Parlamenti Evropian, PE, miratoi më 9 korrik raportin për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së, me 502 vota nga 689 eurodeputetë që ishin të pranishëm.
Qeveria shqiptare e mirëpriti miratimin e këtij raporti nga PE-ja, duke e konsideruar se kjo përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Evropian.
Çfarë përmban ky raport?
Vëmendje e veçantë i kushtohet institucioneve të drejtësisë (shtetit të së drejtës), dezinformimit rus dhe lirisë së medias. Përsa i përket organeve të drejtësisë, ditën e djeshme më 9 korrik publikuan disa detaje nga ky raport. Ku kryesisht theksohen problematikat e krijuara pas vetingut, të lidhura sidomos me emërimet në dy organet, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Reforma në Drejtësi (shteti i së drejtës)
Raporti i Parlamentit Evropian vlerëson përparimin që ka bërë Shqipëria në reformën e drejtësisë, sidomos përmes procesit të vetingut.
“Vlerëson përparimin që ka arritur Shqipëria në zbatimin e reformave në drejtësi, të cilat synojnë forcimin e pavarësisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor, përfshirë procesin e vetingut, i cili është përfunduar në shkallën e parë; përshëndet nisjen e procesit të ri të reformës me titull ‘Qeverisje e mirë, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit për Shqipërinë 2030′, të ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë; thekson se çdo nismë për të forcuar qeverisjen, sundimin e ligjit dhe përpjekjet kundër korrupsionit duhet të ndërtohet mbi bazat e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe bashkëpunimit”, thuhet në raport.
Megjithatë, raporti shpreh shqetësim për “ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe presionin mbi sistemin gjyqësor” dhe shpreh keqardhje për sfidat e vazhdueshme në funksionimin e sistemit gjyqësor, të cilat janë evidentuar edhe në raportin e SPAK për vitin 2024.
Vihet në dukje përmirësimi në efikasitetin e Gjykatës Kushtetuese dhe roli i saj në ruajtjen e ekuilibrave institucionalë, edhe pse raporti nënvizon se buxheti i gjyqësorit është i pamjaftueshëm dhe reduktimi i çështjeve të prapambetura duhet të jetë prioritet.
Dezinformimi rus
Raporti i dedikohet edhe dezinformimit që vjen nga Rusia.
“Vëren rrezikun në rritje të ndikimit të dëmshëm të huaj dhe ndërhyrjeve hibride në institucionet demokratike të Shqipërisë; thekson se narrativat e lidhura me Kremlinin kanë synuar të minojnë besimin e publikut tek institucionet demokratike dhe të nxisin ndjenja kundër Perëndimit”, thuhet në raport, ku i bëhet thirrje Shqipërisë të forcojë qëndrueshmërinë institucionale kundër financimeve të fshehta politike, manipulimeve në media dhe kërcënimeve kibernetike si dhe u bën thirrje institucioneve të BE-së të monitorojnë nga afër ekspozimin e Shqipërisë ndaj ndikimeve të dëmshme të huaja.
Raporti “përshëndet bllokimin nga Shqipëria të faqeve të dezinformimit rus, por thekson nevojën për një mekanizëm të përbashkët të reagimit kundër dezinformimit BE-Shqipëri, i modeluar sipas platformës EUvsDisinfo, për të kundërshtuar dhe zbuluar shpejt narrativat e Kremlinit”.
Po ashtu nxit bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ndarë përvojat më të mira dhe për të zhvilluar strategji të përbashkëta në luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj.
Gjithashtu, paralajmëron për rrezikun e rritjes së pranisë së mediave të mbështetura nga Kina në Shqipëri.
Pjesa për lirinë e medias
Vëmendje i jepet edhe lirisë së medias, ku në këtë rast shpreh keqardhje për përkeqësimin e situatës së mediave të lira dhe të gazetarëve të pavarur në Shqipëri vitet e fundit.
Sipas raportit, Shqipëria renditet në vendin e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024, që tregon problematika të vazhdueshme lidhur me ndërhyrjet politike dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
Gjithashtu, në raport theksohet se çdo ndryshim ligjor në fushën e medias duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të zhvillohet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e organizatave të medias. Raporti kërkon forcimin e gazetarisë hulumtuese, luftën kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes dhe dënon retorikën anti-media dhe sulmet ndaj gazetarëve, sidomos ndaj grave. Ai kërkon dënimin e autorëve të këtyre sulmeve dhe miratimin e kuadrit ligjor që mbron gazetarët dhe aktivistët nga paditë strategjike, si dhe dekriminalizimin e shpifjes.
Zgjedhjet e 11 Majit
Raporti përmend në mënyrë pozitive ndryshimet e korrikut të vitit 2024 në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë, të cilat kanë futur votimin nga diaspora.
Ai merr gjithashtu në konsideratë zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 duke u bazuar në përfundimet paraprake të OSBE/ODIHR, që vlerëson se zgjedhjet “ishin konkurruese dhe u administruan në mënyrë profesionale, por u zhvilluan në një ambient shumë të polarizuar dhe pjesëmarrësit nuk patën kushte të barabarta”.
Çfarë thotë raporti për shoqërinë civile?
Raporti përshëndet shoqërinë civile në Shqipëri si një aktor aktiv dhe konstruktiv që “ka një rol kyç në procesin e reformave dhe demokratizimit”.
Po ashtu përshëndet përmirësimin në monitorimin e zgjedhjeve dhe rritjen e përfshirjes së shoqërisë civile në mbikëqyrjen e procesit demokratik. Raporti nënvizon “rëndësinë jetike të shoqërisë civile për forcimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë” dhe i bën thirrje qeverisë shqiptare që “të rrisë mbështetjen dhe rolin e saj, duke përfshirë edhe organizatat që mbrojnë të drejtat e grave”./tvklan.al