VALENTINA MADANI/ Në muajin shtator, opozita ka vendosur t’i kundërvihet qeverisë me protesta mbarëkombëtare, duke mos përjashtuar as grevën e urisë në Kuvendin e ri.
Por, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, jep mesazhin e qartë se duhen ndërmarrë akte që t’i shërbejnë arritjes së qëllimit, të jenë efikase, jo thjesht për të bërë ‘show’. Deputeti demokrat thotë për gazetën “Panorama” se greva e urisë vërtetë mund të tërheqë vëmendje ndërkombëtare, por është dyshues nëse do të sillte rezultatin që duhet. Edi Paloka ka bindjen se, “qeveritë i rrëzojnë popujt, padrejtësitë i lufton reagimi qytetar”, ndaj ai apelon shqiptarët për një reagim të fortë deri në përmbysjen e regjimit nga pushteti.
Teksa i konsideron zgjedhjet e 11 majit një farsë elektorale, deputeti demokrat flet për krijimin e një qeverie teknike si garante të votës së lirë dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve. Në këtë situatë, ai nuk mbështet zërat për një largim të Sali Berishës nga drejtimi i partisë. Sipas tij, Berisha ka meritat që e nxori PD-në nga koma dhe dorëheqja e tij do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej partisë në këtë moment.
Z.Paloka, PS-ja vazhdon të qeverisë vendin, kurse PD-ja është sërish në opozitë. Për cilat arsye nuk u mundësua rotacioni politik më 11 maj?
PS-ja nuk e ka qeverisur asnjë ditë vendin në këto 12 vjet në fakt, por ka pushtetëruar në mënyrën më të keqe të mundshme. Në përgjigje të pyetjes suaj, që të mundësohej rotacioni politik, do të duhej të kishte zgjedhje më 11 maj. Zgjedhje nuk ka që kur Rama është bërë kryeministër, e përderisa nuk ka zgjedhje, nuk mund të ketë rotacion politik. Praktikisht, ne jemi nën diktaturë. Një kopje e diktaturës komuniste, me disa ndryshime të vogla, por që në bazë të saj ka pikërisht eliminimin e votës së lirë.
Si është aktualisht situata brenda opozitës? Çfarë po ndodh pas humbjes së 11 majit…?
Opozita po kryen detyrën e saj, ka kapur hajdutin dhe e ka vënë në bankën e të akuzuarit përpara “drejtësisë” së opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare. Opozita po çmonton dhe demaskon çdo ditë farsën e 11 majit.
Pas humbjes, nga duhet ta rifillojë PD-ja…? A duhet të ketë një proces analize brenda saj?
Së pari, fitore apo humbje ka vetëm kur zhvillohet një garë. Kur nuk ka garë, sigurisht nuk mund të flitet as për humbje. E që nuk ka pasur garë, tashmë e kanë konfirmuar disa raporte ndërkombëtare, përfshi atë të OSBE-ODIHR. A duhen bërë analiza? Sigurisht, edhe pas farsës ka nevojë për analiza dhe zgjidhje.
A duhet të dorëhiqet Sali Berisha nga drejtimi i PD-së?
Berisha u rikthye në krye të Partisë Demokratike kur PD-ja ishte në koma dhe zyrtarisht mbahej peng nga Rama. Sapo PD-ja filloi t’i rikthehej normalitetit, Berisha u arrestua. Praktikisht, Berisha e drejtoi Partinë Demokratike vetëm dy muaj. Pra, edhe sikur të mos ishim përballë një farse zgjedhore, Berisha do të ishte njeriu më pak përgjegjës për një humbje të PD-së. Përkundrazi, Berisha ka meritat që e nxori PD-në nga koma, mori mbi supe pothuajse i vetëm gjithë fushatën dhe sot është njeriu, që po me ato energji po demaskon përpara gjithë botës jo vetëm farsën zgjedhore, por edhe të gjithë të vërtetën për diktaturën më të re që është vendosur në vend! Dorëheqja e Sali Berishës do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej Partisë Demokratike në këtë moment.
Burgosja e Erion Veliaj duket se do e çojë Tiranën drejt zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e ri. A është e përgatitur opozita për një garë të tillë vendore së shpejti dhe për ta fituar atë?
11 maji rikonfirmoi se me Ramën nuk ka zgjedhje. Në këto kushte, mendimi im ka qenë dhe mbetet se opozita duhet të përdorë çdo mënyrë për t’i rikthyer zgjedhjet në Shqipëri e të mos bëhet pjesë e farsave zgjedhore që përsëriten prej 12 vjetësh. Ky ka qenë dhe mbetet mendimi im i shprehur mëse një herë publikisht. Por, ndërkohë në statutin e Partisë Demokratike, në mënyrë eksplicite është vendosur që PD-ja nuk bojkoton më zgjedhje. Si doqoftë, do të këtë vendime të forumeve për qëndrimet e PD-së në ditët që vijnë.
A do të japë opozita konsensus për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale?
Pozicioni i opozitës është bërë i qartë besoj. Ne nuk njohim këtë farse, nuk njohim një qeveri dhe maxhorancë të dalë nga një farsë e për rrjedhojë, nuk mund të ulemi në asnjë tryezë me ta. E vetmja “marrëveshje” dhe konsensus do të ishte ngritja e qeverisë teknike dhe përsëritja e zgjedhjeve.
Kush mund ta çojë opozitën drejt pushtetit?
Opozitën në pushtet e çojnë zgjedhjet e lira e të ndershme me një qeveri teknike.
Sa i mundshëm është krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhjet e reja?
Sigurisht, as qeveria teknike e as zgjedhjet e reja nuk bëhen me vullnetin e atij që është armik i opozitës dhe i zgjedhjeve. Duhet presioni i institucioneve ndërkombëtare, por mbi të gjitha duhet reagimi i shqiptarëve. Institucionet ndërkombëtare mund të them se me forma të ndryshme, të drejtpërdrejta dhe diku pak më diplomatike kanë reaguar dhe i kanë hedhur poshtë këto zgjedhje. Pritet edhe raporti final i OSBE-ODIHR. Ndërkohë kemi pasur katër rezoluta paralajmëruese për manipulimin e zgjedhjeve nga Rama, por duhet ta ketë të qartë gjithkush që ndërkombëtarët kaq mund të bëjnë. Ata që duhet të reagojnë për ta ndryshuar këtë realitet janë ata që e pësojnë, shqiptarët. Më bëri përshtypje një konstatim i ambasadorit Werner, ishambasadori gjerman gjatë ngjarjes së ambasadave në Tiranë: “M’u desh të veproja në kundërshtim me udhëzimet e qeverisë sime, e cila nuk dëshironte të bëhej shkak për prishjen e marrëdhënieve me qeverinë shqiptare”, – tha ai pak a shumë në intervistën e tij të fundit para se të ndërronte jetë pikërisht në Tiranë.
Pra, kur qeveritë evropiane ishin të matura e të kujdesshme për të mos u imponuar edhe ndaj një regjimi si ai komunist në ‘90, çfarë mund të presim sot, aq më tepër kur Rama ka treguar se e vetmja “zotësi” e tij është korruptimi edhe i ndërkombëtarëve herë me favore të drejtpërdrejta në para e herë duke shitur interesat e shqiptarëve te qeveritë e huaja! Në korrik të ‘90 ambasadat u treguan mikpritëse, por ishin shqiptarët që thyen muret e u përplasën me policinë e regjimit. Edhe në dhjetor asnjë ndryshim nuk do të ndodhte, nëse nuk do ishim ngritur ne. Sot vërtetë Rama është diskretituar në opinionin ndërkombëtar. Është e vërtetë që nuk mund të mbahet në këmbë nga Yuri Kimet e Soros, të cilët janë “non grata” në Departamentin e Shtetit, por nëse nuk reagojnë shqiptarët për padrejtësitë që iu bëhen çdo ditë, pse do të vijnë të huajt e të na shpëtojnë?!
Cilët janë mekanizmat e opozitës për të rrëzuar qeverinë? A do të ketë një strategji konkrete në muajin shtator, kohë kur nis dhe Parlamenti i ri?
Strategjia do të vendoset e do të miratohet nga forumet e Partisë Demokratike dhe opozita.
Është përmendur skenari për grevë urie të deputetëve në legjislaturën e re. A është greva e urisë një opsion?
Mendoj që ne duhet të ndërmarrim akte që t’i shërbejnë arritjes së qëllimit, të jenë efikase, jo thjesht të bëjmë show. Greva e urisë vërtetë mund të tërhiqte vëmendje ndërkombëtare, por unë dyshoj që do të sillte rezultatin që duhet. Deri tani, në kujtesën time, vetëm një grevë urie ka rezultuar e suksesshme, ajo e jona në shkurt të ’91-shit. Por, ajo grevë pati sukses sepse populli u lëshua në rrugë dhe përmbysi monumentin e diktatorit. Pra, nuk është greva në vetvete që detyron një qeveri të ndryshojë apo tërhiqet nga vendimet e saj, por reagimi qytetar. Nëse do të mjaftonte një greve urie për të rrëzuar qeveritë, atëherë nuk do kishte qeveri të qëndronte në këmbë. Qeveritë i rrëzojnë popujt, padrejtësitë i lufton reagimi qytetar. Për fat të keq unë shoh që populli im vetëm kur i shkon e keqja në derë, e kupton se nuk duhej lejuar e keqja të qëndronte në pushtet. Kjo është histori që vazhdon prej 12 vjetësh.
Kreu demokrat, Sali Berisha, ka paralajmëruar protesta antiqeveri në shtator, por sa efektive do të jenë ato në një kohë kur nuk mundi që ta rrëzonte dot me votë?
Unë kam kohë që e them, ne jemi në diktaturë dhe diktaturat nuk ikin me votë! Shqiptarët e kishin në dorë ta hiqnin të keqen me votë edhe më 11 maj, po nuk e bënë! Të jem i sinqertë, për mua ata që i dhanë votën Ramës janë fajtorë e bashkëfajtorë në krim. Për mua pak rëndësi ka nëse u mashtruan, u blenë, ranë preh e shantazhit apo cilado qoftë arsyeja që pranuan të manipulohen e të votojnë Ramën; ata kanë bërë një krim ndaj vendit të tyre, por edhe ndaj vetes e fëmijëve të tyre. Po shohim shpesh këto ditë nga Vlora në Dukagjin nga ata që thonë: “Na u thaftë dora që votuam Ramën”. Në 12 vjet janë bërë shumë që mallkojnë kështu e pastaj e gjejnë zgjidhjen tek ikja nga vendi. Ia kanë bërë vetes, fëmijëve të tyre, por edhe gjithë pjesës tjetër të shqiptarëve që nuk e pranojnë këtë diktaturë e padrejtësi! I dhanë të keqes një mandat tjetër. Në sajë të tyre, ne sot nuk kemi më as demokraci, as liri, as një qeveri që të mendojë e mbrojë interesat e shqiptarëve. Tani ne kemi “mret” Ramën! Kemi “mretin” tonë, jo atë që do na duhej, po atë që meritojnë ata që e votuan dhe e mbajtën për ta mallkuar pak ditë pasi e votuan! Ne sot na sundon “mreti shurraq”. Shqiptarët e kanë në dorë të vazhdojnë të mashtrohen, të dhunohen e të poshtërohen nga “mreti shurraq”, ose të reagojnë. E keqja nuk luftohet vetëm kur të vjen te pragu i shtëpisë, se atëherë është vonë!
Kryeministri e ka nisur mandatin e katërt qeverisës me shkarkime masive të drejtuesve vendorë, gjë që siç duket, do i paraprijë atij qendror në vjeshtë. Si i shikoni ultimatumet e kryeministrit…?
Rama ka ndërmarrë një sërë aktesh këto kohë, që duke njohur dhe historikun e sjelljeve të tij, duket se synojnë të tërheqin vëmendjen në radhë të parë pikërisht nga farsa zgjedhore. Rama po përpiqet të krijojë idenë se tashmë 11 maji është histori e mbyllur e njerëzit duhet të rihyjnë në rutinën e këtyre 12 viteve. Në fakt, Rama krijon shpesh situata paradoksale si kjo aktualja. Të kërkosh shkarkimin e gjithë drejtuesve të pushtetit lokal në të gjithë vendin, duke argumentuar që ata janë shkaktarët e situatës së keqe që po kalon vendi, ti pranon realitetin për të cilin opozita ka 12 vite që reagon! Madje, po të dëgjosh Ramën, zbulon se situata është edhe më keq. Fakt është që raportet më të fundit të institucioneve të specializuara ndërkombëtare, vetëm muajt e fundit kanë konfirmuar disa të vërteta: shqiptarët janë më të varfrit në Evropë, shqiptarët kanë cilësinë e jetës më të keqe në Evropë, shqiptarët janë më të palumturit në Evropë dhe e fundit, shqiptarët kanë koeficientin më të ulët të inteligjencës në Evropë.
Arsyet shqiptarët i dinë shumë mirë, po siç duket, ai studimi i fundit ka bërë që të vazhdojmë të kemi në krye një qenie si Rama. Kryeministri në të gjitha daljet e fundit të tij me fjalë dhe me shkarkime e ka konfirmuar këtë realitet. Vetëm se Rama nuk na e shpjegon dot paradoksin; përderisa vendi është në gropën që vetë Rama po e pranon, kush e votoi Ramën për herë të katërt dhe pse?! Rama duke shkarkuar gjithë drejtuesit e administratës së tij në pushtetin lokal, thjeshtë u hedh shqiptarëve prenë e radhës, “fajtorët” e radhës, siç bënte dikur dhe Enveri, por kjo prapë nuk shpjegon se pse dhe kush e votoi Ramën më 11 maj, përderisa ai vetë po pranon se gjendja në këtë vend është aq katastrofike sa të gjithë ata që kanë drejtuar, duhen shkarkuar!
Enveri shtyu 50 vjet duke nxjerrë çdo dekadë nga një grup armiqësor e duke i akuzuar ata për dështimet e tij. Kjo vazhdoi deri sa shqiptarët e panë veten pa bukë në bark e pa brekë në b..thë! Do ta përsërisim historinë? Në fakt, ajo që po ndodh në Theth për mua ka një mesazh shumë fatkeq, tregon që edhe pas 12 vjetësh, ka njerëz që vazhdojnë të besojnë e të pësojnë nga mashtrimet e këtij njeriu. Sa për aspektin ligjor e kushtetues, dihet që Rama nuk ka asnjë kompetencë të tillë. Gjithçka është antikushtetuese. Po kjo nuk është më një gjë e re në këtë vend!