Kandidati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Zeqir Kordhoni, i ka dërguar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të martën e 15 korrikut, përmes së cilës shpreh vullnetin e tij të qartë për të marrë mandatin e deputetit, nëse rezulton fitues pas shpërndarjes së mandateve në zgjedhjet e 11 majit.
“Përmes kësaj deklarate të nënshkruar përpara noterit sot, më datë 15/07/2025, dua të vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.”– shkruan kandidati për deputet.

Një reagim i menjëhershëm dhe i ashpër ka ardhur nga Adriatik Lapaj pas lajmit se Zeqir Kordhoni kishte dërguar një letër në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ku kërkonte të merrte mandatin e deputetit, nëse i vinte radha. Lapaj shprehet se “gjithë këneta” është angazhuar për të penguar hyrjen e tij në Kuvend, ndërsa ka dhe një mesazh për ish-aleatin e tij, Endri Shabani.
“Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament,” shkruan Lapaj në rrjetet sociale, duke nënkuptuar se pavarësisht përpjekjeve, as Kordhoni dhe as Shabani nuk do të zënë një vend në Kuvend, ndërsa shton se ironikisht, kjo situatë mund të pengojë edhe hyrjen e tij.
Lapaj duket i sigurt se Kordhoni nuk mund të bëhet deputet, pasi që ai të marrë mandatin, duhet që tetë emrat e parë të listës së mbyllur të refuzojnë mandatin. Mes këtyre emrave të parë ndodhen edhe familjarë të afërt të vetë Lapajt, çka sugjeron se ai mund ta përdorë këtë mundësi për të siguruar që mandati të mos shkojë tek Kordhoni, por të merret nga ndonjë prej të afërmve të tij.
Akuzat për tradhti dhe ndarja e rrugëve me Shabanin
Zhgënjimi i Lapajt me Endri Shabanin duket se është i thellë. Ai e akuzon Shabanin se e ka prekur në besë, duke qenë se ky i fundit është angazhuar publikisht për hapjen e listave dhe mbushjen e listave të mbyllura me familjarë. I gjendur në këtë situatë, Lapaj duket se ndan përfundimisht rrugët me Shabanin, duke i thënë se nëse dëshiron të mbahet mend në jetën publike në këtë mënyrë, “mbarë i shkoftë bashkë me dajon”.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament. Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë,” shkruan Lapaj.
Ai shprehet krenar që është luftuar “nga çdo anë” dhe nuk është ndalur, duke përmendur emra si Rama, Berisha.
“Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI! Populli do gjykojë,” përfundon Lapaj.
Kjo deklaratë nënvizon tensionet e brendshme dhe ndarjet brenda koalicionit.