Një portret i rrallë në vaj i udhëheqësit të pavarësisë së Indisë, Mahatma Gandi, u shit në një ankand në Londër për 152 mijë e 800 paund (që konvertohet në 204 mijë e 648 dollarë amerikan).
Kjo shumë është shumë më e lartë se parashikimi fillestar prej 50–70 mijë paundësh që kishte dhënë shtëpia e ankandeve Bonhams, shkruan BBC.
Portreti u pikturua në vitin 1931 nga artistja britanike Clare Leighton, gjatë vizitës së Gandit në Londër. Bonhams tha se besohet që ky të jetë i vetmi portret në vaj për të cilin Gandi ka pozuar.
Ai udhëhoqi një lëvizje paqësore rezistence kundër sundimit britanik në Indi dhe mësimet e tij kanë frymëzuar miliona njerëz. Shumica e indianëve e nderojnë atë si “at i kombit”.
Portreti u realizua kur Gandi shkoi në Londër në vitin 1931 për konferencën e dytë të Tryezës së Rrumbullakët, e cila u mbajt për të diskutuar reformën kushtetuese për Indinë dhe për të adresuar kërkesat e saj për vetëqeverisje.
Sipas Bonhams, Clare Leighton “ishte një nga shumë pak artistët që u lejuan në zyrën e tij dhe iu dha mundësia të ulej me të disa herë për ta skicuar dhe pikturuar nga afër”.
Veprat mbetën në koleksionin e artistes deri në vdekjen e saj në vitin 1989 në SHBA, pas së cilës u trashëguan nga familja e saj. Shtëpia e ankandit Bonhams nuk bëri të ditur se kush e bleu portretin dhe nuk është e qartë nëse ai do të ekspozohet publikisht./tvklan.al