalën për mediat, theksoi se rezultatet nga rinumërimi në Fier janë një indicie e mjaftueshme që Prokuroria e Fierit të nis hetim për trafikim të votave.
“Tani prokuroria nuk besoj që nuk është në dijeni se edhe ata ndjekin lajme siç ndjekin të gjithë shqiptarët, por unë e diskutova sot edhe me kolegët që ne kur të marrim vendimin do të mbajmë edhe një qëndrim lidhur me faktin se si do të procedojmë, por në çdo rast unë do ja çoj prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm në Fier vendimin me tabelën e ndryshuar bashkë me procesverbalet ku pasqyrohen diferencat dhe besoj se kjo është indicie e mjaftueshme që Prokuroria e Fierit të nis hetimin për trafikimin e votave”, theksoi Braho.
Ndërkohë nga procesi i rinumërimit u zbulua që Çaushi pas rinumërimit rezultoi se kishte 48 vota të pamerituara, pra në total 4026 vota. Bashkëngjitur edhe votat e diasporës, 600 të tilla, numri total shkoi në 4626 vota për të.
Por nga ana tjetër, Maldrita Bardhit i ishin hequr padrejtësisht 26 vota. Nga kutitë e hapura rezultoi se kishte 3616 vota në total. Ato që i hapën “derën e fitores” ishin 1020 votat e diasporës. Në total për Bardhon u bënë 4636 vota, pra 10 më shumë se Çaushi, por mjaftueshëm për t’i marrë mandatin.