Nga Mark Rupa
Nëse nuk veprojmë urgjentisht sot, rrezikojmë të humbasim jo vetëm një fshat, por një identitet, një model suksesi dhe një mundësi unike zhvillimi për Shqipërinë.
Thethi nuk është një problem që zgjidhet me dhunë. Thethi është një histori përkushtimi, një model funksional dhe një pasuri kombëtare që meriton mbrojtje dhe vizion të përbashkët.
Dikur i përshkruar nga Edith Durham si “vendi më i izoluar në Evropë”, Thethi për më shumë se katër shekuj ka qenë simbol i qetësisë, dinjitetit dhe përkushtimit të njerëzve ndaj tokës dhe natyrës.
“Asnjë vend i banuar nga njerëzit – shkruante ajo – nuk më ka dhënë një ndjesi kaq madhështore të izolimit nga bota.”
Sot, kjo perlë e Alpeve shqiptare po kalon një moment të rëndë tensioni dhe përplasjeje publike.
Një histori përpjekjeje dhe ringritjeje
Që në vitet e para të demokracisë, banorët e Thethit u angazhuan për t’u rikthyer te kufijtë tradicionalë të pronësisë së tyre. Nuk pati konflikte, shtyrje gardhesh apo përçarje, vetëm bashkësi dhe respekt për trashëgiminë.
Rreth 300 familje jetonin në Theth në vitin 1991. Më shumë se 95% e tyre u detyruan të largoheshin si pasojë e kushteve të vështira të jetesës dhe izolimit ekstrem. Në vitin 2005–2006, në Theth jetonin vetëm rreth 20 familje gjatë gjithë vitit. Shkatërrimi nisi në çdo aspekt – sepse kur nuk ka njerëz, nuk ka jetë.
Për fat, dhe falë mbështetjes së disa projekteve ndërkombëtare si dhe përkushtimit të individëve me vizion, një dritare e re ekonomike u hap:
TURIZMI Ekologjik.
Me sakrificë, vendosmëri dhe shumë dashuri për vendin, banorët e Thethit e kthyen fshatin në një nga simbolet më të suksesshme të turizmit malor në Ballkan.
Pa ndihmën e shtetit, ngritën bujtina, pritën turistë nga e gjithë bota, u bënë roje të pyjeve dhe maleve, shpëtimtarë të turistëve të humbur, përfaqësues në panaire ndërkombëtare, e madje edhe planifikues e ndërtues të territorit të tyre.
Por ndërsa banorët dhanë gjithçka, ku ishte shteti?
Ku ishin qeveritë e njëpasnjëshme që kanë qeverisur Shqipërinë?
Ku ishin ata që kishin për detyrë ligjore të garantonin të drejtën e pronësisë, të hartonin plane zhvillimi, të mbronin trashëgiminë kulturore e natyrore, të investonin në arsim, trajnime profesionale dhe infrastrukturë?
I vetmi investim serioz në këto 35 vite ka qenë rruga e asfaltuar, që i dha një hov të ri zhvillimit zonës. E dyta dritë shprese ishin 200 dokumentet e legalizimit , të shpërndara në vitin 2024 për banorët e Thethit, një hap i vonuar, por i nevojshëm drejt njohjes së së drejtës legjitime.
Sot, Thethi pret një mbështetje direkte për zgjidhjen e disa problemeve themelore, të domosdoshme për një zonë që aspiron të jetë pjesë e një Shqipërie evropiane.
Aktualisht, Thethi është Park Kombëtar pa Plan Menaxhimi, është Zonë Historike pa strategji ruajtjeje, është i mbushur me banorë pa të drejtë ligjore pronësie, me kulla shekullore që presin leje restaurimi, dhe me mungesa elementare që janë parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të një territorit.
Banorët kanë ngritur zërin për vite me radhë, jo për të ndaluar ligjin, por për të kërkuar zbatimin e të drejtës. Për të pasur një plan. Për të pasur qartësi. Për të mos mbetur peng të vakumit institucional.
Në vend të inxhinierëve, ekologëve, arkitektëve dhe ekspertëve të turizmit, sot në Theth kemi qindra forca policore dhe një konflikt të ashpër.
Sikur numri i ekspertëve që janë angazhuar në 20 vitet e fundit të ishte sa gjysma e forcave të rendit të dërguara këtë javë, Thethi sot do të ishte modeli më i mirë i zhvillimit rural dhe turizmit në Europë.
Dhe megjithatë, Thethi është një model që ka funksionuar:
• Pa subvencione, por me përkushtim
• Pa tituj pronësie, por me dashuri dhe trashëgimi shekullore
• Pa mbështetje institucionale, por me vullnet të hekurt
• Pa përkrahje, por me mikpritje që nderon kombin
Për Thethin flasin portalet më të mëdha ndërkombëtare, agjencitë elitare turistike të Evropës, dhe, mbi të gjitha, miliona turistë që janë pritur me dinjitet dhe dashuri, pa u cënuar as edhe një fije floku.
Por duhet te pranojme qe Thethi nuk është vetëm një territor i bukur për t’u shfrytëzuar.
Thethi është pronë e banorëve që kanë varret në oborrin e kishës. Thethi është pasuri kombëtare. Është Park Kombëtar. Është Zonë Historike me rëndësi të veçantë.
Duke pasur parasysh këtë kontekst, ky moment duhet të shërbejë si një pikë reflektimi, për banorët e Thethit, për shtetin shqiptar dhe për të gjithë aktorët publikë.
Thethi nuk është një problem që duhet zgjidhur me dhunë.
Nevojitet dialog i sinqertë, zbatim i drejtësisë dhe një vizion i përbashkët për të ardhmen e Thethit.
Bëj një thirrje të ndershme dhe me plot shpirtë:
Mesazhi është marrë.
Te terhiqen fadromat dhe forcat e policise.
Të ulen palët.
Të dëgjohen banorët.
Të dëgjohen institucionet.
Të ruhet Thethi.
Nëse nuk veprojmë urgjentisht sot, rrezikojmë të humbasim jo vetëm një fshat, por një identitet, një model suksesi, një mundësi unike zhvillimi për Shqipërinë.