Shifrat që prodhuan zgjedhjet e 11 majit në parlament, për akademikun Artan Fuga do ta degradojnë më tej qeverisjen në Shqipëri.
Në një intervistë për ÇdoKënd me Merita Haklajn, Fuga u shpreh se qeveria tashmë ka dalë jashtë kontrollit dhe është e paatakueshme, teksa për opozitën tha se nuk është më një fenomen politik.
“Për mua, opozita në parlament, e kam fjalën për PD, nuk është fenomen politik. Sot në ato numra që parashikohen të jenë të PD rreth 50, nuk është më fenomen politik. Dhe të mendosh që për 4 vjet të vazhdosh në këtë mënyrë, që nga ana tjetër krijon një problem të dytë që me këtë mënyrë që kemi ne të qeverisë, e bën atë të paatakueshme. Tjetër që mund ta atakojë qeverinë është shoqëria civile. Por ne nuk kemi pasi kemi një shoqëri nomade. Forcat me vitalitet kërkojnë të largohen.
Mundësia e tretë është që ta kritikojë vetë grupi i PS, por kjo na kthen në vitet 90. Qeverisja ka dalë jashtë kontrollit. Administrata nuk ndjen presionin e ligjvënësit, politikës, të një qeverie që e ndodhur në presion do ta hedh ndaj administratës. Me këto numra sistemi i qeverisjes do të degradojë më shumë.
Unë e kam quajtur një shoqëri autokratike. Po a është kjo një autokraci me mbështetje popullore? Po. Kjo është një ndër format më të rënda. Maja e piramidës që merr vendimi, ku nuk ka ndarje pushtetesh. Edhe mediat. Këta njerëz që votojnë për këtë pushtet, thonë patjetër që e mbështes. Këta njerëz po t’i pyesësh janë të pakënaqur me qeverisjen, ai e shef si sillet një burokrat me të. E shef që me mik merren vendet e punës. Ata që bëjnë sondazhe para zgjedhjeve thonë që ka pakënaqësi të madhe”, tha mes të tjerash Fuga në A2 CNN.