Bashkë me regjistrimin fillestar, Agjencia e Kadastrës synon që deri në 2028-n të përfundojë skanimin dhe digjitalizimit të kartelave të pasurisë dhe hartave kadastrale.
Krahas fondeve buxhetore dhe mbështetjes nga Bashkimi Evropian, për përmbylljen e këtij procesi do të shihet mundësia e dhënies së disa shërbimeve me koncension.
“Do të eksplorohen mundësitë për përfshirjen e sektorit privat përmes mekanizmave të partneritetit publiko-privat, aty ku kjo është e përshtatshme dhe sjell vlerë të shtuar” thuhet në dokumentin “Udhërrëfyes i digjitalizimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës 2025-2028”.
Aktualisht, nga 3058 zona kadastrale, për 2784 prej tyre ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar. Për këto zona, është e mundur kryerja e transaksioneve të ndryshme për pasuritë e regjistruara si dhe regjistrimi i titujve të pronësisë të krijuar rishtazi. Megjithatë, për 274 zona të tjera, ky proces ende nuk ka përfunduar, duke lënë një pjesë të territorit dhe të pasurive pa një regjistrim të plotë dhe të saktë fillestar. Shqipëria, thuhet në dokument duhet të përfundojë regjistrimin fillestar në të paktën 95% të zonave kadastrale deri në Qershor 2026. Vjet, agjencia ka nisur procedurat e prokurimit për 106 zona kadastrale, puna për të cilat do të realizohet nga një kompani private.
“ASHK synon finalizimin e procesit të Regjistrimit Fillestar të pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin e vendit brenda vitit 2028. Po ashtu, sigurimin e mirëmbajtjes së vazhdueshme dhe digjitalizimit të të dhënave të reja kadastrale, duke mundësuar akses të lehtë, të shpejtë dhe të sigurt në informacion për të gjithë përdoruesit e autorizuar”, thuhet më tej në dokument. Në të njëjtën kohë, ka përfunduar edhe përmirësimi i të dhënave kadastrale për rreth 2 mijë zona.
Përgjatë 3 viteve të ardhshm Qeveria synon të përmbyll edhe skanimin si edhe digjitalizimin e kartelave të pasurisë dhe hartave. Deri më tani, Qendra e Kadastrës Digjitale ka arritur një progres të konsiderueshëm, duke digjitalizuar mbi 51% të totalit të kartelave të pasurive dhe skanuar mbi 69% të dokumenteve pronësore.
Megjithatë, mbeten ende disa drejtori vendore ku procesi i digjitalizimit duhet të përshpejtohet ndjeshëm dhe të kryhet me kujdes të shtuar, për shkak të kompleksitetit të të dhënave historike dhe numrit të lartë të aplikimeve të përditshme. Zona e Tiranës, përbën një nga sfidat më kritike, pasi jo vetëm ka një volum të konsiderueshëm dokumentacioni historik, por edhe një fluks të lartë të aplikimeve për shërbime kadastrale. Kështu, në fund të këtij viti synohet që të përfundoj skanimi i dokumenteve pronësore, ndërsa vitin e ardhshëm digjitalizimi i kartelave të pasurive dhe i hartave kadastrale.
Mungesa e të dhënave të plota, të sakta dhe të përditësuara konsiderohet si një problematikat dhe sfidat më të mëdha që ka aktualisht sistemi kadastral në vendin tonë. “Këto mangësi çojnë në pasiguri të madhe juridike për pronarët dhe vështirësojnë ndjeshëm kryerjen e transaksioneve të sigurta dhe të shpejta. Situata aktuale ka krijuar një terren të favorshëm për konflikte të shumta midis pronarëve ose pretenduesve të ndryshëm, veçanërisht në rastet e trashëgimisë, dhurimeve, apo pasurive të përfshira në procese legalizimi”. Veç kësaj, ekzistojnë jo në pak raste mospërputhje ndërmjet të dhënave të regjistruara në regjistrat kadastralë dhe atyre që gjenden në dokumentet ligjore të pronësisë si dhe pozicionime jo të sakta hartografike. Përfundimi i regjistrimit fillestar dhe digjitalizimi i të dhënave do të bëjë të mundur sheshimin e të gjitha këtyre problematikave të shfaqura ndër vite./Scan