Kreu i PD-së akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po kërkon të tërheqë vëmendjen nga krimi mjedisor dhe katastrofa toksike në landfillin e Elbasanit, duke u marrë me një kriminel për rastin e Thethit në Shkodër, për të cilin shtoi se duhet të ofrohej shpërblim deri në gjysmë milioni euro për kapjen e tij, sepse ka tentuar të vrasë kryeministrin e Kosovës.
Por pak pasi sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumani, institucioni i të cilit e ka marrë të pandehur Berishën, dhëndrin e tij dhe 3 të tjerë për aferën e dosjes “Partizani”, ai mori në mbrojtje prokuroren e Shkodrës që iu përgjigj Ramës dje për Thethin, duke thënë se zbatoi ligjin në vendimin se nuk kishte ndërtim pa leje me kontejnerët e vendosur.
Edhe këtu Berisha bëri “diplomatin”, duke u shprehur se nuk e dinte nëse ishte prokurore apo prokuror ai që mori vendimin, por e përgëzoi “për përgjigjen dinjitoze që i ktheu Ramaduros”.
“Helmoi Elbasanin me një javë zjarr që s’ishte parë, u prodhuan toksina dhe dioksina me pasoja katastrofale, zjarr për të cilin nuk ka asnjë përgjegjësi për Ramën dhe përbën krimin më të rëndë në historinë e shtetit. Shkon dhe merret me një kriminel për kontejner që një njeriu që do vriste kryeministrin e Kosovës. Kodra rezulton se i shtyrë nga dikush, Vuçiçi apo njerëzit e tij, kishte marrë përsipër të krimit, kurse ky kërkon të merret me djegien e plehrave si në mesjetë në Elbasan.
Zhurma që bëhet për Thethin është të mbulohet megakrimi mjedisor, u bë për të tërhequr vëmendjen nga Elbasani. Për Prek Kodrën qeveria dyhet të vendoste gjysmëmilionin për kapjen e tij. Tirana vrau këtu Ahmet Krasniqin me Fatos Klosin e të tjerë, tani na dalin të tjerë që duan të vrasin kryeministrin e Kosovës”, tha Berisha për rastin e Thethit.
Gazetarët e pyetën për ‘përplasjen’ e Ramës me Prokurorinë e Shkodrës, duke nxjerrë edhe njëherë ‘sindromën politike’ të tij se ata që japin vendime në favor të linjës së tij i merr në mbrojtje dhe ata që japin kundër, si në rastin e dosjes “Partizani”, i sulmon.
Dhe pak minuta pasi “shigjetoi” me fyerje Dumanin, mori në mbrojtje prokuroren Elsa Gjeli të Shkodrës, për të cilën tha se “nuk e dinte emrin, nëse është prokuror apo prokurore”.
“E lavdëroj shumë prokurorin e Shkodrës. Se nuk e njoh as emrin nuk ia di, nuki e di kush është. Me komunikatën që kishte bërë dje, ai, ose ajo, se nuk e di kush është, ishte njeri i ligjit dhe Kushtetutës. Akti i atij prokurori, ose asaj prokuroreje, ishte një akt dinjitoz i një zyrtari të shtetit, që i thoshte kreut të organizatës kriminale, se nuk mund të dënohet kush, nuk mund të ndiqet kush pa fakt penal. Dhe ky mafioz fliste me veten, e ka atë, e di pse e ka atë, e ka nga gjëma që i bëri Elbasani. Kurse ky bëri një akt dinjitoz”, tha Berisha.