Që prej të shtunës së datës 12 korrik, ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, ndodhet në spital. Raportohet se Beqaj është shtruar me urgjencë në QSUT pasi kishte temperaturë të lartë dhe infeksion të rëndë në lëkurë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është ende e pastabilizuar.
Sjellim ndërmend se Beqaj mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit për dosjen SASPAC të abuzimit me donacionet e huaja ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme për dosjen e sterilizimit.
Gjykata vendosi të pranojë për gjykim dosjen e sterilizimit më 23 Janar të këtij viti. Të pandehur janë marrë zyrtarisht: Ilir Beqaj ish-ministër i Shëndetësisë, ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët gjykohen për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal.
Për Gjykatën e Posaçme, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish-zëvendësi i tij Klodian Rjepaj frynë kostot e shërbimit të sterilizimit në masën e 56.4% me qëllim përvetësimin dhe vjedhjen e fondeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në vendimin e gjyqtares së seancës paraprake, analizohet çdo pikë e kontratës së lidhur në vitin 2015 mes Ministrisë dhe koncensionarit, ku konkludohet se kontrata është negociuar në favor të kompanisë fituese.
Gjykata, shton se me firmën e ish-ministrit, shteti është detyruar të jetë palë e një kontrate nga e cila nuk fiton asgjë.
Ndërkohë Ilir Beqaj është i akuzuar edhe për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj./