“Trump Organization”, kompania e biznesit të familjes së Presidentit amerikan Donald Trump, ka njoftuar bashkëpunimin me zhvilluesin rumun të pasurive të paluajtshme SDC Imobiliare për ndërtimin e një kulle rezidenciale luksoze në kryeqytetin Bukuresht.
Në një deklaratë të përbashkët të bërë publike të premten, kompanitë theksojnë se “Trump Tower Bucharest do të zhvillohet në zemër të kryeqytetit rumun, një nga tregjet më dinamike dhe në zhvillim të Evropës”, duke sjellë banesa premium nën markën Trump në rajon.
Detajet për vendndodhjen e saktë apo datën e nisjes së punimeve nuk janë bërë të ditura, megjithëse objekti do të markohet si rezidencë luksoze në një nga ekonomitë më të mëdha të rajonit, Rumaninë.
Ky projekt vjen pak pasi është zbuluar një tjetër nismë e ngjashme nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, në Beograd, sipas raportimeve të Bloomberg.
Përfaqësues të Trump Organization nuk kanë dhënë koment për mediat, ndërsa Stefan Bărciuc, CEO i SDC Imobiliare, ka refuzuar të bëjë deklarata përtej atyre që përmbante komunikata për shtyp.
Në ndryshim nga mandati i parë presidencial i Trump, gjatë të cilit kompania deklaroi se nuk do të angazhohej në marrëveshje të reja ndërkombëtare, pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump Organization ka përqafuar sërish partneritetet jashtë SHBA.
Donald Trump Jr., djali i madh i presidentit dhe zëvendëspresident ekzekutiv i kompanisë, ka vizituar disa herë Evropën Lindore që nga rizgjedhja e babait të tij. Ai ka zhvilluar takime me figura të njohura politike të rajonit, përfshirë ish-kryeministrin e Rumanisë Victor Ponta dhe ish-kryeministrin e Bullgarisë Boyko Borissov, të dy të larguar nga detyra pas skandaleve për korrupsion.
Idetë për një projekt me emrin “Trump” në Rumani kishin nisur të qarkullonin në mediat lokale që në fillim të vitit. Gazeta Ziar de Cluj kishte raportuar në janar se Stefan Bărciuc planifikonte të ndërtonte “dy prona shumë të veçanta brenda katër viteve të ardhshme”, në Bukuresht dhe në Kluzh.
Po ashtu, Bărciuc u fotografua duke marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Donald Trump në janar, duke treguar lidhjet në rritje midis biznesmenit rumun dhe rrethit të ngushtë të presidentit amerikan.