Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ditën e sotme, 8 korrik, është liruar nga burgu pas gati 10 muajsh në qeli. Salianji ka lënë ambientet e qelisë së Fierit, pasi fitoi lirinë me kusht, nga ku pati një fjalë për mediat.
Demokrati u shpreh se burgosja e tij është bërë për t’a shmangur atë nga beteja zgjedhore, teksa shtoi se betejën e tij do ta vijojë në Strasburg. Salianji theksoi se ditët në burg janë një burim frymëzimi për mijëra demokratë që do të rezistojnë për të rrëzuar një qeveri të inkriminuar.
“Më shumë se 10 muaj në burg për arsye politike dhe sepse kam çuar para drejtësisë një trafikant droge. Dënim për të më shmangur nga beteja zgjedhore dhe është fitorja që kam pasur në çdo zonë që kam mbuluar PD. Ditët e mia këtu janë një burim frymëzimi për mijëra demokratë që do të rezistojnë për të rrëzuar një qeveri që është kokë e këmbë e inkriminuar. Unë do të shkoj që të falenderoj një zonë zgjedhore në një fshat të Fierit, ku ka fituar PD për t’i falenderuar për rezistencën. Siç e thashë edhe në Gjykatë të Fierit, sot unë do të bëj politikë në çdo cep që më jepet mundësia dhe do ta vijoj betejën në Strasburg” tha ai.
Ndër të tjera, Salianji u shpreh se burgimi i tij ishte për arsye politike, pas një denoncimi që sipas tij duhej të ishte falenderuar dhe jo të burgosej.
“Unë nuk kam bërë burg as për vjedhje, as për ndonjë krim, por ka qenë vetëm për arsye politike. Unë kam bërë denoncimin e një të dënuari për trafik droge dhe kam bërë burg në vend që të shpërblehesha. Pasojat që ka sjellë denoncimi im ka qenë kjo, që një njeri që kishte shtatë vite që jetonte i lirë shkoi dhe u dorëzua. Besoj që për këtë duhet të falenderohesha nga opinioni publik, por nga ana e regjimit kam qenë këtu prej 10 muajsh”, u shpreh Salianji.