Parlamenti Europian miratoi raportin për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së, me 502 vota nga 689 të pranishëm.
Në materialin prej 18 faqesh, një vëmendje e veçantë u kushtohet institucioneve të drejtësisë, kryesisht nënvizohen problematikat e krijuara pas vetingut, të lidhura sidomos me emërimet në dy organet, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
“Këshillit të Lartë Gjyqësor i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e tij në mënyrë efektive, ndërsa ato të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen,” thuhet në raportin e PE-së.
SPAK është institucioni më i vlerësuar, për këtë arsye, Parlamenti Europian kërkon që mos t’i cenohet pavarësia.
“Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) konsolidoi më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe bëri përparim të prekshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë luftë. SPAK tregon vizion të shëndoshë strategjik dhe pavarësi në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit të shtuar politik dhe grupeve të krimit të organizuar.”
Ndër të tjera, raporti flet dhe për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën vëren një pasiguri ligjore në lidhje me ripërtëritjen e këtij institucioni, ndërsa shpreh shqetësimin e moszbatimit të disa vendimeve të kësaj gjykate, sidomos nga Kuvendi.
Ndërsa është kritikuar dhe komisioni Xhafaj, për të cilin raporti thotë se ka mangësi në lidhje me punën dhe ndikimin e tij në thellimin e reformës në drejtësi.
Pas miratimit të raportit për Shqipërinë, ka reaguar edhe grupi i socialdemokratëve, që shkruan se integrimi i Shqipërisë në BE brenda 2030 po bëhet gjithnjë e më i prekshëm.
“Shqipëria tregon se: ëndrra evropiane jeton! Si një ndër vendet më të avancuara mes kandidatëve për anëtarësim, hyrja në BE deri në vitin 2030 po bëhet gjithnjë e më e prekshme. Por, ende nuk është arritur gjithçka. Tani nevojitet guxim, ritëm reformash dhe mbështetje e fortë nga Brukseli.”
Eurodeputetët mbështesin synimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe vlerësuan përparimin e bërë deri më tani, por nënvizuan nevojën urgjente për të intensifikuar reformat.
Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.