Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka pritur këtë të martë, 15 korrik, në një takim deputetët e Bundestagut gjerman, Tilman Kuban si edhe Dr. David Preisendanz. I pari është zëdhënës për Çështjet Evropiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe të dy janë anëtarë të Komisionit për Çështjet e BE-së.
“Vizita e tyre në Tiranë është një dëshmi e vëmendjes së madhe të Qeverisë Gjermane dhe të kancelarit Merz në drejtim të zgjerimit evropian drejt Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor. Misionet faktmbledhëse të Bundestagut, në rajon dhe në Shqipëri, në vlerësimin tim kanë qenë të mirëpritura dhe shumë të dobishme.”– shkruan Berisha në një postim në rrjetet sociale, në përfundim të këtij takimi.
Mes të tjerash, Berisha zbuloi se ka folur me deputetët gjermanë dhe për zgjedhjet e 11 Majit, të cilëve iu ka përmendur akuzat e tij ndaj qeverisë për manipulim e blerje votash.
“Gjatë takimit shkëmbyem detaje mbi farsën elektorale të 11 majit 2025, përdorimin e të gjitha burimeve shtetërore nga qeveria në fushatë, duke rikthyer kohërat e dikurshme të partisë-shtet.
Dy deputetëve të nderuar gjermanë u përshkrova modelin autoritar të regjimit, dhe se si Edi Rama ka ndërtuar të parin dhe te vetmin narkoshtet në Europë, që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2013. Kartelet shqiptare kanë arritur tanimë të kthehen, falë tij, në organizatat kryesore të kontrollit të trafiqeve nga Amerika Latine dhe Lindja, e deri në portet kryesore të Europës. Një realitet i kriminalizuar dhe i korruptuar është në bazë të eksodit masiv të shqiptarëve, që varfërohen dita ditës që të forcohet narko-shteti i Ramës.”- tha Berisha duke shtuar se pa ndryshuar ky model, Shqipëria sipas tij nuk do të jetë kurrë në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Berisha thotë se mirëpret mundësinë e organizimit të një misioni fakt-mbledhës nga Bundestagu gjerman lidhur me zgjedhjet./