Shqipëria renditet e treta në Evropë nga EFEHR (The European Facilities for Earthquake Hazard and Risk), për rrezikun nga tërmetet. Megjithëse vendi ynë është gjithashtu shumë i rrezikuar nga zjarret në natyrë, sidomos gjatë valëve të të nxehtit, sërish sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore mbetet në nivele të ulëta.
Sipas Sekretares së Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Mimoza Hajdarmataj, vetëm 3% e pronave në Shqipëri janë të siguruara.
“Shqipëria, fatkeqësisht renditet e fundit për nga niveli i përthithjes apo shkallës së penetrimit të sigurimeve vullnetare, siç është edhe sigurimi i pronës. Themi që shqiptarët janë akoma të pandërgjegjësuar ose i mungon një kulturë sigurimi. Duke u ndodhur përballë këtyre ngjarjeve, ka dy gjëra për të cilat duhet marrë vendim: do të rrimë të presim t’i bëhemi barrë shtetit, financave të buxhetit të shtetit për të pritur se kur na vjen rradha për të marrë një dëmshpërblim ose kur mund të krijohet mundësia për të rikuperuar humbjet, apo të kemi një sigurim, një kontratë sigurimi e cila në jep një garanci.”
Vetëm 3% e pronave në Shqipëri janë të siguruara dhe mund të them dhe që një pjesë e tyre janë të siguruara me detyrim, për shkak të kredive që qytetarët kanë marrë për të patur një apartament, një pronë të tyre.”
Edhe pas tërmetit të vitit 2019, ndërgjegjësimi i shqiptarëve për të siguruar pronën e tyre ishte i përkohshëm, ku vitet e fundit ka pasur një rënie të konsiderueshme të primeve.
“Kishte një lloj ndërgjegjësimi të momentit, por fatkeqësisht nuk zgjati shumë, pra siç duket ne harrojmë. Kemi një kulturë harrese, harrojmë shumë shpejt, sepse vetëm vitin e parë menjëherë pas 2019 apo dhe pak në 2021, kishte një rritje të lehtë të kontratave për sigurimin e pronës, por edhe kjo nuk zgjati shumë.
Nuk qëndron as argumenti i problemeve ekonomike për të përballuar një prim të caktuar, sepse primi për të mbrojtur një pronë, një hyrje, një apartament, një banesë, që kushton 100 mijë euro është vetëm 1 euro për metër katror.”
Gjatë vitit të kaluar, një shqiptar ka shpenzuar mesatarisht vetëm 92 euro për sigurime në përgjithësi.