Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Bashkimi Europian duhet të vendosë përparësi tek standardet demokratike dhe shteti i së drejtës, përpara stabilitetit gjeopolitik. Në konferencën “The Western Balkans Paradigm”, Berisha tha se BE po rrezikon të tradhtojë vetë themelet e saj duke vendosur gjeopolitikën përpara standardeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.
“T’i japësh përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, apo aderimit për qëllime stabiliteti, do të thotë që i jep rrugën dhe je në aleancë me autokracinë“, tha Berisha.
Berisha tha se mbështetja e stabilokracisë në Shqipëri i hap rrugën autokracisë, duke e quajtur vendin një “narko-shtet” dhe “kazus tipik” i dështimit institucional.
Sipas tij, përqendrimi i pushtetit, kontrolli i karteleve të drogës dhe emigracioni masiv janë pasojë e qeverisjes së Edi Ramës, që sipas tij përfaqëson një regjim në shërbim të krimit.
“Shqipëria është një kazus tipik. I ka dhënë prioritet stabilokracisë krahasuar me standardet dhe kjo u transformua në një shtet autokratik. Një proces i bazuar në meritë është në interesin jetësor të qytetarëve të vendeve kandidate. Është mënyra më e mirë për të ndihmuar këto vende që të shkëputin lidhjet me të kaluarën. Shqipëria nisi negociatat në një kohë kur nuk plotësonte asnjë kriter, përveçse gjeopolitikës. Të gjitha pushtetet, 94 %, përqendrohen në një dorë. Ekonomia shqiptare u zëvendësua nga narko-ekonomia. Mjafton të vini në Shqipëri për të parë se është narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë”, tha Berisha.