nga Arben Iliazi
Ka mbi 20 vjet që lexuesi është bërë i vëmendshëm dhe entusiazt ndaj krijimtarisë së shkrimtarit të njohur Ermir Nika. Gjithmonë kam patur përshtypjen se Ermiri është nga ata autorë që nuk u lodh kurrë së kërkuari dhe nuk u kënaq kurrë çka arriti, ndaj edhe ka kaluar një jetë krijuese vazhdimisht të trazuar, por përherë në përsosje. Poezitë e tij, të përmbledhura në vëllimet, “Kuarteti bohem”, “Re të ftohta”, “Lumi i ëndërrave të mia”, apo veprat në prozë (8 të tilla) si “Net Mëkatarësh”, “Robi i lartësive” (vlerësuar si një ndër romanet më të mirë modernë të letërsisë shqipe), janë dëshmi e qartë e pjekurisë së tij artistike, por tregojnë edhe nevojën për një kërkim të pandërprerë të moskënaqjes me vlerat e realizuara.
Krijimtaria e këtij autori na shfaqet si imazhi i rrathëve të lisit, që shënojnë në mënyrë të pagabueshme rritjen dhe konsolidimin e tij. Në vitin 2005, kur në redaksinë e gazetës “Ballkan”, kisha mysafir bacë Ali Podrimjen, ai më fliste shpesh, i entusiazmuar, për këtë krijues të ri asokohe, por më pas më ranë në dorë librat e tij me poezi dhe romani “Robi i lartësive”, një vepër ku është rritur mjaft valenca estetike e tekstit dhe ku vura re se Ermiri është nga ata krijues me “voltazh”, që e shndërron subjektin në etalon të frymës dhe të përmbajtjes së kohës, duke arritur në mënyrë të përkryer tek e thjeshta, nëpërmjet lëvrimit të teknikave moderne letrare dhe të përdorimit të të gjitha ngjyrave, si piktori, kur i paraqitet rasti. Kësisoj veprat e tij kanë patur sukses dhe vazhdojnë të lexohen me shumë interes.
U gëzova shumë kur, kohët e fundit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau vlerësimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2025. E kam thënë disa herë se letërsia për fëmijë duhet të mbështetet nga shteti, pasi ajo i shërben misionit të madh të forcimit të ndjenjës kombëtare te fëmijët tanë.
Një ndër autorët fitues ishte edhe Ermir Nika me veprën ”Enigma e Kësulës së Kuqe”, me motivacionin: “për një lojë intertekstuale postmoderne të përrallës së Kësulkuqes që vjen e dekonstruktuar natyrshëm dhe që nxit më tej kureshtjen dhe imagjinatën e lexuesve të vegjël përmes një rrëfimi të zhdërvjellët dhe domethënës”. Me sa duket, duke u prirur të zhvillojë diçka që shfaqet si konstante ose monotipike në përralla të ndryshme, Nika, nëpërmjet një progresioni të vërtetë të rrëfimit, po ndërton një model të “përrallës së magjisë” si gjini, duke ndërtuar një identitet të ri të përrallës së njohur, ose më saktë një nëntip të ri të saj.
Ermiri të elektrizon veçanërisht me poezinë e tij. Me një frymëzim antroplogjik, mjaft pjellor, duke imituar elementin rastësor të ekzistencës, Nika kultivon një art poetik që i afrohet ëndërrës. Ai është sinonim i ndjenjës së vet, në çdo poezi, duke rrezatuar pjekuri në thellësinë e figurës. Figurat e tij poetike kanë hapësirë, ritëm, energji. Janë krijime pa komplikacione, gjë që tregon një formim kulturor të plotë.
Poet i thjeshtë në artin e madh të fjalës poetike, artist i i fjalës së veçuar, i figuracionit original, i rrokjeve dhe i shenjave të pikësimit, i trupëzuar si një poet i së tërës, i humbur në kadencën e përfytyrimit, ai na sjell një varg ritmik dhe të gjallë, ku edhe lexuesi më i thjeshtë ndalet e pushon dhe, dalëngadalë, fillon e dehet.
FËMIJËT
Andej ndihen fëmijë të lodrojnë hareshëm muzgjeve,
shkujdesur flladet përkundin zërat, flokët e djersur
stepave, vesa një pas një të vjetrit rrallon, netëve.
Tutje fëmijët i këndojnë orëve mbi rrafsh, yjet
përqeshin pse hijet matin në mbarimin e ditës
dhe rendin bashkë me erën kur mjergullat bien.
Si ndjekin xixëllonjat, harrojnë udhën e kthimit
pas perdes heshtur dihas, me drojë avitem në largësi
dhe ashtu nëpër brymë, befas njoha njërin prej tyre.
Në poezinë e tij Nika nuk e sjell vetveten si mbresë, por si refleks kohor. Gjithë poezia e tij, pasi depërton në psikologjinë e vetvetes, krijon figurën e rrëfimit shpirtëror dhe përcjell gërshetimet e shqetësimeve sociopsikologjike, që rrethojnë njerëzit. Autori rreket ta bindë lexuesin se bota kuptohet prej dimenesioneve të saj të vogla….dhe se jeta nuk është gjë tjetër veçse shumësia e momenteve të çmuara, në dukje të parëndësishme.
FYTYRA IME
Mbi shtrat nis të plasaritet fytyra ime,
si afresk i nëmur po bie pjesë pjesë,
shpërbëhet ligsht ashtu nën rënkime
copëtohet e thyet si qelq mbi nënkresë.
Nga dyert lënë hapur dimrit për zogjtë
shquaj mëkataren tek flatëron si shpezë,
mbi flokët shpërndarë e shqisat e thyera
ulet dhembshur t’i mbledh vrik më fshesë.
Papritur vitet u rrëzuan në muzg,
mbi degët e rrahura në acar e suferi
hapat shkujdesur humbën si Bermund
në parkun e braktisur ku më s’jeton ti!
Niveli figurativ i poezive të Nikës është më pranë me referentin ekstrasemiotik, krahasuar me nivelin tematik, për faktin se niveli figurativ, nëpër tekste, shpesh kthehet në mjet shprehës të kuptimeve abstrakte joevidente. Pra niveli figurativ nuk ka rol thjesht zbukurues, por hyn në marrëdhënie komplekse me me nivelet e ndryshme semiotike.
ZËRAT E AKUJVE
Poezi në katër kohë
Ndajnatës pelegrinët hukasin mbi errësirë,
gjurmojnë ashtu kotur, degdisur nëpër tis,
deri kur muzgjet territ t’i dorëzohen në delirë,
pranverës së fshikur nën timbër butësisht.
Asketët zbaticës përhiten diku trembur,
ujrave flatëron veli i ngrënë nga stuhitë,
verës direkë të thyer, gishërinjve rreshkur,
stisën një sagë mermerësh ku prehen barinjtë.
Agut, trajta njerëzish rrëfejnë përunjësisht,
mëkatin e një vjeshte brigjeve shpërfillur,
trilli i prejës akujve pluskon verbërisht,
epilogun e lundrës grimuar me dimër qëkur!
Shpesh niveli më konkret figurativizon nivelin më abstrakt. Ka raste, përshembull, në parabola, ku ligjërimi abstarkt zhvillohet vetëm ose pjesërisht përmes figurave konkrete. Figurativja, larg të qënit sipërfaqësore dhe zbukuruese, shfaqet si parësore në raport me tematikën e cila, është, ndoshta, një abstragim i figuratives. Autori duket se është i bindur se, që të pranohet një figurë, duhet marrë në patronazh nga një temë. Kësisoj e koncepton tekstin estetik si një tërësi shënjuese, ku poezitë fitojnë koherencë të plotë kuptimi, ndërkohë që të kuptuarit e zakonshëm do i kishte degdisur te moskuptimi i pastër.
FYTYRA IME
Mbi shtrat kris e plasaritet fytyra ime,
si afresk i nëmur po bie pjesë-pjesë,
shpërbëhet ligsht ashtu nën rënkime,
copëtohet e thyhet si qelq mbi nënkresë.
Nga dyert lënë hapur dimrave harruar,
shquaj mëkataren tek flatëron si shpezë,
mbi flokët shpupurisur e shqisat rrënuar,
ulet dhembshur t’i mbledh vrik me fshesë.
Papritur vitet rrëzohen vranët në muzg,
mbi degët e rrahura në acar e suferi,
hapat shkujdesur humbën si Bermudë,
në parkun e braktisur ku më s’dukesh ti!
Në poezinë e Ermir Nikës gjen shumë variante leksikore dhe variante tingëllimi, që ndryshojnë ndjeshëm kuptimin e vargut. Por në fund poeti zgjedh variantin më pak euforik, tek i cili ka një alkimi komplekse, ku vërtitet në mënyrë centrifugale gjithë shqetësimet e poetit, në një pozicion të caktuar ekzistencial.
KUARTETI BOHEM
Ҫastit dëgjoj zërat e shiut mbi xhamat hijëzuar reve,
trembur frymët mbyten mbi avujt e rrugës, diku
flirti rrëzohet mbi dhomën e fshikur nga era
mbi lëkurë lënduar ndiej gjurmët e natës së fikur.
Nën qepalla harresa rishtaz shkruan vetveten,
dhe flokët shpërbërjen hedhin mbi nënkresë,
ashtu si degët e shelgut që na fshinte dikur
nga zbrazëtia e një vjeshte ende të pajetuar.
Në një tjetër stinë qelqet e thyera s’prapsin largimin,
helikën e këputur të avionit në qiej haluçinant,
pritja ngrin mbi heshtjen e mermerëve të vdekur,
kur mbi ne, trandur do të zhurmojnë gjurmët e botës.
BIOGRAFIA:
Ermir Nika është autor i një sërë veprash letrare si: “Robi i lartësive”, roman, “Kuarteti bohem”, poezi, “Re të Ftohta”, poezi, “Lumi i Ëndërrave të Mia”, poezi, “Net Mëkatarësh”, tregime, novela për fëmijë “Gjyshi në Kornizë. Nika është edhe një studius par eksellance i letërsisë.
Është autor i një sërë veprash studimore, si: e “Polifonia”, studim, “Fillimet e Modernitetit në prozën romanore shqipe”, studim, “Vepra e Çajupit dhe takimet e saj me rrymat letrare”, “Shënime të një Europiani pranë Budës dhe Hiroshimës”. Vepra letrare dhe ajo studimore e tij është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja: anglisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, italisht, rusisht, japonisht, rumanisht, arabisht, serbisht, maqedonisht etj. Studimet e larta, në degën e gjuhës dhe të letërsisë do t’i përfundonte në vitin 2000 pranë Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Prej vitit 2001 deri në vitin 2019 ka punuar në Ministrinë e Kulturës si specialist, Përgjegjës Sektori dhe Drejtor Drejtorie në drejtoritë e kulturës së shkruar dhe të arteve. Në vitin 2016 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave Filologjike me temën: “Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe”, ndërsa në vitin 2005 ka kryer studimet pasuniversitare për titullin Master në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Histori – Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi. Që nga maji i vitit 2019 e në vijim Dr. Ermir Nika është Përgjegjës i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Arteve Liberale në Universitetin Evropian të Tiranës.