Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka mbajtur sot fjalimin e tij të fundit në Kuvend, pasi me seancën e sotme plenare jo vetëm mbyll këtë legjislaturë, por ai nuk do jetë më në Kuvend pasi nuk u fut në listat e partisë së tij në zgjedhjet e 11 majit.
Sula tha se ndihet krenar me veten që po del nga Kuvendi jo si një hipokrit, servil apo lëpirës.
“Duke qenë se unë dhe shumë kolegë të mi të opozitës, edhe disa të tjerë këtej nga mazhoranca, nuk do të jemi në katër vitet e tjera, unë do të doja, që ta mbyllja fjalën e fundit në këtë Parlament, ku kam 20 vite që hyra në këtë parlament, u shkëputa nga sistemi i drejtësisë dhe me vota të drejtpërdrejta në sistemin maxhoritar u futa për herë të parë në Parlament. Bëra një betim të cilin jam përpjekur të mos e shkel kurrë dhe nuk kam për ta shkelur as në vijim.
Si Dash Sula individ i përkas babës, nënës, bashkëshortes dhe fëmijëve të mi. Si Dash Sula politikan i përkas të gjithë shqiptarëve, por më shumë mirënjohje qytetarëve të Peqinit, të Belshit, të Cërrikut, Gramshit dhe të gjithë qarkut të Elbasanit. Unë i ulem në gjunjë dhe i falenderoj pa masë qytetarët që në 2021-shin më votuan që t’i përfaqësoj dhe të ngre në këtë sallë zërin dhe problemet e tyre. Kjo është seanca e fundit për këtë legjislaturë, praktikisht seanca ime e fundit për 4 vitet e ardhshme. Kur shoh pas 4 vitet që kemi kaluar, unë ndihem krenar dhe modestisht them se po dal nga ky Parlament jo si një hipokrit, jo si një servil apo një lëpirës”- tha Sula.
Deputeti demokrat u shpreh se çdo ditë të këtij mandati është përpjekur t’ja kushtojë atyre që e votuan duke denoncuar çdo ditë problemet e tyre, për mungesën e infrastrukturës në bashkinë e Peqinit, denoncimet për abuzimet në fushën e grumbullimit të plehrave në Elbasan, mungesën e subvencioneve në Bujqësi, zbrazjen e fshatrave, zhdukjen e produktit “made in Albania”, kontrabandën e naftës, apo kodin zgjedhor, edhe atëhere kur kishte heshtje nga opozita.
“Kam denoncuar me forcë dhe i vetëm në gjithë këtë Parlament kontrabandën e naftës, se numri i automjeteve në këtë Parlament në vitin 2013 ishte dyfishuar, ndërsa importi i naftës ishte ulur, në një kohë kur Shqipëria nuk nxjerr asnjë litër naftë. Në një kohë kur pjesa më e madhe e opozitës heshtte. Për gjithë sa më sipër kam patur shifra konkrete, fakte dhe dokumente zyrtare, kjo më ka ndihmuar se ndonëse një deputet ‘katunar’ të tërheq vëmendjen dhe të kem besimin e shqiptarëve nga çdo cep dhe të më vlerësojnë”-tha Sula, duke shtuar se në asnjë moment nuk është udhëhequr nga ideja të bëjë zhurmë, por të jetë zëri i qytetarëve dhe të zgjidhen problemet e tyre.
U zotua që aktivizmi i tij politik nuk do mbyllet me kaq. Në fund, Sula falenderoi gazetarët që sipas tij kanë qenë zëri dhe dritarja e vetme e së vërtetës, pa të cilët politika do ishte në një errësirë shumë të thellë, ku qytetarët s’do mund të depërtonin.