Tuneli i Krrabës, në autostradën Tiranë – Elbasan do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve për riparimin e defekteve në dyshemenë e tij. Autoriteti Rrugor Shqiptar e cilëson këtë ndërhyrje si emergjente, teksa parashikon të hapë tenderin për këtë qëllim. Prej kohësh në këtë tunel janë krijura deformime në të dy tubat e tij, teksa në hyrje drejtuesit e automjeteve këshillohen të ulin shpejtësinë, për shkak të deformimeve në rrugë.
Ky tunel është i pozicionuar në një nga autostradat më të rëndësishme të vendit, pasi lidh Tiranën, me Elbasanin si dhe me pjesën juglindore të vendit. Gjithashtu, shumë qytetarë e përdorin këtë autostradë për të aksesuar jugun e vendit, çka e kthen në një nyje të rëndësishme për qarkullimin e automjeteve, sidomos gjatë sezonit veror.
Tuneli i Krrabës ka 2 tuba me gjatësi 2580.3 metra në anën e djathtë dhe 2320.6 metra në të majtën, ndërsa aktualisht mirëmbahet përmes një kontrate të lidhur nga ARRSH me një subjekt privat. Kompania është përgjegjëse për menaxhimin dhe mirëfunksionimin e tunelit, ambientet përreth tij, si dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve të operimit të tunelit deri në vitin 2027. Sipas kontratës ajo duhet të sigurojë shërbimet e kërkuara në bashkëpunim me ARRSH-në, Strukturat e Policisë, Brigadën e Shërbimit të Zjarrfikseve të Tunelit, si dhe gjithë autoritetet e tjera të përfshira për këtë qëllim