Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, që u duk sikur solli një frymë të re në zgjedhjet e fundit me në krye Adriatik Lapajn, duket se po hyn në një fazë krize të thellë, vetëm pak javë pas betejës elektorale. Etleva Merko, nënkryetarja e këtij koalicioni dhe një nga figurat më publike gjatë fushatës, është larguar papritur nga strukturat, në një akt që brenda radhëve të brendshme po interpretohet si sinjali i parë i shkërmoqjes.
Ne kontaktuam me Etleva Merkon, e cila konfirmoi largimin e saj nga koalicioni. Ndërkohë, ajo sqaroi se mamaja e saj, e cila është renditur në listën shumëemërore të “Shqipëria Bëhet”, nuk do të kërkojë mandatin, duke hedhur poshtë aludimet për ndonjë përfitim të heshtur nga pozicioni i saj në listë.
Megjithatë, ajo që ka krijuar një situatë të pazakontë dhe aspak transparente është mungesa e një deklarate publike zyrtare nga drejtuesit e koalicionit.
Largimi i Merkos pa asnjë koment publik nga ana e drejtuesit të koalicionit, Adriatik Lapaj, ka hapur derën për spekulime të shumta: a ka nisur përçarja e parë e madhe në “Shqipëria Bëhet”?
Burime pranë koalicionit konfirmojnë për Lexo.al se ka mosmarrëveshje të thella në drejtim dhe mungesë komunikimi me bazën. Ndërkohë që Lapaj ende nuk ka reaguar për largimin e nënkryetares dhe për ngërçin e krijuar me mandatin, zhvillimet po ndjekin një trajektore të rrezikshme për një forcë politike që premtoi transparencë, ndershmëri dhe risi.
Më herët sot është publikuar dhe rasti i Zeqir Kordhonit punëtorit të ndërtimit në listën e Lapajt, i cili nuk do të tërhiqet.