Dy kryebashkiakë janë ndalur për të folur për mediat pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Durrës, ku shefi i qeverisë iu vendosi ultimatum tri ditë kohë për të shkarkuar të gjithë krerët e njësive administrative.
Fillimisht kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo u shpreh se ai nuk do t’i shkarkojë nënkryetarët siç kërkoi Rama, pasi kanë shumë pak kohë në detyrë.
“Në varësi të performancës, unë jam kryetar i ri. Kuptohet që janë akoma në provë, plus që nënkryetarët e mi janë të rinj”, tha Tavo për mediat.
Edhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja deklaroi se nuk do t’i bindet urdhrave të Ramës, pasi sipas tij, ultimatumi i kryeministrit vlen vetëm për udhëheqësit socialistë.
“Absolutisht jo. Perfromanca është gjë tjetër. Jo nuk do t’i shkarkoj për shkak të kryeministrit, por për shkak të sezonit turistik apo tjetër… Absolutisht jo. Nuk isha këtu politikisht, isha si kryetar bashkie, kështu që… Ai e ka me të vetët, nuk e ka me të mitë”, tha Qosja.
I pyetur në vijim nëse do ta zbatojë kërkesën, në rast se kryeministri ia drejton edhe atij, Qosja tha: “Jo absolutisht. Nuk do ta dëgjoj kryeministrin për këtë vendim”.
“Duke e bërë jemi”, u përgjigj Qosja, kur u pyet nëse ka bërë një analizë të punës së drejtorive nën varësi të bashkisë që ai drejton.
Edhe kryebashkiaku demokrat i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri ka folur për A2CNN duke deklaruar se nuk do të zbatojë ultimatumin e Ramës.
“Nuk i shkarkoj nënkryetarët se po punojnë mirë. Ky sugjerim ishte vetëm për bashkitë e PS, ne konservatorët nuk na kapte”, tha ai.
Por duket se kjo thirrje e tij nuk është marrë parasysh nga kryetarët që drejtojnë bashkitë e fituara nga e djathta. Albert Mëlyshi, kryetari i Bashkisë së Mirditës, tha në një intervistë për Klan News se kjo deklaratë e Ramës është shkelje e autonomisë vendore.
Sipas tij, asnjë kryetar bashkie në vend nuk duhet ta zbatojë atë urdhër. Ai theksoi se personalisht bën analizë çdo tre muaj për stafin e tij dhe vepron sipas perfomancës së secilit punonjës.
“Që në fillim të fjalës sime e përmenda që është një shkelje e autonomisë vendore. Pra është vetë titullari dhe institucioni që merr iniciativa për të matur performancën e punonjësve të saj, administratorëve, drejtorëve dhe stafit. Jam duke vazhduar periodikisht punën time të përditshme dhe diskutimet tre mujore për arritjen e rezultateve ose jo në njësi administrative ose në bashki. Ky është një urdhër që mund të zbatohet nga asnjë kryetar bashkie qoftë edhe të majta. Unë personalisht jam duke bërë analizën time sa i përket stafit. Aty ku shoh mangësi patjetër që marr hapat e duhura. Aty ku performohet mirë, do vazhdojnë në detyrë. Kjo nuk ka lidhje me urdhra që mund të japë kryeministri, të paktën në bashkinë që drejtoj unë. Kjo as që vihet në diskutim”, tha Mëlyshi për gazetarin Besard Jacaj.
Ai deklaroi se kryetarët e bashkive të djathta kanë rënë dakord që të marrin pjesë në takime të tilla, pasi kanë në fokus qytetarët që përfaqësojnë.
“Ne si grup i kryetarëve të bashkive të djathta, bashkëbisedojmë me njëri-tjetrin dhe marrim vendime konsensuale të përbashkëta për të marrë pjesë ose jo në takime të tilla. Përgjithësisht kemi qenë në një mendje që si kryetarë të djathtë të Bashkive duhet të jemi bashkëpunues dhe duhet të jemi aty për të ngritur zërin për qytetarët të cilët përfaqësojmë. Në këtë kontekst mendoj që duhet të jemi përtej atyre që janë takime politike, por në vëmendjen tonë duhet të jetë ideja që ne të përcjellim zërin e qytetarëve në takime me qeverinë, kryeministrin apo ministrat e qeverisë”, tha ai per TV Klan.