Ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, ka ndërruar jetë në Shqipëri, vendin që e kishte në zemër dhe që e deshi thellësisht. Diplomati gjerman u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, ndërsa ndodhej në vendin tonë prej disa ditësh.
Sipas burimeve, ai u gjet i pajetë në dhomën e tij të hotelit, ndërsa kishte marrë pjesë pak ditë më parë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo, në Kavajë, shkruan A2 CNN.
Werner Daum shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 1987 deri në 1990, në një periudhë vendimtare për të ardhmen e vendit. Gjatë kësaj kohe, ai tregoi një guxim të jashtëzakonshëm, duke hapur dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin arratisjen nga regjimi komunist, një veprim që e bëri në kundërshtim të plotë me udhëzimet zyrtare të qeverisë së tij.
Në një intervistë të mëvonshme, Daum rrëfeu se e kishte marrë këtë vendim me vetëdije të plotë, pasi e kuptonte që një eksod masiv i shqiptarëve do të përshpejtonte rënien e diktaturës.
Gjatë vizitës në Bashkinë e Kavajës, ish-ambasadori gjerman Werner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryetari Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990.
Daum kujtoi se ishte në Shqipëri nga 1987 deri në korrik 1990, kur ambasada gjermane u shemb fizikisht dhe simbolikisht. Megjithatë, ai tha se ajo periudhë shënoi lindjen e lirisë në Shqipëri , një ndryshim që nuk erdhi nga jashtë, por nga vetë shqiptarët, veçanërisht të rinjtë dhe intelektualët.
Daum kujtoi me respekt Ismail Kadarenë si simbol të shpirtit të lirë dhe tregoi se edhe ai përballej me hetime nga regjimi për takimet me të.
Pas largimit nga Shqipëria, Daum punoi për të afruar vendin me publikun gjerman përmes një ekspozite të madhe në Mynih (2001) dhe më pas në Vjenë, me mbi 32,000 vizitorë. Ajo përfshinte ikona shqiptare, artefakte dhe skena nga jeta tradicionale, duke nxjerrë në pah bukurinë dhe trashëgiminë shqiptare.
“Jam krenar që ndihmova në sjelljen e kësaj bukurie në Gjermani,” tha Daum, duke falënderuar Kavajën për nderimin.