Uashington, 11 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar të enjten në Uashington me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau.
Nikoqiri i Presidentes Osmani, zëvendëssekretari Landau, ka thënë se në takim kanë diskutuar për fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të ardhmen.
Landau, në një postim në rrjetin social X, ka njoftuar se të dy kanë shprehur besimin se “prosperiteti dhe bashkëpunimi ekonomik do të ndihmojnë në largimin e Ballkanit Perëndimor nga përçarjet e së kaluarës dhe do të promovojnë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”.
“Sot, në takimin tim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, diskutuam për fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen dhe shprehëm besimin se prosperiteti dhe bashkëpunimi ekonomik do të ndihmojnë në largimin e Ballkanit Perëndimor nga përçarjet e së kaluarës dhe do të promovojnë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në ra, ka shkruar Landau.

Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara, “në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump”.
“Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë dhe diskutimin e hapur në Washington D.C., Zv. Sekretar i Shtetit, Christopher Landau!
Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump.
Më shumë siguri.
Më shumë zhvillim.
Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona”, ka shkruar ajo.
Presidentja Osmani është takuar të enjten në Uashington edhe me Senatorin Andy Kim.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e fuqishme dhe të palëkundur të Kongresit Amerikan!
Në Washington D.C., kisha kënaqësinë ta takoj Senatorin Andy Kim, për të diskutuar forcimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Amerikës në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, përfshirë sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe inovacionin!” ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Të mërkurën, më 9 korrik, Osmani ishte takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë të ditur se me diplomatin Hanrahan kanë diskutuar për “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.
“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyç si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”, ka shkruar ajo
Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani ka mbajtur edhe një ligjëratë në universitetin “Johns Hopkins”, kua ka thënë se ka informacione të besueshme se Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë javët e fundit.
“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo ka theksuar se nuk bëhet fjalë për situatat e mëparshme, por për “zhvillime shumë, shumë të vona”.
“Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, ka thënë Osmani, duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur një grup serbësh patën sulmuar Policinë e Kosovës.
Presidentja Osmani ka theksuar se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe se ato nuk duhen nënvlerësuar.
Ajo ka thënë se presidenti Trump, deri tani, ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij për të siguruar ruajtjen e paqes në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Osmani ka thënë se administrata e presidentit Trump ka ide të reja për t’i forcuar më tej ato.
“Ne duam të ulemi me partnerët në këtë administratë për t’u shpjeguar se si Kosova ka këtë potencial. Kjo, natyrisht, është në interes të popullit tonë, në interes të vendit tonë dhe në interes të rajonit tonë. Por, në të njëjtën kohë, kjo përputhet me prioritetet e administratës Trump për ta bërë Amerikën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”, është shprehur ajo/
Takimi me diplomatin amerikan Hanrahan, Kurti: Kosova, partnere e besueshme e SHBA-së!
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mbrëmjen e së shtunës me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan në Prishtinë, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet biletarale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Kryeministria, palët kanë diskutuar në një darkë pune edhe për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.
Takimi është zhvilluar në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.
Pjesë e takimit kanë qenë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq.
Para vizitës në Kosovë, Hanrahan ka realizuar vizita në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe është zyrtari më i lartë që ka vizituar rajonin e Ballkanit prej administratës së re amerikane.
Kurti është zyrtari i dytë i lartë nga Kosova që ka takuar Hanrahanin, pasi ditë më parë ai ka realizuar takime edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Uashington.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se bashkë me zyrtarin amerikan kanë diskutuar për “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Në Serbi, Hanrahan është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përmes një postimi në Facebook, presidenti serb ka thënë se bashkëpunimi ekonomik produktiv mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara duhet të jetë baza e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook, duke përmendur se me diplomatin amerikan ka diskutuar edhe për situatën në Ballkan.
Në nisje të vizitës, vetë Hanrahan ka thënë se pret me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të rajonit të Ballkanit./rel
Diplomati i DASH viziton Kosovën, takohet me disa prej krerëve të opozitës! Diskutohet për krizën politike dhe marrëdhëniet me Serbinë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami dhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë takuar në pasditen e së dielës me diplomatin e Zyrës së Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatke, Brendan Hanrahan.

Hanrahan është zyrtari më i lartë i administratës së re amerikane që viziton Kosovën.
Krasniqi ka thënë se me Hanrahanin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë e përtej dhe ka theksuar përkushtimin e partisë së tij për bashkëpunim politik dhe zgjidhje në të mirë të qytetarëve.
“Biseduam për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi në Facebook.
Hykmete Bajrami ka thënë se në takim me Hanrahanin ka folur për krizën institucionale në Kosovë – referencë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët mblidhen prej 15 prillit në tentim për të konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mirëpo nuk arrijnë të gjejnë kompromis për situatën e krijuar.
Bajrami ka thënë se LDK-ja qëndron në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror.
“Ndava propozimin e LDK-së për një qeveri kalimtare, që do të mundësonte tejkalimin e bllokadës dhe kthimin e vendit në normalitet institucional deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, si dhe shpreha gatishmërinë për të diskutuar edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që sjellin stabilitet”.
Situata është bllokuar në Kuvend pasi PDK, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje – fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit – kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.
Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë përmes një komunikate se në takim kanë diskutuar me zyrtarin amerikan për ato që i kanë cilësuar ”veprime të njëanshme të përditshme të institucioneve në Prishtinë, të cilat e përkeqësojnë më tej situatën e brishtë të sigurisë dhe cenojnë të drejtat themelore të popullit serb”.
Megjithatë, ata nuk kanë përmendur diçka specifike kur kanë folur për cenimin e të drejtave të komunitetit serb.
Një ditë më parë, diplomati amerikan është takuar edhe me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.
Përmes një komunikatë për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se palët kanë diskutuar për marrëdhëniet biletarale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.
Para Kosovës, Hanrahan ka zhvilluar vizita edhe në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.
Në nisje të vizitës, ai ka thënë se pret me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të rajonit të Ballkanit./ REL