HomeKulture"Kandidati për Kandidat", Jemin Gjana: Arben Çejku ka goditur në zemër të...

“Kandidati për Kandidat”, Jemin Gjana: Arben Çejku ka goditur në zemër të sistemit politik që kemi ndërtuar duke devijuar

Nga Jemin Gjana
Arben Çejku ka më shumë se tre dekada që e ndan kohën në mes letërsisë dhe politikës. Është prej shumë herët në fushën e letrave, me poezi, romane, publiçistikë, histori e diplomaci te shkrira në një. Së fundmi, ka ardhë para lexuesve me romanin “Kandidati për Kandidat”. Një libër që flet për “sëmundjet” e politikës në ditët e sotme. Për këdo që ka lexuar pak histori, filozofi e politologji, gjeneza e “sëmundjes” vjen prej kohëve te hershme , dhe pse jo të gjithë e trashëgojnë, ndryshe bota do kishte mbetur vendnumëro. Mjafton te rikujtome “makiavelizmin”, doktrinën dhe sinonimin e amoralitetit të politikës. Me “Princin”, gjashtë shekuj me parë,  Niçolo Machiavelli, la në dorën e udhëheqësve politike “Biblen” me të cilën ata justifikojnë cdo poshtërsi. Libri i A. Çejkut na nëpërmend, na kthjellon, kur përmes sarkazmës therëse shigjeton “Princat e Politikes” së ditëve të sotme. Dhe këta njësoj,  përmes “demokracisë së deformuar” justifikojnë çdo poshtërsi e çdo ndyrësi.

 Me Benin njohjen e kam shumë të hershme, jo vetëm se jemi nga i njëjti Bajrak i Lumes dhe të lidhur familjarisht, por njohja e vërtetë është përgjatë 35 viteve të fundit, kur jemi gjendur pandarë në të njëjtin skalion të politikës. Beni është plejada e dhjetoristëve. Ahere në fillime, krahas botimeve me poezi, u bë pjesë e trupës së gazetarëve që i benin jehonë demokracisë. Me ndrrimin e sistemeve, ata për të cilët agjitonte çdo orë e çdo ditë, mezi, me shume peripeci e ndërhyrje,  ja dhanë mundësinë per ca kohë studimesh pasuniversitare në Gjermani. Punoi më pas gazetar në zyrat e shtypit të partisë.

Në vitet kur ishim ne delir por dhe kur nisi rroposja, drejtoi bashkë me gazetarin Shemsi Peposhi, gazetën ” Tribuna Demokratike”.  Shemsiu fjalëpakët, i hidhur në sarkazëm, lëshonte me nje fjalë tre batuta dhe përpiqej ta përmbante edhe vrullin demokratikas të Arbenit. Pak më vonë Shemsi u detyrua, e detyruan më saktë, të marre detet, Arbeni qendroi. U rikthye në zyrat e shtypit të partisë, tashmë në opozitë. Me rikthimin e demokratëve në qeverisje u bë kryediplomat me emër në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, ne vitet kur rajoni ishte më i trazuar se kurrë. Sa ndrruan pushtetet e flakën si armik të kohëve të hershne e të vona.

Do thoni përse gjithë këtë biografi të autorit. Vetëm me një qëllim. Për të treguar se Beni e ka prekur me dorë, e ka parë e dëgjuar pa ndërmjetës, e ka ndjerë nën lëkure gjithë sa luhet në prapaskenat e politikës. E kjo e bën librin e tij një dëshmi të jetuar, një rrëfim ku diabolikja rrin strukur nën flatrat e sarkazmës. Beni e njeh partinë dhe partitë. Është ndeshur ne zyrat dhe korridoret e politikes me “sekretet” e pushtetërimit, me skenat dhe prapaskenat e zinxhirit komandues të aktorëve të politikës, si në qeverisje dhe në opozitë. Me gjithë këtë bagazh përvojash ka bërë dhe zgjedhjen. Në vend të protagonizmit politik ka zgjedhur letërsinë, si mënyrën më të qytetëruar për ti thënë disa të vërteta.

 Gjithmonë ka treguar se është nuhatës dhe analizues gjakftohtë. Din kur duhet vënë gjoksi dhe kur nuk duhet ti biesh murit me kokë. Ndofta dhe ngase përherë ka qenë me një këmbë te letërsia e me tjetrën te politika. Njëherë, në vitet e hershme të opozitës, me bëri nje reng. Nuk di te them nëse ma “punoi”, apo përdori qetësinë e tij karakteristike për të më ulur me këmbë në tokë. Për të më thënë “bej si bën ustai”. Na thërritën të dyve në “shtatmadhorinë” e partisë, pjesë e të cilës isha dhe unë. Duhej të dilja urgjent në një konferencë shtypi për të denoncuar një ” vjedhje të madhe, një skandal” pa patur asnjë fakt e argument. Arbeni ishte aty si kalemxhiu i zyrës te shtypit. Ai e dinte mirë sa “udhëheqësa” thërriteshin,  dhe u thuhej “shkruaj, mbaj shënim…”, e kur mbaronte diktimi, jepej porosia: Urgjent në konferencë shtypi dhe bëni deklaratën. Po më kërkohej dhe mua e njëjta gjë. Jo, thashë prerë, nuk dal para mediave pa fakte e argumenta. Biseda u acarua. Tonet e zërit përplasën në muret e zyrës. Bëra të ngrihesha, në zemërim e sipër, kur Beni ndërhyri:  Ka ca akuza nëpër media për këtë çështje…E sheh, ma thanë në fytyrë, je i pa informuar dhe bën kokëfortin në dëm të partisë. Shkoi si shkoi, Beni lajmëroi mediat, “qullosëm” një deklaratë, e kryem “detyrën” dhe zbritëm në kafe. Beni më vështronte dhe nënqeshte. Nuk donte ti shkonte në fund pa udhësisë që kishte bërë. Në një moment më thotë: Kot ja futa, nuk ka asnjë akuzë në media për këtë çështje, e sajova në moment që të mbyllja sherrin. Mu bënë nervat kaçurrel. Mbaj mend mes tjerash ti kem thënë: “Ueh, dhe ti njësoj me këlyshët e Ramiz Alisë që kanë mbushur zyrat e partive…” . Po ai as e prishi terezinë, nënqeshi duke mërmëritur: Lere se te nxora nga ajo situatë groteske. Unë jam përditë me plot kësi skenash, po shumica ulin kokën e bëjnë çfarë u thuhet.

 Kur mora ftesën për promovimin e “Kandidatit për Kandidat”, vetë titulli më thoshte shumëçka. E mendova se Beni ka vendosur të flasë përmes letërsisë për gangrenat tuberkulare të politikës. Folën në promovim disa emra te njohur të letersisë e të  politikes, disa pasi e kishin lexuar e disa ende pa e lexuar romanin. Të gjithë ishin në një mendje: Arben Çejku ka hedhur dritë, me nota humori e sarkazëm, në korridoret e errëta të partive në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që i duhen drejtimit të partive, ulseve të Parlamentit dhe karrigeve e kolltuqeve të qeverisjes. E vlerësuan romanin si nje trajtesë serioze për lojrat e pista të politikës. Autori kishte sjellë kronologjinë e banalizimit te procesit, përdorimin e keqpërdorimin e atyre që aspirojnë të merren me politikën dhe me qeverisjen, të merren me përfaqësimin e trevave e te komuniteteve, të angazhohen për vendin dhe shoqërinë. Me nota therëse humori autori ja ka dalë të tregojë si dalin përsipër ata që i duhen udhëheqjes, ata që kthehen në shërbëtorë të krerëve dhe si zbythen kokëulur shumë prej atyre që duhet tu prinin listave. Ajo pjesa mbushëse, me apo pa primare është mish për top.

Kam qenë i bindur gjithë koherave se shumë prej atyre më të mirëve e më të duhurve janë të dënuar të mbeten ” Kandidat për Kandidat”. 

Edhe autori i romanit për të cilin po flasim e ka patur rastin ta ketë emrin në ato lloj listash ku sita mban miellin e lëshon krundet në tepsi. Arben Çejku ka qenë i dënuar për të mos prirë në kesi listash të politikës. Ai është lindur ne Lusën te Lumës, atje ku në shtator 1944 është zhvilluar një prej segmenteve më të përgjakura të luftës civile. Nuk po ekzagjeroj asgjë në këtë pohim. Në fillim të viteve 90, gjendur në një tryezë me historianin dhe patriotin e njohur Zekeria Cana, i treguam se nëpër Lumë dhe në Lusën ka patur lufte civile. Na pa me qetësi dhe na tha ashtu shtruar shtruar: Mos nxitoni bre djem. Kur të ja vëmë emrin luftë civile duhen disa kondita, duhet analize, duhet… U detyruam te ja rrëfejmë ngjarjet fije për pe. U trondit, dhe foli po ashtu mendueshem: Po të jetë kështu, nuk ka emër tjetër përveçse luftë civile. Në atë përplasje katundi i Lusnës u përgjak. Nje kompani partizane u shuajt e gjitha. Vetëm nga fisi Çejku 19 burra dhe djem u vranë në përplasje, u pushkatuan pa gjyq ose vdiqën burgjeve e internimeve. Shtëpia e Arben Cejkut kishte mall e katandi qysh prej ahere kur i dimronin tufat e deleve nëpër fushat e Selanikut. Gjyshi, Hasan Faslia, deri në mbarim të luftës njihej një tregtar i zoti në Kukës e në Prizeren. Ja mori të gjitha fundlufta. Vetë Arbeni u shfaq pas nëntëdhjetës si demokratikasi që nuk përulet për të bërë gjithë çfar i thonë. Me këtë anamnezë politike, Beni e te tillet si Beni, janë të “nemur” për të qenë jashtë listave. Ajo partia e parë e shihte tamam armik, kishin kthyer armët ndaj njëri tjetrit. Kjo që lindi pas nëntëdhjetës mbeti me syrin nga shkoza e nga Katovica. I duheshin larg të përndjekurit dhe te pa bindurit deri ne përkulje.

Sipas partive tona, edhe Lumës prej nga vjen Beni,  i ka dalë më mirë me biçim deputetesh që shkojnë parti në parti, herë lepihen e lavdërojnë pastaj shajnë nxijnë e mallkojnë. Ose bëhen dy llojesh: disa e bëjnë me hu në dorë betejën politike, ca të tjerë përgatisin bishta kazme për protestën e përgjakur të 21 janarit. Kështu i do mushka drutë në këto nahijen tone. 

Të gjitha këto persiatje me vinin e me shkonin nëpër mend vetëm nisur nga titulli i romanit e gjithë çfarë dëgjova atë paradite promovimi në sallën e Akademisë të Shkencave. Kur e lexova librin plotësova shumëçka në formë e në përmbajtje. Autori ka shkruar me një letrare të rrjedhshme plot metafora e sarkazëm. Narrativa e tij tërheqëse, pa fraza të stërzgjatura e të lodhshme, me fjalë të zgjedhura rrjesht pas rrjeshti, flet për start e pjekuri artistike të autorit. Ngjyrat e humorit e sarkazmës nuk e rëndojnë rrëfimin. Tonet e lehta të erotizmit vijnë si një parathënie për karakterizimin e politikës: Edhe ajo (politika) është kurvë, herë e pistë e herë lajkare e gernjare siç dhe disa prej heroinave te romanit. 

 Përpos këtyre, kur shkova në faqen e fundit të librit, në perceptimin tim, romancieri Arben Çejku nuk ka goditur thjesht përbaltjen dhe deformimin e një procesi. Nuk ka denoncuar thjeshtë banalitetin dhe prapaskenat e udhehqësive politikë për të tërhequr rreth vetes grupe shërbetorësh të pazëshem, që dinë ti bejnë të gjitha. Madje shumë prej tyre duhen të tillë, të të gjenden dhe në ditët e hallit. Me romanin “Kandidati per Kandidat” Beni nuk ka goditur e anatemuar thjesht një a disa zgjedhje të gabuara, nuk ka goditur një proces primaresh a sekondaresh, ka goditur drejt e në zemër te sistemit politik që kemi ndërtuar duke devijuar sa kemi mundur. 

 Partitë rreken të thonë se zgjedhjet e lira e të drejta janë themelet e pushtetit në demokraci. Zihen e shahen për manipulimin e tyre, akuzojnë njëra tjetrën për masakër zgjedhore, akuzojnë  votuesit e komisionerët për shitje e tjetërsim rezultati, flasin e grinden për sistem spanjoll e tren bullgar. Kur humbin e shohin të gjithën te vjedhjet e palës tjetër, te sistemi e te ligji që natën e hartojnë bashkë e ditën e bëjnë fertele.

 Me romanin “Kandidati për Kandidat,”  A. Cejku i ka rrëzuar të gjitha keto alibi. Halli i partive është të ndajnë pushtet, të ndajnë copa pronash, e emra kontosh në ofshore, të ndajnë kulla e resorte në det e në mal. Faqet e ngjeshura me humor e sarkazëm në romanin e fundit të A. Çejkut e çjerrin maskën e betejave të politikës që vendit e qytetarëve nuk u sjellin asgjë përveç varfërimit e migrimit. Vendit e qytetareve më shume se kush është humbësi e kush është fituesi u intereson “Qeverisja e Mire”, ajo që bota demokratike e quan  “Good Governance”.  Në librin e tij A.Çejku zbulon falsitetin e kësaj beteje donkishoteske.  Autori i demaskon hilerat nëpër faqet e librit te tij. Ideja parësore e romanit del në dritë të diellit përmes butaforizmit të përzgjedhjes të kandidatëve. Aty është thelbi. Kur ke përfunduar zgjedhjen e njerëzve për pushtetin, e kur përzgjedh krundet në vend të mellit, nuk kanë më rendësi as zgjedhjet, as sistemi e as denatyrimi i rezultatit. Partitë e kanë arritur qëllimin kur zgjedhin se me cilët do qeverisin. Zgjedhin keq, mos prit qeverisje të mire. Gjithë lufta tjetër është betejë për pushtet, jo për shtet e për standarde demokratike në qeverisje. 

 Me veprën e tij artistike A. Çejku e ka dhënë të qartë mesazhin: Mos u gënjeni, mos u mashtroni. Mënyra si partitë zgjedhin kandidatët për qeverisjen qëndron në zemrekun e sistemit demokratik. Po deformuam procesin e zgjedhjes të njerëzve për të qeverisur kemi deformuar thelbin e sistemit i cili nuk mund të bëjë asnjë hap përpara. Me deformimin e përzgjedhjes goditet në lule të ballit metitokracia, abc-ja e përparimit të njerëzimit. Parlamenti, Qeveria, institucionet e shtetit, po dhe vetë partitë nuk janë eterike, nuk janë virtuale, nuk janë zyra, poltrona e tavolina. Pa njerëz brenda ata janë baraka te boshatisura. Si do jenë njerëzit brenda tyre, si do jetë vullneti dhe angazhimi i tyre për të respektuar ligjet e standardet, i tillë do jetë sistemi, e tillë do jetë qeverisja. Duke u mbështet te fundet e listave, kështu do jemi edhe për shumë kohë. Na qoftë per hair, “Selanik e te përpjetë siç ka qenë do te jetë”. 

Arben Çejku me humor e me sarkazem na kujton në librin e tij: Mos u mashtroni, rrini larg sehireve të partive të cilat nuk e nxjerrin prej sinoreve të tyre të drejtën me përzgjedh si te duan e kë te duan. Mos prisni asgjë të mire sa kohë partitë i sundon autoritarizmi dhe kryetarokracia. Mos prisni ndryshe, si është mielli do jete buka. Thembra e Akilit rri e fshehur te manipulimi i tërheqjes së njerëzve në drejtimin e punëve të vendit, gjitha të tjerat janë falli në filxhan me të cilin kupolat e politikës ushqejnë mendjet e popullit.

09.07.2025

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular