Me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka deklaruar se falë reformave në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të KiE më 21 prill 2024.
Sipas Spiropalit, kjo është një arritje që tregon përparimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ndërsa thekson se Shqipëria është e bindur se Këshilli i Europës nuk është i plotë pa Republikën e Kosovës, duke kërkuar që anëtarësimi i saj të ndodhë sa më shpejt.
“Ky përvjetor është moment reflektimi për rrugën që kemi ndjekur dhe për detyrimet që na presin përpara,” u shpreh Spiropali, duke falënderuar edhe delegacionin e Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE për kontributin e tyre ndër vite.
Mesazhi i Spiropalit: “30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit.
Si rezultat i reformave transformuese në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve demokratike dhe përparimit në zbatimin e standarteve të të drejtave të njeriut, gjatë kësaj legjislature, në 21 prill 2024, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës.
Si vendi kandidat pararojë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky është moment për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar dhe për të shumëfishuar kontributet për Shqipërinë Europiane.
Është rasti të përsërisim qëndrimin e vendosur të Shqipërisë se Këshilli i Europës, kjo organizatë prestigjioze e me impakt global, është jo e plotë pa Republikën e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.
Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin konsistent, të vlerësuar e të spikatur të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të gjitha çështjet kyçe përgjatë këtyre katër viteve.”