Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar procedurën e koncesionit për ndërtimin e segmentit rrugor “Milot-Balldre” me vlerë 364.7 milionë euro dhe kohëzgjatje 35 vjet
Sipas njoftimit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, arsyeja e anulimit është pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushi kërkesat e procedurës konkurruese.
“Asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushin kërkesat e ftesës për procedurën konkuruese, pra nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”, thuhet në buletinin e APP.
Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
Sipas APP-së, ofertuesit janë njoftuar për skalifikimin e tyre nga Autoriteti Kontraktues më 19 qershor.
Autostrada e re Milot-Balldren parashikohet të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standardit europian.
Kjo autostradë do të ketë një gjatësi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët. Gjerësia e saj do të jetë nga tre korsi ne të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km/orë.
