ksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ndau sot detaje nga rëndësia dhe mënyra sesi zbardhja e komunikimeve të Matrix do të ndikojë te shumë ngjarje, për të cilat ende po kryhen hetime.
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, Karamuço tha se ky avantazh i madh do të mund të zbulojë informacione rreth fatit të dy emrave të njohur për drejtësinë, Ervis Martinaj dhe Talo Çela.
“Zbardhja e komunikimeve të Matrix do të jetë një avantazh i madh. Edhe Nuredin Dumani ka thënë që komunikonin edhe me Matrix. Mendoj se do të zbardhen shumë ngjarje që janë të pazbardhura dhe që sot po hetohen nga policia. Disa janë të pezulluara. Mund të zbardhet fati i Ervis Martinajt, fati i Talo Çelës, sepse mendohet që mund të kenë të njëjtin fat. Jam i bindur se zbardhja e komunikimeve në Matrix do të ndihmojë për të zbuluar fatin e Martinajt, sepse përdorues të afërt me të, ose të atyre grupeve që policia dyshon se mund të jenë përfshirë në arratisjen apo ekzekutimin e tij të mundshëm, kanë përdorur Matrix. Kjo shton avantazhet dhe premisat që të zbulojmë këtë rast dhe gjithashtu edhe rastin e Talo Çelës. Edhe ai mendohet se është arratisur ose është vrarë dhe zhdukur. Kemi edhe një rast të një personi nga jugu që është zhdukur në Tiranë dhe nuk po gjendet. Po kërkohet nga policia. Këto ngjarje, sigurisht, nëse nuk i zbulon kur ndodhin, edhe pse mund të kesh dyshime, këto lloj aplikacionesh i zbardhin plotësisht. Dhe ky është një fat i madh që kemi, nëse kanë ngelur gjurmë nëpër serverë. Matrix ishte i koduar, i kriptuar, nuk identifikoheshe, nuk kishte ndërhyrës të jashtëm. Kishte 40 serverë në shtete të ndryshme. Janë kapur gjithsej 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë, ku njëra ndër to është edhe gjuha shqipe. Unë e thashë këtë dhe më thanë: ‘Jo, s’e ke të saktë’, ‘Po ja, si po dalin gjërat’. Njerëzit duhet të durojnë dhe jo t’i thonë një profesori ‘nuk e di ti’. Është e rëndë. Dhe ja, tani po dalin”. Ka një gjë pozitive. Pas Sky dhe EncroChat, që datojnë deri në mars të 2021-it, tani vjen Matrix, që është i 2024-ës. Na hapet një perspektivë e madhe për të parë ngjarje, fenomene dhe grupe kriminale që kemi pasur gjatë këtyre viteve. Kishim një pjesë që nuk e identifikonim dot, përveç ndonjë të penduari diku. Por tani kemi ngjarje të mirëfillta, të shkruara, ashtu siç ndodhi me Sky dhe Encro”,-tha Karamuço