Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka hapur për herë të parë garën për drejtor të Departamentit të Sigurisë Publike.
Aplikantët kanë afat deri më datë 15 korrik për t’u bërë pjesë e garës. Kandidatët që do të aplikojnë duhet të kenë gradën “Drejtues” ose “Drejtues i Parë”. Deri më tani, postin e Drejtorit të Departamentit të Sigurisë Publike e mban Rebani Jaupi, i cili ka të drejtë të kandidojë sërish që të konkurojë për këtë post nëpërmjet garës.
Ndërsa, gara për drejtuesit e tjerë të departamenteve të Policisë së Shtetit nuk është hapur ende, por burime për gazetarin Igli Çelmeta bëjnë me dije se për shkak të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, gara do të hapet një nga një për çdo departament, si ai Policisë Kriminale, i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe për zv. Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Nga departamentet deri më tani me garë është zgjedhur vetëm Drejtori i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, Thodhori Gravani. Në zbatim të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e Rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për Zëvendësdrejtor të Përgjithshëm, Drejtor Departamenti në Policinë e Shtetit”, Gravani konkurroi dhe u shpall fitues për pozicionin Drejtor i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse.
Edhe pse ligji është futur në fuqi më datë 16 tetor 2024, prej 9 muajsh gara për drejtorët e departamenteve më të rëndësishme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë u mbajt pezull.