ROMEO GURAKUQI/ Sot doli në qarkullim libri ”Shënime mbi ngjarjet në Shqipëri, 1938-1944″ i Delegatit Apostolik Leone Nigris, nën kujdesin e Frano Kullit. Ky libër përbën një burim shumë të rëndësishëm dokumentar për kuptimin e periudhës së Historisë së Shqipërisë, që përfshin vitin e fundit të mbretërimit të Ahmet Zogut, Luftën e Dytë Botërore dhe muajt e parë të vendosjes së diktaturës partizane në Shqipëri, pas 17 nëntorit 1944.
Për një studiues të historisë bashkëkohore, kjo përmbledhje e shkruar në mbyllje të konfliktit botëror, është një dokument parësor për të kuptuar brendinë e këtyre tre kohëve, gjegjësisht, shtetin indipendent në kulmin e vet zhvillimor, dezintegrimin e pavarësisë shtetërore, pushtimin, kolonizimin dhe varësitë italo-shqiptare brenda perandorisë fashiste, invadimin gjerman të shoqëruar me indipendencë dhe neutralitet formal të shtetit, por edhe startet përvijuese të një epoke të re, që po skicohej mbi qiellin e një vendi të paarrirë nga pikëpamja strukturore nacionale, kur është fjala për Shqipërinë në fund të konfliktit të armatosur botëror dhe në hapje të kohës së Luftës së Ftohtë.
Në fund të kësaj kohe, ideologjia komuniste, bartësit e saj, ekipi njëkrahinor që mori komandën e punëve, rigjallëroi urrejtjet dhe partikularizmat e nukleve të paformësuara nacionalisht përkundër bashkësive tradicionale të nacionit, që i përkisnin Kulturës së Lartë, duke e vendosur Shqipërinë si një njollë të errët në bashkësinë e kombeve të robëruara nga diktaturat në Europën Lindore. Për një numër arsyesh, ky dokument është një dëshmi e pakrahasueshme për dy pushtimet e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore. Pse i japim një rëndësi të tillë këtij dokumenti? Së pari, përmbledhja është dëshmi e një personaliteti religjioz e diplomatik, që ia ka dalë të lexojë me një mprehtësi spektakolare, zhdërvjelltësi dhe gjykim mahnitës, ngjarjet politike, strukturat sociale, sjelljet institucionale, karakteret individuale të personazheve të përfshirë aktivisht në këtë kohë të vrullshme dhe të trazuar shndërrimesh të befta dhe me pasoja afatgjata për vendin tonë; së dyti, për shkak të paanësisë së plotë të shkruesit të raportit dhe të shtetit që ai përfaqësonte në këtë anë të Adriatikut, ndaj palëve shqiptare, italiane dhe gjermane, aktorëve veprues dhe vendimmarrës të këtyre tri kohëve të thyerjes së Shqipërisë Tradicionale; së treti, kjo përmbledhje është shkruar nga diplomati i një shteti që në kohën e dhunave diktatoriale, ruante imunitetin dhe paprekshmërinë karshi diktatorëve dhe sistemeve politike e policore që ata kontrollonin. Për rrjedhojë, mendojmë se dëshmitë, gjykimet, analizat dhe përfundimet e arritura nga ana e tij, nuk kanë ngurrime në përcjelljen e të vërtetës, kanë qenë të çliruara në një pjesë të madhe nga ngarkesat politike të aktorëve veprues të kohës, presionet pushtetore. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se pesha e kohës së sapokaluar, strukturat e ligjerimit të kohës së regjimit autoritar fashist nuk kanë ndikuar aspak në formulimet e gjykimeve.
PROPAGANDA KOMUNISTE
Është shumë e rëndësishme të theksojmë se, ndryshe nga çfarë propaganda komuniste, ose grupi politik i regjimit të vendosur në 1945 ka pretenduar, Nigris na rezulton një personalitet, që nuk u shërbeu vendimmarrësve fashistë të Romës, as të deleguarve të tyre në Shqipëri dhe aq më pak klasës së kolaboracionistëve vendas, ose protagonistëve të sjelljes së terrorizmit komunist–filosllav, që ia dolën të jenë triumfues mbi një komb të vrarë gjithanshmërisht. Përkundrazi, ai ka ruajtur nga dita e parë, deri në largimin e tij të imponuar nga Enver Hoxha, pozicionin e vet prej diplomati që merrte informacion të gjithanshëm, përpunonte, analizonte dhe ua raportonte eprorëve në Vatikan, në fund linte edhe një dëshmi historike tërësore që vjen sot në shqip për lexuesit shqiptarë, si një thirrjemendje në kuptimin e drejtë të të kaluemes sonë. Pra ai, ia doli të lërë pas një dëshmi të tillë ndriçuese dhe të besueshme për Shqipërinë shtetërore, që ende sot nuk gjen forca për të lexuar pa ngarkesa reminishencas diktatoriale këtë kohë kapërcyell dhe merret ende në mënyrë të programuar, me misionin e pafamë të ngurtësimit mbi teza të tejkaluara të “anës së duhur të historisë” së imponuar nga komunizmi servitor.
Nigris ka qenë një kritik i rreptë dhe i pamëshirshëm i pushtimit fashist të Shqipërisë, i kastës që klika romake sajoi, ose solli rishtazi në Shqipëri; i sjelljes politike dhe institucionale të një numri të madh personazhesh të elitës fashiste në vendin e varfëruar dhe të shtypur në mënyrë të gjithanshme. Që në fillim të dëshmisë së tij, Nigris shpjegon me realizëm mënyrën se si popullit të këtij vendi, iu ndërpre jeta indipendente dhe paqësore shtetërore; iu zhbalancua ekuilibri i brishtë ndërkrahinor i arritur me aq mundim në 22 vitet jetë të Pavarësisë së Dytë, edhe pse diktatori romak, dhëndri i tij ambicioz dhe kukullat e tyre të vendosura në krye të punëve në Tiranë, krijuan një regjim autoritar dhe mbretërorë formalisht të veçantë, me fasada qytetëruese, kombëtarizuese dhe zhvillimore.
Jo vetëm kaq, por Nigris është ndër të paktët analizues të historisë politike të Shqipërisë që parashikoi herët, hodhi tezën, se pushtimi fashist, duke ndërprerë jetën shtetërore indipendente, duke prishur rendin politiko-institucional dhe administrativ, duke shkatërruar me rrënjë organet e sigurisë vendore të formuara me aq mundim në dy dekada nën mbikëqyrjen britanike, hapi rrugën prishjes së një strukture të gjithanshme të krijuar prej viteve rritëse të indipendencës, në pikëpamje shoqërore, duke krijuar terrenin e përhapjes, zhvillimit të komunizmit dhe depërtimit të agjenturës jugosllave në kupolën komanduese të LNÇ-së, gjatë dhe pas luftës.
KOHA E LUFTËS
Përmbysja e kohës së luftës ka qenë aq e thellë dhe e pamendueshme për njerëzit normalë dhe elitën, sa autori arrin në përfundimin se Shqipëria e vitit 1944, nuk njihej më nga Shqipëria e vitit 1938. Pas aq shumë shndërrimesh, ky vend, sipas tij, paraqiste simptoma të frikshme vdekjeje, edhe si komb, edhe si bashkësi thjeshtë njerëzore. Dhe kjo është një e vërtetë tronditëse e papranuar ende me guxim nga historigrafët zyrtarë, që sot kryejnë veç lustrime amatore empirike, pa shkuar dot në analiza strukturore profesionale të historisë së shekullit XX. Nga një vend normal i Adriatikut, me rend publik të stabilizuar, administratë publike të qëndrueshme, hierarki të vlerave shoqërore dhe intelektuale, me sistem kombëtar të edukimit dhe formësimit të rinisë me ndjenjën e dashurisë për nacionin dhe vetëdijën arbnore kastriotase, brenda një kohe të shkurtër, toka jonë u shndërrua në një vatër trazire, me Jugun në kryengritje të plotë, komunizmin e përhapur kudo, me kaos në çdo sektor të jetës, me luftë vëllavrasëse, jetë private të qytetarëve të vendosur para pikëpyetjeve të mëdha, përmbysje të orientimit politik të jashtëm, kapërthim strategjik nga qendra të jashtme përherë armiqësore ndaj Shqipërisë.
Autori është dëshmitar i këtij ndryshimi dramatik dhe të paimagjinueshëm të fytyrës së Shqipërisë pas pushtimit, shpërfytyrimit të saj, shkatërrimit të elitës drejtuese dhe intelektuale, vendosjes së komandës politike ndër koka me pamjaftueshmëri intelekti, me shpirt aventurier dhe me komandë antishqiptare. Përmbledhja përmban një numër të madh faktesh të panjohura dhe të paregjistruara me aq saktësi kronologjike sa i ka regjistruar ai, në dokumentet historike. Në sitën e hollë të këtij “dëshmitari” të kualifikuar dhe të “pamëshirshëm” në rrëfimin e së vërtetës për këdo, kanë kaluar të gjithë, siç ishin, njerëz me të mira dhe cene, faje të vetëdijshme dhe naive, mëkatarë të zgjuar dhe dinakë, fajtorë të rastësishëm të marrë para prej rrymave të marrëzive të kësaj kohe tatëpjetash, kolaboracionistë rastësorë dhe antifashistë jo-komunistë, pacifistë largpamës dhe çlirimtarë të vendosur, komunistë rrënimtarë, liridashës të sinqertë, idealistë dhe të përkushtuar, sakrifikues, shpëtimtarë por edhe bashkëpunëtorë puthadorë të Titos, që rrënuan bashkimin nacional dhe të gjithë elitën e vjetër që ndërtoi Shqipërinë etnike me “Tokat e Lirueme” në shtet në vitin 1941-1945, etj. etj..
ANALIZA E NIGRIS
E gjitha analiza e Nigris fillon me kohën e ardhjes së tij në krye të misionit diplomatik të Vatikanit në vitin 1938, vit në të cilin Shqipëria ishte një shtet normal. Sipas tij, Mbreti i kishte dhënë fund banditizimit, rendi burokratik, ministritë dhe prefekturat funksiononin rregullisht, shkollat publike të pakta ishin cilësore. Mbreti ruante shtetin afetar, me asnjë privilegjim për tre besimet dhe po kryente një proces modernizues dhe perëndimizues të një shoqërie që vinte pas traumës otomane, pas përpjekjeve të esadistëve dhe ehlikjamistëve, copëtimeve të përsëritura të kohës së Luftës së Parë Botërore dhe pas saj, represioneve ndaj popullsisë së krishterë të Gegnisë në vitin 1926-1927. Nga ana tjetër ai nuk ngurron të tregojë edhe faqen tjetër të medaljes së “stabilitetit mbretëror”: korrupsionin e një grushti njerëzish rreth Mbretit, tradhtinë e një numri personazhesh rreth tij, që u vendosën në shërbim të Italisë përkundër interesit shtetërorë.
Nigris shquan grupin e komplotistëve italianë, me Jakomonin, Melonin, Gjiron, si dhe ndihmësit e tyre shqiptarë. Sipas tij, vendi ishte i hapur ndaj të gjitha shteteve perëndimore në aspektin e asistencës teknike drejt procesit modernizues, ndërkohë që ai verën se njëra prej tyre, Legata Italiane e drejtuar nga Françesko Jakomoni, përtej caqeve të lejuara nga e drejta ndërkombëtare diplomatike, po përgatiste komplotin e rrënimit të Shqipërisë: ajo seli, në vend që të kryente funksionet e një qendre të promovimit të miqësisë dhe zhvillimit të një raporti historik bazuar në reciprocitet e drejtësi, ishte shndërruar gradualisht, në mënyrë të vendosur, në një çerdhe intrigash dhe një grumbulli të fshehtë të njerëzve të paskrupuj. Autori arrin në përfundimin se të gjithë normalitetin e funksionimit të shtetit shqiptar, raportin e brendshëm shoqëror, shekullar, ndërkulturorë, ndërkrahinor e prishi pra Italia Fashiste. Vendi që vetë kishte marrë përsipër të mbikëqyrte dhe ruante pavarësinë e Shqipërisë me 9 nëntor 1921, e përdori në mënyrë të kamufluar këtë klauzolë të pranuar me aq ngurrim nga fuqitë e tjera të mëdha, fituese në luftën e parë, duke u bërë shkatërruesi i indipendencës dhe lirisë së Mbretërisë Shqiptare, më, 7 prill 1939.
Në këtë mënyrë, në kujtimet e tij, Nigris analizon veprimin e panevojshëm të pushtimit italian të Shqipërisë, ndërkohë që asaj, edhe për dobi të vet, do të duhej t’i mjaftonin marrëveshjet miqësore të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve, garantimi i statusit shtetëror të përcaktuar në marrëveshjet e hershme mes fuqive të pas luftës, etj.etj.. Mirëpo synimi i klikës së Musolinit, ëndrrat e paprera të hierarkëve të lartë romakë ishin perandorake: Shqipëria duhej të bëhej sateliti i parë në orbitën e një perandorie të menduar mjaft mirë, sipas një plani të hartuar nga Hitleri dhe të bashkëndarë nga Musolini. Për rrjedhojë, fati i këtij vendi ishte i paracaktuar të ishte ndër viktimat e para të tragjedisë europiane, që po shfaqej në horizont. Interesant është fakti se kur pushtimi u bë një fakt i kryer, Nigris, me 7 prill 1939, nuk ngurroi, por menjëherë i këshilloi hierarkët më vërejtje, që të ruhej në maksimum autonomia e Shqipërisë; të mos importohej fashizmi, mbasi ky veprim do të interpretohej veçse si pushtim i mirëfilltë politik pas atij ushtarak; së fundi, ai paralajmëroi klikën që të kishte kujdes nga arrivistët dhe përfituesit, që shumë shpejt do të ndërronin këmishat dhe padronët, siç edhe ndodhi në mënyrë masive.
Mirëpo, a mund të pranoheshin këshilla të tilla nga një klikë që ishte në kulmin e euforisë, krenarisë dhe errësimit ? A mund të pranonin ideatorët e korruptimit të elitave të një vendi të varfër, të respektonin dinjitetin dhe lirinë e një populli të vogël, shtresave të vuajtura të popullsisë, rinisë me aspirata liridashëse? Në fakt, asgjë e tillë nuk u mor parasysh prej hierarkëve fashistë, deri kur humnera e pushtetit të tyre u shfaq krejt qartë përpara në fillim të vitit 1943. Por atëherë gjithçka do të ishte shumë vonë për të gjithë.
Rrënimin nuk mund ta ndalte dot as sjellja e Parianit në krye të Mëkëmbësisë, këtij miku të sinqertë i shqiptarëve, që nuk vonoi të shihte personalisht dekadencën e plotë të punëve, që paraardhësi i tij, i kishte sjellur Shqipërisë, të cilën ai e respektonte me të gjitha nderimet prej ushtaraku fisnik. Pra, autori na e sjell me shumë kujdes dhe realizëm sjelljen kontrastuese me Jakomonin, të Gjeneralit Pariani, ushtarakut me misionin e reformatorit (të vonuar do të thoja) politiko-institucional të Shqipërisë së periudhës mars-shtator 1943. Ai erdhi në një kohë kur ndryshimi nuk mund të arrihej më, misioni ishte i pamundur, koha e pamjaftueshme, rënia e pushtetit italian në vend e pandalshme, vendi që u bë viktimë e parë fashistëvë i rënë tanimë në fund të greminës, rrënimi i Italisë në Shqipëri i gjithanshëm, drama e civilëve dhe ushtarakëve italianë, në prag të kohës së mbërritjes së ushtrisë gjermane, e pandalshme.
GABIMET E PUSHTIMIT
Nigris rreshton gabimet që shoqëruan pushtimin Italian të Shqipërisë që sipas tij janë: Tradhtia, mbajtja e klikës së vjetër që pësoi transformizëm; rrënimi moral dhe ekonomik i popullit shqiptar; lufta kundër Greqisë që shkretoi Jugun; përgatitja për luftë kundër Jugosllavisë; marrëzia politike në Shqipërinë e Jugut ardhur prej moskujdesit shtetëror ndaj rrënimit të popullsive të këtyre anëve nga lufta italo-greke; politika e rremë fetare, që përmbysi tërësisht qasjen e paanësisë së ndjekur nga Mbreti Zog (Jakomoni, në kontrast me balancat që kishte krijuar Zogu në vitet 1930’, krijoi ngatërresa dhe diferencime mes komuniteteve fetare); tradhtia ndaj Duçes, kuptuar si ndjekje jo besnike e qëllimeve individuale të kastës që u vendos në Shqipëri; korrupsioni sistematik (në qoftë së përfituesit në dëm të interesit publik në kohën e Zogut ishin të pakët, nën Jakomonin u bënë grupim që shpërdoronte miliona para publike); mungesë zgjuarsie në trajtimin e çetave të rezistencës; silurimi i të ndershmeve dhe të aftëve; përcaktimi i përshpejtuar i kufijve të rinj të shtetit; shkatërrimi i Kosovës në kuptimin e ndarjes së saj mes Serbisë dhe Bullgarisë, lënia e lirë e zhvillimit të hakmarrjeve reciproke mes shqiptarëve dhe serbëve në krahinë, çështja e tokave të bejlerëve të shpronësuar më 1926 me reformën jugosllave, që pas ardhjes së italianëve kërkuan rikthmin e pronave.
Ai përshkuan me realizëm, me radhë, një numër personazhesh: Ernest Koliqin, Maliq Bushatin, Mustafa Krujën, Gjon Marka Gjonin dhe të birin e tij Markun, Kolë Bib Mirakën, Ekrem Libohovën, Fejzi Alizotin, Omer Fortuzi, Terenc Toçi, Don Lazer Shantoja, At Bernardin Palaj; qeveritë e krijuara nga Italia dhe me theks të veçantë në ato që u krijuan në rrjedhën e vitit 1943, pas rënies së qeverisë së Mustafa Krujës, politikën e të cilit ai e konsideronte si rrënimtare në krijimin e qetësisë për shkak të gjallërimit të muajt e fundit të udhëheqjes së tij, të aktivitetit të çetave nacionalçlirimtare të drejtuara nga komunistët. Nga ana tjetër, rrëfimi i Nigris shigjeton bashkëpunëtorët kryesorë të Jakomonit: Salvatore Meloni-n, Vincenzo Rocco-n, Giussepe De Angelis, Manolio Gabrieli-n, Simmaco Califano-n, Nicola Lo Russo Attoma-n, etj. Kritikat e tij janë të tharta për të gjithë aventurierët që Konti Çiano solli në Shqipëri. Ai depërton në brendësi të veseve të tyre, blerjeve, ryshfeteve dhe epilogut të tyre final: largimit të turpshëm nga Shqipëria, së bashku me kasetat e sendeve me vlerë të mbledhura ilegalisht në vendin e projektuar për kolonizim afatgjatë.
Ndryshe nga çfarë ka pretenduar historiografët më vonë, Nigris dëshmon se Jakomoni, dora e zgjatur e Musolinit në Shqipëri, ndoqi një politikë jombështetëse ndaj katolikëve, pavarësisht se që nga kjo kohe, grupet radikale të majta, duke përdorur si alibi disa nga emrat e treguar më lart si agjentë të pushtimit, do të etiketonin katolikët shqiptarë në bllok, si thirrësit dhe mikpritësit e Italisë fashiste, gjë që nuk korrespondon me të vërtetën e fakteve të sjellura mjaft qartë në këtë raport final. Mirëpo teza prozhmuese do të përdorej nga Enver Hoxha pas luftës për të justifikuar planin për “zgjidhjen finale të çështjes katolike”, përmes një represioni të pangjashëm që kapërcente në tejskajshmëri kohën otomane në goditjen e nuklit të Kulturës së Lartë të nacionalizmit shqiptar.
Vijon nesër …