HomeOP EDThethi nuk po shembet – po pushtohet/Nga Doriana Musai

Thethi nuk po shembet – po pushtohet/Nga Doriana Musai

Nga Doriana Musai/arkitekte
Shembjet në Theth janë dhuna e një shteti që urren ata që s’kanë nevojë për të.

Kushdo që ka qenë të paktën një herë në Theth e ka parë me sytë e vet: një natyrë e rrallë, e paprekur, një mikpritje e thellë që s’gjen krahasim, dhe njerëz që jetojnë me dinjitet edhe në varfëri.

Banorët e Thethit, të harruar nga shteti për dekada, ndërtuan vetë një ekonomi të vogël shprese. Pa fonde, pa projekte, pa plane të mëdha. Me çfarë kishin. Me çfarë mundnin. Me duar, me djersë, me paratë që u dërgonin fëmijët nga emigracioni.

Mikpritja – kjo vlerë e rrënjosur thellë në kulturën e malësisë – nuk u bë thjesht një mënyrë jetese, por një rrugë shpëtimi. Shtëpitë e tyre nuk ishin rezorte. Ishin strehë. Ishin ngrohtësi. Ishin alternativa ndaj ikjes dhe shpopullimit.

Por kjo nuk u tolerua gjatë.

Sot, në vend të ndihmës, shteti ka zbarkuar me IKMT-në dhe fadromat. I shembin. I poshtërojnë. U thonë se janë të paligjshëm në tokën e vet. U ofrojnë mashtrime të ricikluara me “paketa zhvillimi” njejtë si mashtimet me fonde të BE-së që kurrë nuk mbërrijnë në duart e tyre.

Në vend që të mbështesin banorët që shpëtuan Thethin nga braktisja, i ndëshkojnë. Në vend që të rregullojnë – shembin. Në vend që të dëgjojnë – përdorin dhunë. Në vend të bashkëpunimit – arrogancë dhe propagandë.

Por kjo nuk është thjesht një histori ndërtimesh.

Është një histori përbuzjeje dhe zhdukjeje.

Një përpjekje për të fshirë gjithçka që është autentike, njerëzore dhe e vërtetë – për t’i hapur rrugë një “zhvillimi” të ftohtë, të pangjyrë, dhe të kontrolluar nga pak duar.

Thethi që duam nuk është ai i resortit elitar.

Është ai i njerëzve që u bënë shembull mikpritjeje, i burrave që u bënë guida, i grave që gatuan për turistët, i fëmijëve që ndihmuan prindërit të përmirësonin shtëpitë – me shpresën se nuk do të detyroheshin të iknin.

Tani u kërkohet të heshtin. Të dorëzohen. Të shndërrohen në shërbëtorë të një turizmi pa fytyrë, që kërkon luks por jo shpirt, para por jo histori.

Kjo nuk është një përballje për leje ndërtimi.

Është një përballje me një model tjetër Shqipërie: Një Shqipëri që nuk do fshatin, nuk do historinë, nuk do banorin – por vetëm tokën. Tokën për ta ndarë si plaçkë, të zhveshur nga kujtesa dhe identiteti.

Shkatërrimi i Thethit është një akt pushtimi.

Pushtimi i shpirtit të malësorit dhe i të drejtës për të jetuar në tokën e vet.

Është edhe një akt përjashtimi për të gjithë ne që nuk jemi “luksozë” apo “elitarë” sipas standardeve të një turizmi të rremë dhe të komanduar.

Kur shteti shemb pa dëgjuar, pa negociuar, pa respektuar, nuk kemi më ligj. Kemi dhunë. Dhe pas dhunës vjen pushtimi.

Ata janë pak, thotë propaganda. Nuk janë banorë, nuk janë përfaqësues. Janë “uzurpatorë”, “mashtrues” – siç janë quajtur të gjithë ata që kanë protestuar për liritë e tyre. Ashtu siç u trajtuan mbrojtësit e Teatrit Kombëtar; banorët e 5 Majit, Unazës së re, Shkozës e kudo tjetër kanë protestuar për liritë e tyre.

Por çfarë fshihet pas kësaj retorike?

Fshihet një plan: fshirja e një modeli jetese që nuk mund të kontrollohet nga pushteti.

Sepse Thethi i ndershëm nuk është fitimprurës për ata që kanë llogaritur të pasurohen në katër vitet e ardhshme.

Dhe pas Thethit – rradhën e kanë të gjitha malësitë.

Ky spektakël i fadromave ka një mesazh të qartë: Zot i Maleve, pas bregut, nuk janë më banorët, por grupet e strukturuara kriminale që vijnë me kravatë ose fshihen pas saj.

Ruajeni Thethin – është Shqipëria që na ka mbetur.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular