Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në fjalën e tij gjatë prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese deklaroi se ky vëllim i dytë është tejet i rëndësishëm për kulturën juridike në vendin tonë dhe shërben jo vetëm për juristët e akademikët, por iu vjen në ndihmë edhe qytetarëve për t’u njohur më mirë me të drejtat e liritë e tyre.
Sipas ministrit, një jurisprudencë me e qartë dhe e kuptueshme nga kushdo, krijon edhe një kulturë ndaj Kushtetutës dhe të drejtat themelore të njeriut.
Ministri bëri me dije se Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, i miratuar në fund të 2024-ës, përmban masa të qarta për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës, ndërsa ka si synim: përmirësimin e sistemit të publikimit të vendimeve, zhvillimin e mjeteve të reja të informimit për publikun dhe profesionistët, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve, si dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve me gjykatat partnere në Evropë.
“Publikimi i këtij vëllimi të ri është një hap domethënës për përmirësimin e kulturës juridike në vend. Ai ofron një pasqyrë të qartë dhe të sistemuar të praktikës kushtetuese, duke shërbyer si një mjet i vyer jo vetëm për juristët, akademikët dhe studentët, por edhe për çdo qytetar që dëshiron të njohë më mirë të drejtat dhe liritë e tij.
Kjo është dëshmi e përkushtimit institucional për transparencë, edukim juridik dhe forcim të besimit të publikut te drejtësia. Në një shtet demokratik, Gjykata Kushtetuese është garant i rendit juridik dhe i parimeve mbi të cilat ngrihet Republika. Përmes vendimmarrjes së saj, ajo mbron ekuilibrin mes pushteteve, siguron kufizimin e ndërhyrjeve arbitrare dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të individit.
Ky institucion nuk është thjesht një gjykatë që shqyrton çështje juridike – është mbrojtësi i kontratës sonë shoqërore, i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit”, u shpreh ministri.