Me ardhjen e vjeshtës pritet të bëhet edhe zëvendësimi i pjesshëm i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në pritje për t’u zëvendësuar është kryetarja aktuale, Holta Zaçaj, e cila vazhdon të mbajë detyrën pavarësisht se mandati i saj ka përfunduar që në mars, për shkak se zëvendësuesi ende nuk është përzgjedhur nga Gjykata e Lartë, institucioni përgjegjës për emërimin.
Pas nisjes së procedurës për zëvendësimin e Zaçajt, janë pesë kandidatët kryesorë për një mandat të plotë 9-vjeçar në Gjykatën Kushtetuese: Asim Vokshi, Alban Toro, Alma Faskaj, Florjan Ballhysa dhe Naureda Llagami. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) po shqyrton edhe dokumentacionin e dy kandidatëve të tjerë, Denar Bibës dhe Genta Tafa Bungos.
Pasi të përfundojë shqyrtimi i të gjithë kandidatëve, KED do të bëjë vlerësimin me pikë të secilit dhe do t’i referojë listën Gjykatës së Lartë ndërsa kjo e fundit do të zgjedhë me shumicë votash nga tre kandidatët më të renditur.
Kjo nuk është vakanca e vetme në Gjykatën Kushtetuese. Me dorëheqjen e gjyqtares Elsa Toska, Kuvendi si organ emërtues do të duhet të zgjedhë zëvendësuesin e saj.
Për këtë proces, Kuvendi duhet të presë që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të përcaktojnë me vendim kohëzgjatjen e mandateve të tyre.
Në fillim të vitit, presidenti i Republikës i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë qartë fillimin dhe përfundimin e mandateve të të gjithë gjyqtarëve.
Vendimi i pritshëm në shtator pritet të zgjidhë ngërçin për plotësimin e vakancës në Kuvend, i cili ishte tërhequr nga ri-shpallja e vendit të lirë me arsyetimin se nuk ishte e qartë nëse pasuesi i Elsa Toskës do të kishte mandat të plotë apo të pjesshëm.