HomeTe tjeraPushkatimi më 1945, si u pre në besë komunistët Prek Calin me...

Pushkatimi më 1945, si u pre në besë komunistët Prek Calin me kryqin para! I thanë që të dorëzohej, por… Të prangosur e dërguan në këmbë deri në Shkodër për të terrorizuar banorët

NIKOLL PJETËR CURI (HYSAJ)/ Këto ditë të nxehta korriku, kur e gjithë vëmendja e mbarë opinionit publik është përqendruar në ngjarjet e Thethit, për shkak të ndërtimeve turistike që janë bërë në atë zonë të thellë dhe nga më piktoresket e Shqipërisë, disa km më në Veri, në Vermosh, ka ndodhur një ngjarje tjetër e shëmtuar dhe e paprecedent, madje në kufijtë e vandalizmit. Persona të papërgjegjshëm, por me vetëdije të plotë, kanë hequr dhe shkatërruar memorialin përkujtimor kushtuar Prek Calit (“Martir i Demokracisë”) dhe nëntë burrave të tjerë të zonës së Vermoshit, të cilat u persekutuan, masakruan dhe u pushkatuan nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha, në periudha të ndryshme të sundimit të tij. Lidhur me këtë akt të rëndë, sa brutal, aq dhe primitiv të ndodhur para disa ditësh, jemi munduar që të sensibilizojmë të gjithë opinionin publik e bashkë-atdhetarët tanë Vermoshas, kudo që ndodhen ata, si këtu në Michigan e në New York, ashtu edhe në Vermosh, pasi ai memorial në përkujtim të dhjetë të pushkatuarve nga regjimi komunist diktatorial, në radhë të parë na përket të gjithëve ne banorëve të asaj zone, që jo vetëm se kemi kontribuar shpirtërisht dhe materialisht për ngritjen e tij, por edhe mbarë vendit, pasi heroi Prek Cali, nuk është një personalitet që i përket vetëm historisë së zonës së Vermoshit, por mbarë Shqipërisë.

Dhe së dyti, sepse tek ai memorial, ne kemi emrat e prindërve dhe gjyshërve tanë, ku katër prej tyre, ende nuk kanë një varr, pasi edhe sot e kësaj dite, nuk u janë gjetur eshtrat e tyre. Ndërsa sa më sipër, Vermoshasit i dinë dhe i kanë të qarta të gjitha këto, për lexuesit dhe mbarë opinionin publik, desha të sqaroj se ai memorial kushtuar dhjetë burrave të krahinës sonë, është përgatitur dhe vendosur aty para 20 vitesh, me nismën dhe punën e përbashkët të gjithë banorëve të Vermoshit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët kush më shumë e, kush ma pak, me të gjitha mundësitë që kishin, kontribuuan për vendosjen e tij. Po ashtu ajo gja u bë realitet, edhe me bekimin e dy klerikëve katolik, Patër Serecës dhe Ambroz Martinit, të cilët së bashku me dy deputetët e Parlamentit Shqiptar që përfaqësonin zonën tonë e, drejtues të shoqatave të ishtë Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, etj., morën pjesë bashkë me banorët e asaj zone, në përurimin e saj, ku u shtrua edhe një drekë përkujtimore, për të gjithë të ftuarit (mbi 250 veta), në përshpirtje të atyre viktimave që u kushtohej ai memorial.

WhatsApp Image 2025-07-14 at 17.45.03

Duke mos u zgjatur më në këtë pikë, si një nga ideatorët, kontributorët dhe organizatorët e atij memoriali, gjej rastin që t’i falënderoj të gjithë ata që ndihmuan dhe kontribuan në këtë vepër përkujtimore, e cila që prej 20 vitesh, pra që nga dita që u përurua, është kthyer dhe ka shërbyer si një vend pelegrinazhi jo vetëm për të gjithë banorët e zonës së Vermoshit, por edhe për qindra e qindra turistë vendas dhe të huaj, që vizitojnë atë zonë nga më të bukurat e Shqipërisë. Por siç theksova pak më sipër, prej disa ditësh, ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte në asnjë mënyrë, heqja dhe prishja e atij memoriali!

PA ASNJË MARRËVESHJE

Sidoqoftë arsyet që i kanë shtyrë ata persona që kanë ndërmarrë atë akt vandal e primitiv, madje pa e tepruar aspak, theksoj se ai është një akt banditesk, sepse nuk duhej që të hiqej në asnjë mënyrë, pa një marrëveshje të përbashkët me të gjitha palët e, kryesisht me ata që kanë familjarët e tyre në atë memorial, ku siç theksova pak më lart, katër prej emrave që janë skalitur aty, nuk kanë ende një varr dhe si i tillë, u ka shërbyer pikërisht ai vend. As pushtuesit e huaj, që nga koha e Turqisë me më pas, (me përjashtim të regjimit komunist të Envevr Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia), nuk dimë që të kenë prekur varret tona apo, vendet e objektet simbolike, kushtuar figurave historike dhe me kontribut në çështjen kombëtare, siç është dhe Prenk Cali. Siç theksova pak më lart, të dhjetë këta martirë që kanë emrat në këtë memorial, nuk i përkasin vetëm familjeve dhe fisit të tyre, pasi me veprën dhe kontributin që kanë dhënë në periudha të ndryshme kohore, kanë hyrë dhe janë krenaria e nderi i të gjithë Vermoshit.

Në atë vend u pushkatuan Marash Vata Lumaj e Dod Prek Nika (Bujaj), po aty u torturua Pjetër Gjeka Hysaj, pra aty në atë oborr, është gjaku i tyre, ai gjak që vlon dhe do të vloj edhe tek pasardhësit e tyre. Po kështu në bazë të dokeve dhe zakoneve tona, sipas kanunit, ai vend dhe ai memorial përkujtimor, do të mbetet, gjithashtu, edhe turpi i të gjithë atyre njerëzve që vunë dorë mbi atë vend të bekuar nga dy priftërinj të nderuar, që e bekuan atë para 20 vitesh. Aty është gjaku dhe nderi i atyre dhjetë personave të pafajshëm dhe si i tillë, gjej rastin t’ju u bëj thirrje jo vetëm familjeve të tyre, por të gjithë Vermoshasve që kanë ndjenja kombëtare dhe fetare që, të reflektojnë e ta riparojnë sa më parë atë akt vandal e primitiv, duke e vendosur atë memorial, në një vend që “të mos ua zërë rrugën”, këtyre njerëzve që nuk kanë dëshirë me i pa emrat e atyre dhjetë burrave që janë të skalitura aty dhe që “mos t’u japin shkas” atyre, që ta prishin e ta hedhin përsëri në tokë, ashtu siç kanë bërë para disa ditësh.

Kjo thirrje, nuk është vetëm e jona, por ajo është edhe e Prenk Calit me Dom Ded Macajn e, me të gjithë ata burrat tjerë, pasi po mos të ishte mençuria, guximi dhe patriotizmi i Prenk Calit me ata burrat e tjerë të Kelmendit, aty do të valëvitej edhe sot flamuri malazez e, jo flamuri shqiptar. Kjo gjë nuk ndodh e nuk ka ndodhur as me autoritetet zyrtare në Mal të Zi, ku jo vetëm nuk i përdhosin figurat kombëtare, por në Tuz, në oborrin e kishës, është busti i Ded Gjon Lulit, Gjergj Kastriotit Skënderbeut e Tring Smajlja, figura emblematike të Shqipërisë, që as nuk guxon njeri t’i përdhosi, siç ka ndodhur në Vermosh, me memorialin kushtuar atyre dhjetë burrave, me në krye Prek Calin.

WhatsApp Image 2025-07-14 at 17.45.03 (1)

PARADOSKI

Për hir të së vërtetës dhe është për të ardhur keq, se memoriali në kujtim të dhjetë burrave të Vermoshit me në krye Prenk Calin, nuk u hoq nga pushteti lokal a qendror, siç po ndodh gjithashtu e në mënyrë të papërgjegjshme me ndërtimet e Thethit, po në këtë formë e hoqën atë disa persona që përbëjnë Këshillin e Kishës, së bashku me përfaqësues së Shoqatës së ish-të Përndjekurve dhe Persekutuarve Politikë, madje bash kryetari i saj, ishte në krye të kësaj “pune”, që ja vuri pirunin e fadromës pa kurrfarë arsye, vetëm se ishte në shërbim në krye të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, si koordinatori i Partisë Social-Demokrate, e cila doli forcë e dytë në Vermosh, mbas Partisë Socialiste. Ndërsa paradoksalisht Partia Demokratike (me kryetar z. Sali Berisha), doli forcë e tretë, edhe pse në një fshat me 29 burra dhe gra të burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës e pasardhësit të tij Ramiz Alia, ku 10 burra u pushkatuan dhe mbi 50 familje u internuan.

Është për të ardhur keq gjithashtu, se vetë drejtuesit e Shoqatës së ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të asaj zone, i kanë pasur aty emrat e familjarëve të tyre, gjë e cila siç dihet tashmë, nuk u intereson forcave politike të majta, që po qeverisin këtë vend prej vitesh. Kur erdhi puna për ta prishur e përdhosur memorialin, Frati i asaj kishe, i pyeti disa nga ata burra dhe shumë prej tyre nuk ia aprovuan atë gjë. Por përgjigjja më e mirë që mori, ishte ajo nga Marash Rroku (Bujaj), i cili i tha: “Tani mos na pyet ne, por ban siç e keni ju vetë në plan”. Marashi i tha ashtu sepse, siç tregonte ai: “Mua personalisht, me të drejtë mund të më thotë dikush, se: ti Marash nuk ke financu asgja në ndërtimin e atij memorali. Po, kjo është më se e vërtetë, pasi unë nuk kam marrë pjesë, sepse aty kisha axhën Dodë, kisha çunin që më kanë pagëzu në kishë dhe nuk kisha zëmër me vu dorë mbi atë përkujtimore, që ishte beku nga dy priftërinj edhe i gjithë populli i Vermoshit. Prandaj i thashë fratit; vetm ti mundesh, se nuk je vëndali, kurse unë po të vë dorë mbi atë memorial, edhe djajlit të djalit tim kanë me i thanë, se; gjyshi jot ka vu dorë mbi heronjtë e Vermoshit, me në krye Prek Calin”!

WhatsApp Image 2025-07-14 at 17.45.03 (2)

ZHVENDOSJA

Prishja e memorialit në fjalë, nën pretekstin e zhvendosjes dhe vënien e tij në një shesh ku ka grumbullime të popullit edhe ku mund të përfitohet edhe ndonjë lëmoshë apo, se gjoja duan me pastru oborrin e kishës, pra këta dhjetë burra, i krahasojë si mbeturina që u kanë zënë vendin aty, është turpi më i madh që i bëhet jo vetëm atyre dhjetë burrave, por gjithashtu të gjithë historisë së Vermoshit. Kjo gjë ka sjellë një reagim dhe irritim të madh të të gjithë vermoshasve, kudo ku ata ndodhen. Kështu dhe ne në SHBA-ës, jemi mbledhur dhe kemi diskutuar gjatë për këtë ngjarje tejet të shëmtuar dhe kemi rënë dakord, që të insistojmë në çdo rrugë morale dhe ligjore, që t’i kthejmë në vendin e merituar ata dhjetë burra me në krye Prenk Calin. Dhe pjesëtarët e këtyre familjeve që jemi angazhuar ta bëjnë sa ma parë këtë gjë, po prononcohemi publikisht, me emra dhe mbiemra, si:

  • Mark Rexhaj
  • Gjergj Vat Lekstanj
  • Nikolin Dod Rexhaj
  • Aleks Gjelosh Lumaj
  • Gjyshi, (nipi i Dom Ded Macaj)
  • Anton Lajcaj (nipi Prek Calit)
  • Kastriot Ndue Rexhaj
  • Nikoll Curi
  • Nik Peraj
  • Ejëll Gjergj Rexhaj
  • Gjok Rexhaj
  • Ervin Tinaj (avokat)
  • Kanto Zef Vushaj
  • Gjovalin Vushaj
  • Lodovik Pjetri Volaj
  • Mark Nikoll Sokoli (Vushaj)
  • Kanto Beqi
  • Blerim Lumaj
  • Petrit Tinaj
  • Todi Fran Hysaj
  • Ndue Nikollë Hysaj
  • Tom Nikolle Hysaj
  • Nik Gjeloshaj
  • Pëllumb Tinaj

Po kështu edhe shumë e shumë të tjerë Vermoshas, brenda dhe jashtë vendit që kanë shprehur përkrahjen e kësaj nisme për të vendosur në vendin e duhur atë memorial përkujtimor, të cilët janë jo vetëm në përkrahje morale, por të gatshëm të kontribuojnë edhe nga ana financiare për ri ngritjen e kësaj vepre, që tashmë prej disa ditësh është e shkatërruar. Po kështu nga kontaktet e ndryshme që kemi përditë, besojmë se kanë me u afru prap edhe persona të tjerë, që duke mos cenuar fondet e kishës së re që është në ndërtim, të ndihmojmë financiarisht në dy këto drejtime, pra kishën dhe memorialin. Gjithashtu t’ju themi e t’ju bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve vendore dhe fetare, që të mos të na pengojnë në këtë drejtim, ashtu siç nuk na kanë penguar kur është vendosur ai memorial 20 vite të shkuara.

MARTIRËT

Gjej rastin të përmend këtu një shembull tjetër tolerance fetare dhe mirëkuptimit, siç është ai në qytetin e Shkodrës, ku brenda në oborrin e xhamisë që ndodhet përballë Hotel Turizmit (“Rozafa”), është memoriali përkujtimor kushtuar Pëllumb Nikoll Pëllumbit, djaloshit 17 vjeçar që u vra në kufi nga regjimi komunist në vitin 1990, në tentativë për t’u arratisur nga Shqipëria. Pra atë djalosh të besimit katolik, e nderojnë sot në atë vend kulti të besimit mysliman, pasi ai i përket të gjithë Shkodrës dhe ai memorial simbolik, është kthyer në një vend pelegrinazhi për të gjithë banorët e qytetit, të të gjitha besimeve. Kurse për fat të keq, në Vermosh ka ndodhur krejt e kundërta, pasi tre katër prej atyre martirëve që kanë emrat në atë memorial, si Prenk Cali, Nik Mark Rexhaj dhe Fran Mali Lekstanaj, nuk kanë ende një varr, pasi eshtrat e tyre nuk janë gjetur edhe sot e kësaj dite. Nisur nga ky fakt, jo vetëm familjarët e këtyre tre martirëve, por të gjithë banorët e asaj zone të Vermoshit dhe më gjerë, në këto 20 vite, kanë shkuar aty dhe kanë vendosur nga një tufë lule, në kujtim të jetës dhe veprës së tyre.

Kjo gjë është një respekt dhe nderim që u bëhet atyre dhjetë burrave, ku njëri prej tyre, Fran Mali, është i vetmi kelmendas, që ka dhënë jetën me pushkë në dorë, duke luftu në Rikavec, kundër dy palë komunistëve, atyre jugosllavë dhe atyre shqiptarë, duke mos pranuar të dorëzohej i gjallë në dorë të tyre. Po kështu, siç dihet tashmë nga historia, Prenk Calin e prenë në besë komunistët, me kryqin e Krishtit përpara, duke i thënë që të dorëzohej në emrin e zhgunit fetar dhe sapo ai është dorëzuar, besa s’ka zgjatur më shumë se 10 minuta dhe atij i kanë vënë prangat, duke e dërguar në këmbë deri në Shkodër, që ta shikonte e gjithë Malësia dhe për të terrorizuar të gjithë banorët e asaj krahine. Kurse tani pas gati 80 vitesh që nga ajo kohë (dhe 35 vite nga shembja e regjimit komunist), ata persona të papërgjegjshëm që i hoqën memorialin Prek Calit (nën pretekstin se donin me pastru oborrin e kishës), me atë veprim, po ashtu kanë terrorizuar dhe kanë prekur e luajtur me ndjenjat e gjakun, jo vetëm të familjarëve të tyre, por të gjithë Vermoshasve, kudo që ata ndodhen, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Për ata që nuk e dinë, desha të theksoj e kujtoj këtu, se kisha e Vermoshit, është mbyllur dhe prishur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që në vitin 1965, pra dy vjet para kishavet të tjera. Por edhe si reagim ndaj kësaj, që në vitin 1990, shumë Vermoshas në mërgim, edhe mjaft banorë të Vermoshit që nuk ishin larguar nga trojet dhe shtëpitë e tyre, u afruan dhe e rindërtuan atë. Kështu falë bujarisë së tyre, si këtë në SHBA-ës dhe në vendlindje, u bë ajo kishë që është dhe sot aty. Kështu besoj se do të ndodhi edhe me këtë memorial-simbol të këtyre dhjetë burrave, krenari dhe nderi jo vetëm e Vermoshit por, edhe mbarë Shqipërisë, (siç është dhe do të jetë figura e Prenk Calit), ne do të bashkohemi edhe do t’ia lëmë Vermoshit si kujtim dhe si simbol, që takon asaj toke që është larë me gjakun e tyre, në luftë kundër shkjaut serbomalazez, kundër turkut edhe kundër komunizmit shqiptaro-jugosllav. Madje aty në Vermosh, meritojnë të jenë edhe shumë përmendore të tjera, apo më saktë një përmendore e madhe, kushtuar edhe gjithë atyre burrave të tjerë që kanë luftuar për ato troje, duke u gdhendur dhe vendosur emrat e tyre në një pllakë, që t’i nderojmë ne dhe brezat që do vijnë pas nesh.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular