Nga Ardi Stefa
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) raportoi një pjesëmarrje prej 42.21% të votuesve me të drejtë vote në rang vendi në zgjedhjet e 11 majit.
IFES Election Guide (burim ndërkombëtar) raportoi një pjesëmarrje kombëtare prej 46% electionguide.org.
IPU Parline tregon se prej 3,713,897 votuesish të regjistruar, 1,664,873 kanë votuar, që korrespondon me një pjesëmarrje prej 44.8% electionguide.org+2data.ipu.org+2es.wikipedia.org+2.
Menjëherë pas zgjedhjeve u derdh shumë bojë në letër, u thane me mijëra fjalë e u shkruajtën miliona gërma për të interpretuar faktin se pse shqiptarët nuk votuan në zgjedhjet për zgjedhjen e Kuvendit të ri.
Për këtë arsye, një muaj pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve u zhvillua një sondazh me dy pyetje.
Pyetja e parë ishte nëse votuan apo jo.
Dhe pyetja e dytë u drejtohej personave që nuk votuan se cilat ishin arsyet e mosvotimit dhe t’i listonin ato.
Kësaj pyetjeje iu përgjigjën:
50.7% se nuk shkuan për arsye praktike (shëndeti, puna, distanca, pengesa të tjera, etj, etj.)
27.1% u përgjigjën se donin që me mosvotimin e tyre të përcillnin një mesazh politikës dhe përfaqësuesve të saj, sidomos qeverisë.
18.2% nuk votuan, sepse nuk e gjenin veten të përfaqësuar nga asnjë parti.
Pjesa tjetër e të pyeturve refuzoi të tregonte ndonjë arsye.
Këto përgjigje, po t’i analizosh hollë- hollë duket se i japin shpjegim “misterit” të mosvotimit të shqiptarëve dhe duket se analistëve u vënë syzet dhe i bëjnë të reformojnë krejtësisht analizat e tyre dhe të shohin më qartazi se si ka avoluuar shoqëria shqiptare.
Pak më shumë se gjysma, pra, nuk shkuan përpara kutive të votimit pasi nuk i konsiderojnë zgjedhjet në Shqipëri proces serioz. Dhe, meqënëse nuk kanë ndonjë shpresë apo iluzion se vota e tyre ka vlerë apo do të ndryshojë ndonjë gjë, aq më tepër do të rrëzojë qeverinë, preferuan të rrinë në shtëpi, të pinë kafe apo të shkojnë në plazh, (pavarësisht se mund të deklaronin sëmundje, punë apo distancë të largët nga vendi ku votojnë.)
Lere që qeveria as nuk do të binte. Votuesit nuk janë budallenj të mos ta kuptojnë.
Iku përralla e parë.
Analistët gjetën një arsye tjetër të pjesëmarrjes së ulët në votime. Përçarjen e opozitës dhe ndarjen e saj në 7 apo 8 parti, të cilat po të ishin të bashkuara do të rrëzonin qeverinë, që nuk e rrëzojnë dot votuesit me votën e tyre.
Po përse të bashkohej opozita? E panjohur!
Nën drejtimin e kujt të bashkohej opozita? Mbi ç’baza ideologjike, me ç’program?
Si mund të bashkohej opozita, pavarësisht se pjesa më e madhe e votuesve të saj donin një opozitë të bashkuar dhe bashkëpunim, por opozitën të bashkuar realisht nuk e donin liderët e partive opozitare, të cilët flisnin për bashkim, por minonin çdo tentativë bashkimi me gjuhën përjashtuese e veprimet kundër?
Ja ku ra edhe përralla e dytë, madje ishte tre metra offside.
Përralla e tretë ende nuk po qarkullon, por me siguri do të flitet gjatë muajve të verës, që të kemi me çfarë të merremi.
Si ajo që “politika nuk është matematikë elektorale!”
Por audiencat janë organizma të gjallë. Ato nuk mblidhen, as nuk shumëzohen, thjesht sepse disa mashtrues vendosin se diçka është në interesin e tyre.
Për më tepër, përçarja e opozitës, mungesa reale e dëshirës së drejtuesve të saj për t’u bashkuar dhe mënyra e formulimit të listave ishin një paralajmërim i mjaftueshëm se një “front i mundur” pavarësisht retorikës nuk do të ketë fat më të mirë e të ndryshëm. Aq sa shpesh herë mendoj se nuk u intereson realisht të vijnë në pushtet, sepse nuk u intereson as edhe Shqipëria.
A nuk është qeveria e gërryer nga skandalet, korrupsioni dhe mosmbajtja e premtimeve? Padyshim! Është në logjikën e gjërave që pas 12 vitesh qeverisjeje të kishte më shumë gabime. Dhe i takonte opozitës ta shfrytëzonte këtë.
Sigurisht jo me budallallëqe dhe marrëzira. Por me një diskurs opozitar serioz, bindës dhe të matur që, me kalimin e kohës, do të nxjerrte në pah një alternativë tjetër qeveritare.
Sepse ndryshe nga partia në pushtet e cila llogarit me laps e letër çdo gjë, opozita nuk e bazon te llogaritë realiste, por tek “ngritja e frymës”, të cilën ka vite që dështon ta krijojë, te retorika agresive dhe riciklimi i përjetshëm i figurave të stërkonsumuara.
Dhe kur vjen koha e zgjedhjeve, kutitë e votimit do të nxjerrin se kush do të qeverisë.
Kështu funksionon demokracia. As “matematika zgjedhore” dhe as “aritmetika e partisë” nuk janë të nevojshme.