Një pjesë e konsiderueshme e kohës sonë sot kalon në botën digjitale, duke kryer aktivitete të ndryshme në internet. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat për vitin 2024, janë analizuar mënyrat kryesore se si qytetarët në Europë, përfshirë edhe shqiptarët e shpenzojnë kohën online.
Vetëm 39% e shqiptarëve e kanë përdorur internetin gjatë vitit për të dërguar emaile, duke e renditur vendin tonë ndër të fundit në Europë për këtë lloj komunikimi. Në kontrast, Irlanda mban nivelin më të lartë të përdorimit të emailit, duke dëshmuar se kjo formë komunikimi mbetet ende shumë e rëndësishme atje.
Kur bëhet fjalë për komunikim zanor ose me video përmes internetit, shqiptarët janë ndër më aktivët: 85% e tyre e kanë përdorur këtë mënyrë, duke e bërë një nga format më të përhapura të komunikimit online. Edhe në vendet e tjera të Ballkanit, kjo përqindje është relativisht e lartë.
Rreth 69% e shqiptarëve përdorin rrjetet sociale për të postuar përmbajtje ose për të hapur profile të reja. Kjo tregon se ne jemi në hap me trendet e fundit globale në mediat sociale. Po ashtu, 62.7% e përdoruesve e shpenzojnë kohën e tyre duke lexuar faqe informative, artikuj ose gazeta online – një tregues i rritjes së interesit për informacionin digjital.
Shkëmbimi i mesazheve në rrjetet sociale mbetet ndër format më të përhapura të komunikimit në Shqipëri. Plot 79.6% e qytetarëve e përdorin këtë mënyrë për të qëndruar në kontakt me të tjerët.
Megjithëse rrjetet ofrojnë hapësirë për të shprehur mendime dhe për të marrë pjesë në diskutime, vetëm 27% e shqiptarëve kanë marrë pjesë në forume ose faqe ku trajtohen çështje politike. Kjo është një nga përqindjet më të ulëta të përdorimit të internetit për qëllime shoqërore apo politike.Në përgjithësi, të dhënat tregojnë se shqiptarët janë shumë aktivë në përdorimin e internetit për komunikim dhe rrjete sociale, ndërsa tregojnë më pak interes për përdorimin e tij në kontekste më formale si emaili apo debati politik.
