HomeTe tjeraSi Enver Hoxha ia “shiti” Kosovën Jugosllavisë së re për të marrë...

Si Enver Hoxha ia “shiti” Kosovën Jugosllavisë së re për të marrë pushtetin! Pse e çoi Hysni Kapon në Bukuresht dhe ngjarjet që tmerruan ish-diktatorin!

PROF. DR. ELMAS LECI

PJESA E PARË

Ambasadori i Jugosllavisë në Tiranë Milatoviç, më 4 gusht të vitit 1956, i kërkoi Enver Hoxhës që në frymën e Kongresit të 20-të të sovjetikëve, udhëheqja komuniste shqiptare të dilte me një komunikatë, ku të deklaronte se “çdo e thënë kundër Jugosllavisë duhej hedhur poshtë, siç kishin bërë edhe vendet e tjera lindore”.126) Ishte koha kur sovjetikët e rinj kishin ndërmarrë një fushatë të gjerë për rehabilitimin e jugosllavëve sa edhe për ngjarjet në Hungari, Hrushovi preferoi të konsultohej me Titon, duke i shpërfillur të tjerët evropiano-lindorë. Kështu, më 2 nëntor 1956, Hrushovi së bashku me Malenkovin shkuan në Jugosllavi për bisedime me Titon për çështjen hungareze. Të dy së bashku morën vendimin se kush duhej emëruar Sekretar i Parë i KQ i Partisë në Hungari”, megjithëse Nikita Hrushovi përpiqej t’i vinte një tis çështjes së ndërhyrjes së Titos në ngjarjet hungareze.

Më vonë, dolën në dritë edhe shumë fakte, që provonin jo vetëm rolin nxitës të Titos në ngjarjet hungareze, por edhe bashkëfajësinë e udhëheqësve sovjetikë. Pavarësisht se jugosllavët dhe sovjetikët në “analizën” e përfundimit të ngjarjeve ia hidhnin fajin gabimeve të udhëheqjes së Rakoshit, faktet provonin konkluzionin se ngjarjet në Hungari ishin preludi i një “reaksioni zinxhir” për përmbysjen e udhëheqësve staliniste dhe fitoren e “kursit të ri” sovjetik. Vetë nënsekretari i Shtetit për Punët e Jashtme i RF të Jugosllavisë Dobrivoje Vidiç, në kohën e zhvillimit të ngjarjeve, u deklaronte atasheve të shtypit të Bullgarisë, Çekosllovakisë, Shqipërisë etj., se “ato që ndodhën në Hungari do të ndodhin patjetër edhe në vendet e tjera socialiste”.

DILEMAT

Në fakt, shpresat e tyre në Shqipëri nuk u realizuan, sepse Enver Hoxha, pas dilemave dhe kur pa se çfarë u ndodhi kolegëve në vendet Evropiano-Lindore, qëndroi e kundërshtoi “rimiqësimin” me Jugosllavinë dhe mbrojti “kultin e individit” duke u kapur fort pas Mao Ce Dunit. Prishja e marrëdhënieve diplomatike, ose më saktë ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe roli i marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, patën vetëm ndikim propagandistik. Themi vetëm ndikim propagandistik, sepse në fushën e propagandës u ngritën boritë dhe u amplifikuan më shumë akuzat e kohës së Informbyrosë për regjimin e Titos. Pasojat e një propagande të tillë duhet thënë se rëndonin më shumë mbi shqiptarët e Kosovës dhe mbi ato në trojet e veta në Mal të Zi e në Maqedoni.

Por përse iu dha kaq rëndësi aspektit propagandistik?! Së pari, për vetë faktin se në regjimin komunist propaganda i paraprin agresionit ushtarak me atë ideologjik. Së dyti, sepse me propagandë synohet mbulimi i të vërtetave, duke zbatuar teorinë “shpif, shpif se diçka do të mbetet”. Së treti, me propagandën tregohej besnikëria e pandryshuar e regjimit. Së katërti, synohej të krijohej bindja te shqiptarët se regjimi komunist në Shqipëri ishte mbrojtësi i çështjes së bashkuar shqiptare. Po ndikimi, ose më saktë përpjekja e Bashkimit Sovjetik, cila ishte në atë kohë? Është ky është një problem që kërkon argumentim por të bazuar në fakte. E vërteta është se Moska, me shtrimin e tezës për ripërfshirjen e Beogradit në sistemin e vendeve komuniste, diskutoi edhe reagimin e Enver Hoxhës, me pluset e minuset e mundshme, diskutoi edhe qëndrimin jugosllav, por edhe qëndrimin e vet. Duhet thënë, siç e tregojnë edhe faktet historike, se Hrushovi dhe grupi i tij, bëri shumë për të mos vazhduar e çara në mes Moskës dhe Tiranës.

“Në kohën kur ekzistonin marrëdhënie shumë të mira midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë dhe Titoja gëzonte te Stalini një besim absolut, shkruan në “Kujtimet” e tij Nikita Hrushovi, “më kujtohet se si Stalini në prezencën time formuloi dhe diktoi një telegram për Titon, ku bëhej fjalë se këtej e tutje marrëdhëniet me Shqipërinë duhej të bazoheshin në faktin se Shqipëria do të përfshihej në përbërjen e Federatës Ballkanike”. Telegrami siç rezulton i u dërgua Titos. Natyrisht, për përmbajtjen e një telegrami të tillë, në Shqipëri nuk dinin gjë dhe ende nuk dinë. Stalini, siç kanë shkruar bashkëkohësit e tij, shpesh e evidentonte idenë e krijimit të Federatës Ballkanike. Madje në Beograd, filluan edhe punimet për ndërtimin e një pallati, ku do të ishte rezidenca e qeverisë së asaj Federate apo Konfederate.

“Kur isha në Jugosllavi, unë e kam parë atë vend -shkruante Hrushovi. Atje ishin ndërtuar shumë konstruksione hekurbetoni, por më pas gjithçka qe braktisur. Përfshirja e Shqipërisë në përbërjen e shtetit jugosllav nuk binte në kundërshtim me idenë e Stalinit për krijimin e Federatës së shteteve të Ballkanit. Kur u ndërprenë marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë dhe Stalini filloi ta urrejë Titon, ideja e Federatës Ballkanike u varros përfundimisht”.

RIMIQËSIMI

Në kohën e Hrushovit nuk bëhej më fjalë për Fedratën, por për “rimiqësimin” e Jugosllavisë, që me udhëheqjet socialiste ai e kishte bërë. Problem pas disa luhatjeve kishte mbetur Shqipëria, Enver Hoxha, të cilin Nikita Hrushovi për problemin e “rimiqësimit” e kishte thirrur disa herë në Moskë. Në këtë kuadër ishin bërë shumë e shumë tentativa, plus atij kryesorit që për heqjen e Enver Hoxhës, erdhi në vitin 1959 edhe vetë në Shqipëri. Më pas dërgoi edhe ministrin e Mbrojtjes, Mareshalin Zhukov e të tjera përpjekje këto të grupit hrushovian, që kishin si objekt të parë normalizimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Po të ndodhte kjo, ishte brenda edhe “kulti i individit” dhe Enver Hoxha po t’i kishte pranuar do e kishte pësuar si Rakoshi e të tjerët. Ndonëse gjithnjë, që pas 1948-ës Shqipëria nuk ka pasur ndonjë nivel marrëdhëniesh me Jugosllavinë, pavarësisht se ambasadat gjithnjë kanë qenë në nivele të ndryshme, Enver Hoxha për çdo raste festash i “çonte falënderime e të fala Titos”.

Sido që zhvilloheshin ngjarjet e sido që mbaheshin qëndrimet, fryma e Kongresit të 20 -të depërtoi edhe në Shqipëri. Vetë Enver Hoxha në prag të Konferencës së Tiranës të vitit 1956, që u mbajt fill pas Kongresit të 20-të, shkroi në gazetën “Zëri i Popullit” një artikull ku theksonte “demokratizimin” e vijës së partisë dhe mbështetjen e vendimeve liberalizuese sovjetike, artikull që ishte mes dyzimit të tij për luftimin e kultit të individit apo për mbrojtjen e kultit të individit! Dy ditë më pas, Enver Hoxha për artikullin që e kishte botuar më shumë për tatim pusi, u ndesh me frymën prosovjetike të Konferencës së Tiranës, ku pjesëmarrësit kërkuan te ai eliminimin e kultit të individit dhe për këtë pa diskutim që i drejtoheshin pushtetit të tij personal. Delegatët që i u kundërvunë për aplikim nga ai të “kultit të individit”, e pësuan keq me persekutime e dënime, ndërsa ai vetë shpëtoi si i thonë “për qime”. Si manipulator perfekt që ishte Enver Hoxha, u deklaroi delegatëve se kjo që ndodhi në Konferencë ishte një përpjekje tjetër e Jugosllavisë për ta rrëzuar udhëheqjen komuniste të Shqipërisë.

VIZITA

Faktikisht “incidentet” nga Konferenca e Tiranës e konsoliduan pushtetin diktatorial të Enver Hoxhës edhe më shumë, duke i bërë kështu të pamundshme reformat liberalizuese të tipit hrushovian. Po atë vit Enver Hoxha vizitoi Kinën, e cila kishte nisur krisjen me Bashkimin Sovjetik. Ishte pikërisht vizita që Enver Hoxha bëri te Mao Ce Duni, e cila ishte edhe “shtrimi i rrugës” së marrëdhënieve në ngjitje me Kinën. Kjo dëshmohet edhe nga rritja e ndihmave kineze, të cilat nga 4.2% shkuan në 21.6%. Sapo morën vesh sovjetikët për ndihmat kineze, edhe ata në përpjekje për ta joshur Enver Hoxhën akorduan ndihma ekonomike dhe financiare. Por Enver Hoxha tashmë e kishte vendosur, mbi të gjitha ruajtja e pushtetit personal e mbrojtja e “kultit të individit”, këtë sovjetikët nuk ja siguronin, kinezët po.

Po ta lëshonte mbrojtjen e “kultit të individit”, Enver Hoxha do ta humbiste pushtetin personal dhe këtë udhëheqja e re sovjetike nuk ja garantonte, përkundrazi. Kurse Mao Ce Duni dukej ose iu duk Enver Hoxhës në atë kohë që e vizitoi, se ishte në pozita të forta në mbrojtje të kultit të individit e të pushtetit personal. Kjo ishte e rëndësishme për Enver Hoxhën dhe karrierën e tij politike dhe këtë e tregonte përgjigja pozitive e Kinës në dhënien e ndihmave. Arsyet se përse Enver Hoxha gjeti në këtë rast mbështetjen e Kinës, janë një objeksion tjetër studimi.

MISIONI

Mirëpo Nikita Hrushovi, e vijoi misionin e tij për “rimiqësimin” me Jugosllavinë, gjë e cila sipas analizave të tij do ta çonte edhe udhëheqjen e Enver Hoxhës si të gjitha ato të vendeve të Europës Lindore, që i kishte larguar nga pushteti me motivacionin si staliniste. Në këtë kuadër, për ta mbajtur Enver Hoxhën dhe udhëheqjen shqiptare në linjën e interesave me udhëheqjen e re sovjetike, Nikita Hrushovi hodhi në tavolinë edhe idenë e vdekur për autonominë e Vorio Epirit dhe shpresonte t’i shfrytëzonte pretendimet greke dhe deklarimin e tij, për ta mbajtur Enver Hoxhën nën presion. Këto e të tjera u shfrytëzuan ethshëm nga Nikita Hrushovi, i cili shpresonte shumë në ndryshimin e udhëheqjes shqiptare, por jo te Enver Hoxha, te i cili ishte shumë dyshimtar. Erdhi Bukureshti dhe Enver Hoxha nuk vajti në atë mbledhje, ku patjetër si Sekretar i parë duhej të shkonte vetë, por çoi Hysni Kapon.

Në këtë mbledhje nuk kishte më bashkëkohës apo adashë të Enver Hoxhës, pasi Sekretarët e parë të të gjitha partive të Europës Lindore, fryma e Kongresit të 20 -të i kishte shkarkuar dhe eliminuar. Kishte mbetur nga stalinistët vetëm Enver Hoxha, që Nikita Hrushovi po i vinte rrotull për ta hequr. Gjatë fjalimit të tij në mbledhje, Nikita Hrushovi nuk kurseu jo vetëm fjalorin kërcënues e demaskues për Enver Hoxhën, por arriti deri atje sa të deklaronte se është “e pafytyrë sjellja e agjentit të Mao Ce Dunit, Enver Hoxhës” ndaj reformave demokratizuese sovjetike, që ai jo vetëm nuk i përkrah por edhe i stigmatizon, duke sjellë një pengesë të madhe në kuadrin e kampit socialist. Në këtë rast Nikita Hrushovi tregoi dhëmbët dhe u pasua po kërcënueshëm më pas në Konferencën e 81 partive, ku si shumë të tjerë, Dolorez Ibaruri mbështeti Nikita Hrushovin dhe u tha korifenjve të Konferencës se “Enver Hoxha është si ai “qeni, i cili kafshon dorën që i jep bukë”.

NDRYSHIMI

Që pas momentit të mësipërm, marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik vazhduan të keqësoheshin me shpejtësi. Sovjetikët aplikuan ndryshimin ndaj qëndrimit ndaj Enver Hoxhës dhe kaluan në një politikë të vijës së ashpër, duke reduktuar në fillim ndihmat, në veçanti drithin, në një kohë kur Shqipëria po përballej me mundësinë e zisë së bukës. Tri, ishin gjërat që duhej të kishte pranuar Enver Hoxha, që të mos ishte prishur me sovjetikët e rinj. – E para, të bashkohej në autokritikën për trajtimin e Jugosllavisë së Titos si vend socialist, pra të pranonte “rimiqësimin” me Jugosllavinë. – E dyta, të bashkohej në luftën kundër kultit të individit. Dhe e treta, – të pranonte teorinë e “bashkekzistencës paqësore”. Por, po t’i kishte pranuar këto tri gjëra, ai me siguri nuk do të kishte qenë më në pushtet vetë, ama do t’i kishte bërë një shërbim të vlerësuar çështjes së Shqipërisë falë atij pak demokratizimi alla sovjetikshe, që po ndodhte në kampin socialist.

Në fakt, qoftë marrëdhëniet e Enver Hoxhës para vitit 1948 apo ato pas këtij viti me Jugosllavinë janë përgjegjësi direkte e Enver Hoxhës, sepse ai njëherë për pushtetin e tij personal e vuri Shqipërinë plotësisht nën Jugosllavinë dhe herën tjetër përsëri po për ruajtjen e pushtetit të tij personal nuk pranonte në kushtet e reja “rimiqësimin” me Jugosllavinë se përsëri llogariste se e humbiste pushtin e tij. Ndaj edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë ishin në nivelin më të ulët, nivel, që ishte rezultat i shkakut se kërkohej zëvendësimi i Enver Hoxhës, synim që pati reperkusione të mëdha jo vetëm në planin ndërshtetëror, por edhe në planin kombëtar shqiptar. Le të kalojmë pak në digresion, me qëllim që të argumentojmë ndikimin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, te shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni.

LËVIZJA

Lëvizja dhe Lufta Antifashiste e popullit shqiptar siç e kemi thënë e gjetën Kosovën të bashkuar me Shqipërinë, ose më saktë do të ishte të shpreheshim, e gjeti pjesën më të madhe të popullsisë dhe të trojeve shqiptare të bashkuara. Nuk po analizojmë se si e qysh u bë ai bashkim, sepse janë çështje të një studimi tjetër, por fakt është se ai bashkim u realizua. Jo vetëm gjeografikisht u fshi kufiri padrejtësisht ndarës mes shqiptarëve e mes trojeve të tyre, por bashkimi rroku një aspekt më të gjerë e në shumë fusha të jetës shoqërore si arsimin, financën, mjekësinë, agronominë, administratën etj., pra ai bashkim, shënoi një integrim e bashkëpunim të shumanshëm, madje mund të thuhet edhe të frytshëm. Parë në këtë këndvështrim dhe që është edhe një qëndrim i drejtë, bashkimi sido që u bë, ishte një fakt realist historik, ishte një ndreqje padrejtësie ndaj kombit shqiptar për ruajtjen e të cilit udhëheqësit e mëvonshëm shqiptarë, vetë Enver Hoxha mbajnë përgjegjësi historike e të pajustifikuar. Nga dokumentacionet rezulton se ai, për të marrë pushtetin ja “dhuroi” apo ia “shiti” Kosovën Jugosllavisë së re, ndërsa Shtabi Ushtarak i Titos me kohë, politikisht dhe ushtarakisht që gjatë Luftës e futën Kosovën me Serbinë e Jugosllavinë. Përse Tito nuk e la Kosovën siç ishte me Shqipërinë dhe t’ju thoshte të dërguarve të tyre për “ndihmë” pranë shtabit të Enver Hoxhës, Popoviçit, Jovanoviçit, Tempos, Mugoshës, Stojniçit apo Dizdareviçit që edhe Kosova të përfshihej në programin e luftës shqiptare për çlirim?!

Edhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë nacionalistë, që organizuan Mukjen e Bujanin, konferenca ku çështja e organizimit të Luftës dhe çlirimi në kuptimin nacionalist shqiptar, u vu në rend të ditës, këto u siluruan nga Tito dhe me vendimin e tij për pushtetin personal u solidarizua edhe Enver Hoxha, i cili i demaskoi ato si forume vendimmarrëse dhe pjesëmarrësit firmëtarë të tyre i dënoi. Edhe më pas, ka plot bëma të Enver Hoxhës, me të cilat ai “mori në qafë” çështjen shqiptare si me dërgimin e Brigadave e të Divizioneve partizane për të nënshtruar Kosovën e kosovarët dhe për tu a dorëzuar ato siç i dorëzoi “raja” regjimit të Titos, apo Masakra e Tivarit, ku përsëri Enver Hoxha është përgjegjësi kryesor, pasi ai miratoi sipas kërkesës jugosllave vrasjen e mijëra kosovarëve. Për të gjitha këto, e sa e sa bëma të tjera antikombëtare të Enver Hoxhës, para e pas prishjes me jugosllavët, atë vetë asnjëherë nuk e shqetësuan. Po, atë e shqetësonte fryma e liberalizmit sovjetik, kërkesat e Nikita Hrushovit për “rimiqësimin” me Jugosllavinë, pasi sipas tezës hrushoviane, “Tito dhe komunistët jugosllavë nuk kishin gabuar”.

Kush kishte gabuar?! Analiza do të bëhej më pas dhe Enver Hoxha e dinte se sipas saj ai do të jepte llogari. Ndaj pas një periudhe disa vjeçare oshilacionesh me sovjetikët deri në prag të Bukureshtit, Enver Hoxha u përpoq të luante me dy porta, edhe me tezën e sovjetikëve të rinj, edhe kundër tyre. “Dhe çarja, e cila erdhi duke u thelluar midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë -shkruan Jon Holliday në librin e tij “Shqiptari dinak Enver Hoxha” -lindi kryesisht ngaqë Enver Hoxha i trembej demokratizimit”. Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular