Gjatë një jave që nga nisja e këtij aksioni, IKMT ka shembur objektet pa leje, por u përball herë pas here edhe me kundërshtimin e banorëve. Por ndryshe nga ditët e tjera, gjatë së dielës, në punën e inspektorëve nuk pati rezistencë nga pronarët e ndërtimeve. Puna e mbetur pritet të vijojë, pasi sipas IKMT janë konstatuar në total rreth 80 ndërtime të cilat nuk kanë lejet përkatëse të zhvillimit të pronës.
Të ulur këmbëkryq para Kishës simbol të Thethit, Kuvendi i Burrave u mblodh si dikur për t’i kërkuar qeverisë të ndalë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje. ‘Këto kulla i kemi mbrojtur me gjak’, thanë banorët njëzëri përballë priftit Pader Kastriot Demaj.
Të gjithë bashkë kërkojnë dialog me qeverinë, duke thënë se jemi për paqe dhe jo shkatërrim. Kuvendi simbol i Burrave u mblodh ndërsa paralelisht në terren IKMT po vijon aksionin në ditën e shtatë për prishjen e objekteve. Banorët kërkojnë të gjejnë rrugëzgjidhje dhe të mësojnë më shumë se si mund të bëhen pjesë e paketës së maleve për të ndërtuar bujtinat.
“Kam bërë thirrje qeverisë për të ndërprerë aksionin se nuk është e arsyeshme. U kam bërë thirrje se ata i kanë gabimet, i kanë parë me sytë e vet që janë bërë, nuk duhet të ishin lejuar të bëheshin. Ato shtëpitë tona nuk janë prish akoma, por do tu vijë dita. Duhet me vlerësuar si tek familja ime. Edhe në Kosovë kur serbi ka ardhur, atje u derdhte gjak, edhe zemra e shqiptarëve derdhte gjak. Anë e mbanë botës, gjithë Dukagjini, Puka, më kanë shkruar që jemi me ju, por gjithmonë duke kërkuar të drejtat tona”, tha një prej banorëve.
Një prej banorëve të zonës, Zef Vladi bëri thirrje që të mos u prishen shtëpitë, duke thënë se jemi vëllezër e duhet të bisedojmë. Mbështetje gjetën edhe nga prifti, i cili po ashtu bëri thirrje për dialog.
“Ne jemi ata që e kemi mbrojtur këtë tokë. Këto kulla janë bërë me djersë e larë me gjak, i kemi mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme as shteti, as kurrkush me ardhur me hy në tokat tona, tokat shekullore. Ku sot i ke pa tapi. Të ulemi të bisedojmë, jo të shkatërrojmë. Jemi vëllezër, nuk është e arsyeshme. Po del populli në rrugë të madhe, jemi për paqe, por duhet të bisedojmë, kërkoj dialog me ta. Të vijnë këtu, përse shembin, jemi vëllezër”, tha ai.
Aksioni vijon në ditën e shtatë, ndërsa deri më tani janë prishur rreth 70 objekte pa leje. Në mbështetje të fadromave të IKMT në terren kanë shkuar dhjetëra forca policie pasi herë pas here situata tensionohet nga banorët, të cilët kanë pasur edhe përplasje me efektivët.
Paralelisht, strukturat e bashkisë po punojnë për heqjen e inerteve dhe pastrimin e zonës për të mos pasur impakt tek të huajt që po vizitojnë Thethin në këtë periudhë.