HomePolitikeU la në burg nga Gjykata e Lartë, Ilir Meta kërkon lirinë...

U la në burg nga Gjykata e Lartë, Ilir Meta kërkon lirinë në Gjykatën Kushtetuese, denoncon shkelje të të drejtave

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka depozituar një kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që çuan në paraburgimin e tij dhe lirimin e menjëhershëm nga masa e “arrestit me burg”.

Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, argumenton se vendimet e Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë marrë në shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe parimeve kushtetuese.

Në kërkesën e tij zyrtare, Meta thekson disa pika kyçe që sipas tij nisin që me mungesën e Provave dhe transparencës.

Ai pretendon se ndodhet në paraburgim pa prova konkrete, pa analizë të rrezikut real dhe me shkelje të të drejtës për një proces të rregullt. Sipas tij, vendimet bazohen vetëm në raport policor ose informacion inteligjence, duke shkelur Nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale. Gjithashtu, theksohet shkelja e Nenit 42 të Kushtetutës dhe Nenit 6 të KEDNJ për mungesë transparence dhe pamundësi për ushtrimin e mbrojtjes në mënyrë të plotë.

Meta argumenton se vendimet gjyqësore janë të motivuara dobët, duke qenë kopje të kërkesave të prokurorisë, pa një vlerësim të pavarur nga gjykata. Masa e “arrestit me burg” cilësohet joproporcionale, veçanërisht për një vepër të dyshuar të kryer vite më parë dhe pa rrezik aktual.

Ai akuzon organet shtetërore për veprim arbitrar dhe dhunë gjatë ndalimit, të shoqëruar me publikim të pamjeve në media, të cilën e cilëson si trajtim poshtërues dhe degradues. Përdorimi i policisë me maska dhe pa identifikim, si dhe mosparaqitja e urdhrit gjyqësor në momentin e ndalimit, janë gjithashtu pjesë e akuzave të tij.

Meta pretendon për ndikim politik në veprimet e Prokurorisë dhe Policisë, duke argumentuar se arrestimi ka synuar të dëmtojë pjesëmarrjen e tij në jetën politike dhe zgjedhjet e ardhshme, si dhe ka shkelur të drejtat për respektimin e jetës private dhe familjare.

Ai thekson se gjykatat nuk kanë justifikuar rrezikun konkret, nuk kanë marrë parasysh kohën e kryerjes së veprës, as pozitën institucionale të tij si i hetuar.

Gjithashtu, ka mungesë të plotë të arsyetimit për mosaplikimin e masave më të buta, si ndalimi i daljes jashtë shtetit apo detyrimi për paraqitje.

Meta pohon se Gjykata e Lartë ka shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, duke e quajtur “recidivist” në një fazë kur ai është ende nën hetim.

Në përfundim, ish-Presidenti Meta e cilëson gjithë procesin e ndalimit dhe vendimmarrjen gjyqësore si të motivuara politikisht, me qëllim ndikimin në klimën elektorale dhe frikësimin e mbështetësve të opozitës. Ai kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të shfuqizojë vendimet e mëparshme dhe të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular