Bujqësia siguron rreth 20% të PBB-së së vendit dhe ofron punësim për rreth 1/3 e popullsisë, ndërkohë që përfiton më pak se 2% të kredisë totale. Për këtë arsye, Guvernatori Gent Sejko u bëri thirrje bankave tregtare të nxisin kredimin në këtë sektor.
“Ky program, pjesë e të cilit janë bërë të gjithë aktorët e sektorit bankar, iu ofron një bazë të sigurtë të fondeve me kosto të ulët për kreditimin e projekteve të zhvillimit të sektorit bujqësor duke përfshirë agroturizmin dhe industrinë agroushqimore”, tha Sejko.
Për të ndihmuar ndërmarrjet bujqësore dhe fermerët qeveria do të japë 30 mln euro si garanci sovrane.
“Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave.
Skema e qeverisë dhe Bankës Qendrore ofron garanci deri në 70% të vlerës së kredisë, normë interesi të kufizuar në 2% dhe përdorim vetëm për investime që rrisin kapacitetin prodhues dhe konkurrueshmërinë: agropërpunim, mekanikë bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera moderne, etj..