HomeOP EDNeritan Vladi: Ramështeti dhe Opozitëpengu!

Neritan Vladi: Ramështeti dhe Opozitëpengu!

Neritan Vladi
Nga Vlora në Fier e Durrës, (Kushedi se ku dhe kur do ta mbyll këtë çmenduri hipokrite), Edi Rama ka nisur një fushatë denigruese kundër kryebashkiakëve dhe drejtuesve të administratës lokale.

I krekosur e nervoz, lëshon bubullimat sa zbret nga makina. U bërtet plakave që e ndjekin pas për ti qarë ndonjë hall, pastaj me duar dhe këmbë piketon “shkeljet e ligjit” nëpër rrugë, deri sa mbërrin në mbledhjet e frikshme ku pasi i legenos nga i pari te i fundit, ikën drejt qytetit tjetër duke lënë prapa ultimatume dorëheqjesh 24 orëshe. 
Herë flet si kryeministër e herë si kryetar i PS, por më së shumti si “Zot” të cilin e ka zënë halli të merret edhe me çadrat dhe tavolinat nëpër trotuaret e qyteteve. Gjatë 12 viteve që qeveris, e ka simuluar rregullisht këtë spektakël, veçanërisht pas zgjedhjeve, por populli dhe mediet sërish “tronditen” nga lajmet që prodhon gjeli në majë të malit me plehrat që ka krijuar vetë.

E gjitha kjo do mbarojë një ditë, por halli i vjetër i vlonjatëve me ujin do ngelet sërish aty sepse atë nuk e ka në dorë bashkia por vetë Rama me SuperBelën dhe ministrat e tjerë. Edhe plehrat do vijojnë të digjen pikërisht kur fillon sezoni, edhe tendat dhe çadrat do rikthehen ku ishin pas ca kohësh njësoj si ka ndodhur gjithmonë, sepse Tirana ti heq Tirana ti vë pasi të mbarojë spektaklin Rama.

E njëjta gjë për qytetet e tjera ku do shkoj të denigrojë kryebashkiakët dhe të shkarkojë drejtorët, të cilët në fakt kanë në duar vetëm “çelësat e kashtës”, pasi çdo fond, projekt, leje edhe për një kotec në fshat, e çdo investim për pushtetin lokal është i përqëndruar me dorë të fortë te qeveria në Tiranë dhe ministrat e tij.

Deri këtu nuk ka ndonjë gjë për tu shqetësuar, sepse tashmë nuk është më sekret që Rama me spektakël qeveris dhe me spektakël fiton zgjedhjet, përderisa ka përball “opozitën që do ai” dhe jo atë që i duhet shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Problemi i vërtetë është lehtësia dhe legjimiteti që i jep vetes për të denigruar, ndërhyrë dhe urdhëruar një pushtet tjetër që mbrohet nga Kushtetuta, siç është ai Lokal. Ata kryetarë bashkish që ai denigron, pavarësisht se janë socialist a jo, janë zgjedhur me votë nga populli. Po ashtu bashkitë e çdo qyteti kanë Këshillat Bashkiakë pozitë-opozitë, të zgjedhur me votë nga populli i atyre bashkive.

Kryetarët e bashkive, stafin që zgjedh ai për të realizuar mandatin e marë nga populli, të mirë a të këqinj, socialistë a opozitarë, kur nisin detyrën janë të gjithë popullatës së asaj njësie bashkiake. Problemet ne ujin, plehrat, dritat, rrugët, ndërtimet pa leje, hapësirat publike, nuk janë ca socialiste e ca demokrate.

Hallet apo zgjidhjen e tyre e përfitojnë apo e vuajnë të gjithë pavarësisht se kujt partie i përkasin dhe kë kanë lider e idhull, Ramën apo Berishën.
Por më e turpshmja më skandalozja në këtë situatë të këtij uzurpimi flagrant antikushtetues që Rama po i bën Pushtetit Lokal, është qëndrimi i opozitës. Asnjë fjalë nga Sali Berisha i cili “mendon” se Rama po e bën këtë nga frika e konferencave të tij bajate çdo ditë në orën 12.30.

Adriatik Lapaj ka nisur betejën e shalqinëve, kurse Agron Shehaj ende feston 2 deputetët që futi në parlament. Janë të kompleksuar për të dalë në mbrojtje të kryebashkiakëve sepse janë socialistë, por këtu nuk bëhet fjalë për Dredhëra, Subashra, apo Sakon e Durrësit.
Bëhet fjalë për guximin e Edi Ramës për të qenë kryebashkiak i gjithë Shqipërisë. Për shkallmimin e Kushtetutës, delegjitimin e votës për të zgjedhurit lokal dhe blindimin e tij si autokrat. Edhe në kohën e diktaturës Komitet Ekzekutive kishin më shumë pavarsi dhe liri nga Komitet e Partisë. Atëherë kishim Parti-Shtet, tani kemi Rama-Shtet dhe Opozitë-Peng, e zhytur në hallet e liderit dhe estabilishmentit të saj!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular